Kosova

Kosova nuk përzihet në punë të Spanjës

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur ta komentojë referendumin e djeshëm të Katalonjës për shkëputje nga Spanja.

Miliona votues katalonas kanë dalë të dielën para kutive të votimit për t’u shprehur rreth vullnetit të tyre për pavarësi të këtij regjioni të Spanjës përderisa policia spanjolle ka intervenuar duke penguar referendumin e kontestuar nga Gjykata Kushtetuese në Madrid.

“Qeveria e Republikës nuk i komenton zhvillimet e brendshme të një shteti tjetër”, ka thënë Halil Matoshi, drejtor i Zyrës për Informim të kryeministrit të Kosovës, një ditë pasi katalonasit votuan në referendumin për pavarësi të këtij regjioni.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në qershor të vitit të kaluar, Presidenti Hashim Thaçi kishte hedhur poshtë krahasimet që i bëhen Kosovës me lëvizjen katalonase për pavarësi.

Në një intervistë për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, Thaçi kishte thënë se “Spanja nuk është Serbi dhe Katalonja nuk është Kosovë”.

Thaçi kishte thënë se “Spanja është shtet mik i Kosovës” duke sqaruar se “institucionet e Kosovës kanë marrëdhënie të mira me institucionet e Spanjës në Madrid”.

“Spanja do ta marrë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që kjo të ndodhë shpejt. E kam vizituar Madridin. Spanja ka njohur dokumentet me të cilat është shpallur pavarësia. Gjithashtu, edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata si UEFA e FIFA, është mirëpritur nga të gjithë. Spanja ka duartrokitur dhe përshëndetur paqen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, kishte thënë Thaçi.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button