Ekonomia

Buxheti 2014 – Ndarja e të ardhurave shtesë, zbardhet akti normativ

Tabelat e buxhetit të rishikuar. Arka u mbush nga TVSH-ja. Rritet fondi social, ulet për pronarët

 

Nga Zamir Alushi

big_cani_ne_komision_ekonomieRriten me afro 1% të ardhurat buxhetore ose me 3.2 miliardë lekë. Ky ndryshim që shoqërohet me zhvendosjen e fondeve në drejtim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Transporteve dhe institucioneve të tjera, do të kalojë për miratim me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. Mbrëmë, Ministria e Financave ka zbardhur aktin normativ të qeverisë për rishikimin e buxhetit të vitit 2014 dhe tabelat e detajuara që shoqërojnë këtë dokument.

Mbledhja e TVSH-së rrit të ardhurat

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) i zbardh faqen qeverisë. Sipas të dhënave të tabelës së buxhetit të rishikuar, të ardhurat buxhetore në total pritet të jenë rreth 368 miliardë lekë, rreth 0.9% më shumë se buxheti fillestar. Kjo rritje vjen nga performanca e pritshme më e mirë e TVSH-së, të ardhurat prej së cilës pritet të arrijnë në 125.8 miliardë lekë në fund të vitit, 6.3% më shumë se plani fillestar. Ndërkaq, parashikohen me ulje të ardhurat nga tatimfitimi, 21.9 miliardë lekë, apo 4.8% më pak, gjithashtu akciza me 44.5 miliardë lekë ose rreth 8% më pak se planifikimi fillestar. Pra, rritja e tatimfitimit nga 10 deri në 15% nuk solli efekte pozitive. Ndryshime janë vënë re edhe në planifikimin e taksave vendore. Të ardhurat nga pushteti lokal janë rishikuar të jenë 12.7 miliardë lekë, rreth 20% më shumë. Me shtesë janë rishikuar edhe të ardhurat jotatimore, 22 miliardë lekë, ose e shprehur në përqindje rreth 7% më shumë.

Ku shkojnë të ardhurat?

buxheti-i-rishikuar-20141Shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë, sipas argumentimit që bën Ministria e Financave, propozohet të rriten me 2 miliardë lekë, me qëllim shlyerjen e pagesave të prapambetura në këtë zë, krahas përfshirjes së shumës prej 2.3 miliardë lekë në zërin “Detyrime të prapambetura” për këtë qëllim. Pra, ashtu siç e paralajmëroi dy ditë më parë Kryeministri Rama, do të shlyhen borxhet ndaj kësaj kategorie sociale. Gjithsej parashikohet të shtohen në këtë zë 4.3 miliardë lekë. Kjo shtesë vjen si pasojë e pamundësisë së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për përballimin e shpenzimeve për ekzekutimin e pagesave për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmën ekonomike, pasi fondet e miratuara në këtë zë nuk përballojnë nevojat aktuale. Në shpenzimet kapitale do të ketë një lëvizje fondesh në masën 8.7 miliardë lekë, nga projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) tek ato me financim të brendshëm. Kjo, si pasojë e ecurisë së ngadaltë të zbatimit të projekteve me financim të huaj për vitin 2014, kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm, drejt atyre me ecuri më të lartë. Pra, siç del nga tabelat, shpenzimet nuk ndryshojnë, por rishpërndahen. Në kahun e shpenzimeve, shpenzimet e përgjithshme buxhetore, deri në fund të vitit 2014, parashikohet të mbeten të pandryshuara. Ministria e Financave e shpjegon këtë fakt me një nga kriteret e marrëveshjes me FMN-në, ku totali i shpenzimeve buxhetore është tregues i pandryshueshëm (Performance Criteria). Ky tregues mund të rritet vetëm për detyrimet e prapambetura. Pavarësisht nga rritja e të ardhurave, ato nuk mund të përkthehen në shpenzime buxhetore. Rrjedhimisht, rritja e të ardhurave buxhetore do të shkojë vetëm për uljen e deficitit buxhetor.

Borxhi

Shpenzimet për pagesën e interesave të borxhit publik (të brendshëm dhe të huaj) propozohet të ulen me rreth 3.7 miliardë lekë. Kjo, kryesisht si rrjedhojë e ecurisë së favorshme gjatë periudhës janar-gusht 2014 të ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë, si edhe si rrjedhojë e stabilitetit të kursit të këmbimit për të njëjtën periudhë, sipas relacionit.

Ulet fondi për pronarët

Ndërkaq, shpenzimet për fondet speciale do të ulen me 450 milionë lekë, nga të cilat 250 milionë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe 200 milionë lekë në skemën e kompensimit të ish-pronarëve. Kjo ulje shpenzimesh vjen nga kursimet që rezultojnë në këta zëra për periudhën tetëmujore. Fondi i kompensimit të ish-pronarëve ulet edhe për shkak të mosrealizimit të të ardhurave në këtë zë, e argumentuar kjo me procesin e rishikimit legjislativ të skemës së legalizimeve të ndërtimeve informale, sipas relacionit.

Shlyerja e borxheve ndaj biznesit

Sipas tabelës përfundimtare, fondi për kthimin e detyrimeve të prapambetura mbetet i njëjtë, 35 miliardë lekë, por ai do të rishpërndahet, duke ulur me 7 miliardë lekë në 13 miliardë lekë fondin për rimbursimin e TVSH-së dhe duke ia shtuar atë, 3 miliardë lekë detyrimeve të infrastrukturës (që arrijnë në total 15 miliardë lekë) dhe 4 miliardë lekë detyrimeve të tjera (që arrijnë në total 7 miliardë lekë).

Si do të përdoren paratë e privatizimeve?

Në aktin normativ të qeverisë parashikohet një ndryshim në burimet e financimit te deficitit buxhetor, ku huamarrja e brendshme rritet me rreth 4.4 miliardë lekë, dhe ajo e huaj ulet me 8.6 miliardë lekë, rrjedhojë kjo e rialokimeve në projektet e investimeve financiare me burime të brendshme dhe të huaja. Si rrjedhojë e ndryshimeve, niveli i deficitit buxhetor për vitin 2014 parashikohet të ulet me rreth 3.2 miliardë lekë, theksohet në argumentin e Ministrisë së Financave. Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është 88 455 milionë lekë, nga i cili 400 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. Të ardhurat nga privatizimi mbi shumën e parashikuar në këtë buxhet, sipas aktit normativ të propozuar, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button