Opinion

Një lajm i mirë edhe si mësim i mirë

Nga Preç ZOGAJ

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, zoti Donald Lu, nuk do të largohet në janar kur i përfundon mandati trevjeçar në detyrën që mban. Qëndrimi i tij në Shqipëri do të zgjatet deri në muajin gusht. Më e pakta. Ambasadori njoftoi para pak ditësh se ka kërkuar një tjetër zgjatje të mandatit të tij. Përtej gushtit, me sa u kuptua. Ma merr mendja se ai nuk do ta thoshte këtë po të mos ketë një siguri paraprake se kërkesa do t’i plotësohet nga Uashingtoni.

Statura e një diplomati të nivelit të tij i përjashton arsyet e natyrës nostalgjike apo hedoniste kur bëhet fjalë për kërkesa të tilla.

Ambasadori Lu ka gjasa, pra, të qëndrojë në Shqipëri edhe një vit tjetër e ndoshta edhe më shumë se një vit tjetër përtej mandatit normal. Nuk hyjmë këtu për t’u shprehur për zgjedhjet e Departamentit të Shtetit. Nuk ka dyshim se ambasadori i ri që do të vinte në janar apo që do të vijë kur zoti Lu të largohet do të jetë shumë i rëndësishëm dhe efikas gjithashtu për çuarjen përpara të marrëdhënieve miqësore dhe strategjike mes dy vendeve.

Thënë këtë, zgjatja e mandatit të ambasadorit Lu është një lajm i mirë për vendin tonë. Lu është ambasadori, mandati i të cilit përkon me dy përparësi dhe angazhime të fuqishme të politikës amerikane për Shqipërinë: miratimi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar. Të dyja këto angazhime takohen në produktin e pritshëm të ndëshkimit të korrupsionit në nivele të larta dhe të dekriminalizimit hap pas hapi të institucioneve dhe vetë territorit nga krimi i organizuar, që e ka shndërruar Shqipërinë as më shumë e as më pak në një bazë rajonale operacionale, siç shkruan Departamenti i Shtetit.

Zoti Lu, siç e kemi parë, është pjesë e një skuadre të shquar të Departamentit të Shtetit që merret me zbatimin e këtyre përparësive dhe angazhimeve. Duke qenë rezident në Tiranë, ai është si me thënë pilastra e skuadrës. Qëkurse ka ardhur në Shqipëri, ai ka përshtatur një të folur të fortë, të drejtpërdrejtë, pa doreza, didaskalike shpeshherë, duke treguar me gisht kalbëzimin në sferat e drejtësisë, duke denoncuar kandidimin dhe promovimin e individëve me rekorde kriminale në Parlament dhe në pushtetin vendor, duke dhënë alarmin për blerjen e zgjedhjeve nga politikanë të korruptuar dhe krimi, siç u shpreh në janar të këtij viti. Ambasadori Lu, personalisht, ka dhënë një kontribut të madh për miratimin e ligjit të dekriminalizimit dhe fillimin e zbatimit të tij. Ai ka folur me emra për mosarrestime dhe lirime kriminelësh me famë, që janë jo vetëm simbolika, por edhe realiteti i hidhur i sundimit të krimit në shumë segmente të ekzekutivit dhe drejtë- sisë sonë. Para pak ditësh, shqiptarët dëgjuan nga goja e ambasadorit një denoncim pa precedent për katër klane dhe njëzet familje kriminale që kontrollojnë vendin. Denoncime si ky delegjitimojnë në fakt gjithë një qeveri dhe një klasë politike që e ka lënë vendin në duart e krimit, në mos është vetë kupolë e krimit.

Zoti Lu mund ta këtë në natyrën e tij të flasë ashtu siç na ka mësuar ta dëgjojmë, por në të vërtetë ajo e tij është gjuha e SHBA-ve përballë pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe kriminalitetit, fenomene që rrezikojnë deri orientimin euroatlantik të vendit; është gjuha e zgjidhjeve amerikane me shpatë, në bashkëpunim me partnerët europianë dhe faktorët vendas, për të ngritur drejtësinë e mundur krimin. Ai ma merr mendja është zgjedhur si një ambasador i përshtatshëm i goditjeve dhe zgjidhjeve të mëdha në vendin e vogël aleat.

