Kronika

Historia e “kryefamiljarit” 8-vjeçar, që del në rrugë me peshore për të mbajtur familjen

“Me 100 lekëshin që fitoj blej gjizë”

Vendbanimi – Vogëlushi 8-vjeçar me inicialet M.D, i cili del me peshore në rrugë për të fituar ndonjë kacidhe, jeton në zonën e Selitës

Zanafilla – Një ditë gjeta në shtëpi një peshore të vjetër. E mora dhe vendosa të dal te rruga pranë shtëpisë, për të fituar para

Paratë – Vogëlushi tregon se me lekët që fiton, 1000 lekë ose rrallë herë 3000 blen çdo ditë nga një ushqim për shtëpinë

Librat – Vogëlushi shkon në shkollën “At Zef Pllumi”, dhe për të blerë librat tregon se mamaja e tij, ka marrë lekë borxh te të afërmit

Nga Ilda Hoxha

8 vjecariPër të nuk ka lojëra, as përralla, siç rrethohet jeta e çdo fëmije, ndonëse është vetëm 8 vjeç. Jeta e tij është punë dhe sakrifica për të mbajtur familjen. Ky është vogëlushi 8-vjeçar me inicialet M.D, i cili del me peshore në rrugë për të fituar ndonjë kacidhe. Ai jeton në zonën e Selitës në kryeqytet dhe këtu e ushtron edhe “aktivitetin” e tij. Djaloshi tregon se nuk është nxitur nga askush për të bërë këtë punë, por gjendja e vështirë e detyroi të dilte në rrugë. “Një ditë gjeta në shtëpi një peshore të vjetër. E mora dhe vendosa të dal te rruga pranë shtëpisë, ngjitur me një dyqan. Kur më pa mami më bërtiti, por i thashë që unë dua të punoj. Dua të kemi lekë, nuk shtyhet me këtë gjendje”, tregon ai me pafajësinë që e karakterizon. Për çdo ditë i duhet të dalë në rrugë, me peshoren e tij në duar dhe shpresën se dikush nga “meraku se është shëndoshur” do të peshohet. Ai është 8 vjeç dhe vetëm 20 kilogramë, peshën e di mirë, pasi është puna e tij e përditshme. Imcak dhe shumë i zgjuar. Mund të them se zgjuarsia e tij është e “frikshme”, sepse rrallëkush do bënte këto sakrifica që bën ky djalosh. Vogëlushi tregon se me lekët që fiton, 1000 lekë të vjetra blen çdo ditë nga një ushqim për shtëpinë. “Një ditë, mami agjëronte dhe nuk kishte asgjë për të ngrënë në shtëpi dhe nuk hëngri. Unë të nesërmen me 1000 lekëshin që fitova, bleva gjizë për shtëpinë”, tregon i mituri. Një 8-vjeçar që e vetmja gjë që mendon është se si të mbajë familjen me punën e tij, është e rrallë. Moshatarët e tij mendojnë për lodrat, pushimet, lojërat në internet, ndërsa për të voglin me inicialet M.D, këto mbeten në sirtarin e ëndrrave. “Ndonjëherë më vinte turp kur më shikonin shokët dhe shoqet e klasës që dilja në rrugë me peshore, nga mëngjesi deri në darkë. Prapë mendoja punë e madhe, unë do nxjerr lekë që t’i kem për veten time”, rrëfen ai.

Shkollimi

Vogëlushi shkon në shkollën “At Zef Pllumi”, në klasën e tretë, dhe për të blerë librat tregon se mamaja e tij, në pamundësi ekonomike, ka marrë lekë borxh te disa të afërm. Me nisjen e vitit të ri shkollor, atij i duhet të ndajë kohën midis punës dhe shkollës. Në mëngjes niset për në shkollë, herë me barkun bosh e rrallëherë plot. Pasi mbaron mësimin kthehet menjëherë në shtëpi dhe merr peshoren e tij. Del në rrugë, në pluhur, në diell, aty në cep të një dyqani, qëndron i heshtur djaloshi. Kalojnë njerëz pa fund, por jo të gjithëve u shkon mendja të peshohen apo të ndihmojnë djaloshin. Kjo është e përditshmja e tij. “Ka ditë që kam fituar edhe 3000 lekë, gëzohesha shumë”, tregon 8-vjeçari. Thellë brenda syve të tij të bukur, vihej re jeta e vuajtur e këtij vogëlushi. Gjatë pushimeve verore, për të sigurisht që nuk kishte pushime. Puna e tij niste në orën 10.00 të mëngjesit dhe përfundonte në orën 20.00-21.00 të mbrëmjes. “Ky burrë i vogël i shtëpisë” edhe lodhej, pasi është vetëm 8 vjeç, por qëndronte pa shprehur asnjë lloj ankese.

Familja

Vogëlushi me inicialet M.D jeton me mamanë, motrën dhe babanë, i cili është i alkoolizuar prej vitesh. E ëma herë pas here pastron ndonjë shtëpi, por nuk është e mjaftueshme për të mbajtur një familje prej katër anëtarësh. I duhet të sigurojë ushqimin për fëmijët, të blejë librat dhe të gjitha këto janë të vështira të mbulohen nga ajo e vetme, pa mbështetjen e të shoqit, i cili e kalon ditën duke pirë. Jetojnë në një dhomë plot lagështirë me ato pak gjëra që kanë. Për t’u futur në shtëpi, duhet të hipin në një palë shkallë druri të kalbura, që mund të shemben nga momenti në moment. Vogëlushi më tej shton se ushqimi i tij preferuar janë fasulet. Kjo jo për dëshirën e tij, por sepse në familjen e tij, mamaja pesë herë në javë vë fasule për të ngrënë.

Dëshirat

Djaloshi tregon se ditën e parë të shkollës kishte dëshirë edhe ai si gjithë moshatarët të kishte rroba të reja, por nuk ndodhi kështu. “Më falën disa rroba komshinjtë dhe i vesha”, tregon vogëlushi. Sipas së ëmës, Lumturies, djali i saj mëson shumë, madje është ndër më të mirët në lëndën e matematikës. Ajo shpreson që i biri të arrijë të bëhet dikush në jetë dhe të mos i ngjajë babait të tij. “Dua ta shoh sa më mirë fëmijën tim, kam shpresë se do ecë në jetë. Përveçse është shumë i zgjuar, mendon vetëm të punojë për familjen”, thotë e ëma e të miturit. Ndoshta edhe ai do kishte dëshirë të luante më fëmijët, ta kalonte pasditen në ndonjë kënd lojërash ose në shtëpi duke parë kukulla, por për disa ëndrrat mbeten ëndrra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button