Të dyja përparësitë që përmendëm janë në kantier, siç thuhet. Në këtë kuptim themi se është lajm i mirë zgjatja e mandatit të ambasadorit Lu. Ai mund t’ i çojë përpara më mirë se një tjetër objektivat e Reformës në Drejtësi për sa i takon rolit të amerikanëve si bashkautorë të saj. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për luftën kundër krimit. Në këtë kohë, kur OMN (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) po nis punën për të monitoruar vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe SPAK-u (Prokuroria Speciale) pritet të fillojë punën gjithashtu, ambasadori i SHBAve shndërrohet në një pikë kyçe referimi, në një personazh qendror të zhvillimeve në vend. Me këtë vetëdije dhe duke parë me optimizëm të ardhmen e afërt, ambasadori Lu ka vënë një bast të madh me publikun e gjerë shqiptar. Jo më larg se para një jave ai foli për “ndryshime të mëdha” në një takim me të rinjtë mirditorë, duke pasur parasysh produktin e Reformës në Drejtësi dhe ndryshimet që do të sjellë lufta kundër krimit. Për një popull që nuk po sheh rrugë tjetër, veçse të ikë nga atdheu pikërisht për shkak të papunësisë, pasigurisë dhe poshtërimit, profeci të tilla në gojën e përfaqësuesit të SHBA-ve kanë jehonë të madhe dhe ngjallin shpresa të mëdha. Është shumë mirë që ky përfaqësues qëndron për t’u përballur me bastin që ka vënë. Fakti që kërkon të jetë këtu, tregon guxim, përgjegjësi dhe besim. SHBA nuk mund të dështojnë në Shqipëri. Paralelet që hiqen me legjendën e famshme të “zbarkimit” angloamerikan pas vitit 1944 nuk kanë asnjë analogji me kohën që jetojmë. SHBA dhe Shqipëria janë sot në një aleancë të ngushtë të partneritetit strategjik.

Lajmi i mirë për të cilin po flasim duket të shërbejë edhe si një mësim i mirë për njerëzit që merren apo duan të merren seriozisht me politikë në Shqipëri.

Për të kuptuar thellë se ndërrimet e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë nuk prekin kolonat e shtetit dhe nuk vijnë me fushata shkarkimesh e ventilimesh në administratë apo në shërbimin diplomatik, siç ndodh në demokraturat postkomuniste.

Për të kuptuar se akset e politikës së jashtme amerikane i ka caktuar kryesisht historia, roli i saj në botë dhe janë prerogativë e patundshme e funksionimit të shtetit. Presidentët e pasurojnë, por nuk e tjetërsojnë këtë politikë.

Për të kuptuar se Reforma në Drejtësi ka qenë dhe është një propozim dhe një orkatëri e Amerikës proshqiptare me BE-në dhe me Shqipërinë kundër ortakërisë së politikës së kapur dhe krimit që rrezikon deri sigurinë kombëtare të vendit. A nuk është pohuar disa herë nga mendje me të kthjellëta që ka akoma ky vend se pandëshkueshmëria, korrupsioni në sferat e larta dhe krimi kanë shkuar aq larg, sa nuk ka derman pa SHBA? A nuk i janë drejtuar SHBA-ve thirrje solemne nga Tirana për të ndihmuar Shqipërinë sot siç e kanë ndihmuar për pavarësinë e saj para një shekulli, për Kosovën, për demokracinë para çerek shekulli, për çështjen kombëtare dekadën e kaluar, duke e vënë kësisoj krimin, me të drejtë, në një rang me pushtuesin, me tiraninë, me stratagemat antishqiptare?

Opozita, për fakt të keq, u lëkund në iluzione dhe nuk arriti ta ruante edhe përgjatë ditëve të çadrës këtë qasje. Në këtë mënyrë i dha mundësi Ramës të shfaqej si partizan i vetingut, kur në fakt nuk ishte. Edi Rama s’ka reshtur së provokuari opozitën si toreadori demin, duke i vënë bishta Reformës në Drejtësi. Kjo ka qenë politika e tij: ta akuzojë opozitën kur kjo të ngrejë zërin. Të kapë fije nëse opozita shtrëngohet të heshtë. Rama mund të vazhdojë të ushqejë këtë ëndërr. Por opozita është ndriçuar. Dhe mandati i ambasadorit të reformës është zgjatur. Lajm i mirë dhe mësim i mirë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button