Home / Bota / U desh qymyri dhe çeliku, për të ndërtuar të parën Europë të bashkuar

U desh qymyri dhe çeliku, për të ndërtuar të parën Europë të bashkuar

Duke i mëshuar idesë së hekurit dhe çelikut, u bë e mundur që të liheshin pas krahëve shekuj të tërë me konflikte. Krijuesi ishte Jean Monnet, politikani francez që sipas Keynesit “e shkurtoi me një vit Luftën e Dytë Botërore”. Duke vepruar i vetëm, me bashkëpunimin e pak miqve.

Lufta e Dytë Botërore varrosi përfundimisht sistemin europian të shteteve. Këta ishin bërë, siç do të shkruante më vonë Luigi Enaudi, “pluhur pa substancë”. Ishte më se evidente rruga që duhej të ndiqej për rindërtimin e Europës, por ajo që është evidente nuk mjafton gjithmonë për të treguar aksionin politik që duhet ndjekur.

Rindërtimi i menjëhershëm i Europës kërkonte burime shumë të mëdhenj, që asnjë shtet nuk i kishte. Për të shpëtuar Kontinentin e vjetër ndërhynë menjëherë SHBA me planin Marshall, që përshpejtoi rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin tek normaliteti. Qeveria e Uashingtonit nuk i kurseu ndihmat, por u kërkoi europianëve që të paraqisnin një plan të koordinuar për të parandaluar konfliktet si dhe për të nisur, mbi themele të fortë, bashkëpunimin e tyre. Por, kur qeveritë europiane paraqitën kërkesat e tyre, pa marrë parasysh ftesën e amerikanëve, Uashingtoni nuk mund të bënte ndryshe përvecse të impononte pikëpamjen e tij, duke ia besuar menaxhimin e ndihmave një organizmi të ri, OECD-së (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik në Europë). Përtej problemeve ekonomikë që shqetësonin shoqërinë europiane, perceptohej një rikthim i ngutshëm tek nacionalizmi, gjë që do të kishte rindezur përplasjen franko-gjermane, me riskun e një konflikti të ri.

Ai që, në ato momente arriti të shohë më larg se të gjithë, si dhe të kërkojë me një guxim të palodhur një zgjidhje, ishte Jean Monnet. Ky personazh unik ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Nëntëqindës: “Me aksionin e tij personal”, ka thënë filozofi Mario Albertini duke komentuar kujtimet e Monnet, “ka dhënë një kontribut vendimtar për fitoren e Aleatëve në Luftën e Parë Botërore, ka shkurtuar me një vit Luftën e Dytë Botërore (pohim i Keynesit) si dhe ka nxitur unitetin e rezistencës franceze në Algjer. Ai i ka arritur këta rezultate – që i japin madhështinë e një burri shteti – pa patur pushtet, duke vepruar i vetëm, me bashkëpunimin e pak miqve apo personave që i frymëzonin besim”.

Hapat e parë

Një sintoni e thellë me rrugën që kish marrë historia, i mundësoi të kuptonte përpara të gjithë të tjerëve rreziqet që kalonte Europa dhe të nuhaste rrugën për t’i shmangur. Një herë, Uinston Churchilli kishte thënë: “Një pesimist sheh vështirësi në cdo shans. Një optimist sheh një shans në cdo vështirësi”. Jean Monnet i përkiste kategorisë së dytë të personave, jo sepse ishte i dhënë pas optimizmit në vetvete, por sepse ishte i angazhuar aktivisht në zgjidhjen e problemeve më të mprehtë të kohës së tij. Dhe ai europian sigurisht që ishte një i tillë.

Sipas tij, i duhej dhënë opinionit publik europian – sidomos atij francez dhe gjerman – një mesazh i fortë, në gjendje të varroste një herë e mirë të kaluarën dhe të hapte një epokë të re. Në 4 maj 1950 i dërgoi kryeministrit francez, George Bidault dhe ministrit të Jashtëm, Robert Schuman, një memorandum të mbushur me fjalë që shprehnin shqetësim: “Në situatën aktuale të botës, ngado që të kthehesh, shihen vetëm rrugë qorre, qoftë kur bëhet fjalë për tërheqjen nga një luftë që konsiderohej e pashmangshme, e problemit të Gjermanisë, apo e vazhdimësisë së rritjes së Francës, apo organizimit të Europës, apo vendit të vetë Europës dhe të Francës në botë. Ka vetëm një mënyrë për të dalë nga një situatë e tillë: me një veprim konkret dhe të vendosur mbi një temë të limituar por decizive, që të sjellë një ndryshim themelor për këtë temë dhe të modifikojë në mënyrë progresive vetë termat e tërësisë së problemeve”. Këto fjalë shoqëroheshin nga një projekt që mori formën e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Celikut.

Një projekt kompleks si federata europiane – i vetmi institucion që do të shkonte në rrënjë të të gjithë problemeve – do të kishte ndeshur probleme të pakapërcyeshëm në të ardhmen e afërt (“Eshtë i domosdoshëm”, nënvizonte në memorandumin e tij, “një veprim i thellë, real, i shpejtë dhe dramatik që të ndryshojë gjërat dhe të shndërrojë në realitet shpresat, tek të cilat popujt nuk po besojnë më”). Monnet ideoi atëherë një formë të re bashkëpunimi mes vendeve europianë, “Komunitetin”, që në sytë e tij nuk përfaqësonte një alternativë ndaj federatës, por hapin e parë drejt një procesi që do të conte pashmangshmërisht tek bashkimi politik.

Komuniteti europian i qymyrit dhe celikut vinte theksin në industrinë e celikut dhe hekurit, kolona tradicionale e fuqisë gjermane. Bashkimi në një autoritet të vetëm i prodhimit francez dhe gjerman, bashkë me atë të vendeve europianë që do i bashkoheshin projektit, kishte një domethënie të saktë: zona më e tronditur e kontinentit linte pas krahëve shekuj të tërë luftërash, duke nisur kështu një rrugë të përbashkët.

Ishte ky pra “veprimi konkret dhe deciziv mbi një temë të limituar por decizive” për të cilin kishte folur Monnet. Projekti i tij kishte implikime të rëndësishëm politikë, por këta zbeheshin përballë domethënies historike.

Në pasditen e vonë të 9 majit 1950, Robert Schuman bëri deklaratën solemne që i hapte rrugën pajtimit franko-gjerman dhe lindjes së Komunitetit. “Paqja botërore nuk mund të ruhet përvecse me përpjekje kreative, në përpjestim me rreziqet që e kanosin”, deklaronte Ministri i Jashtëm i Francës, duke shtuar: “Kontributi që një Europë e organizuar dhe vitale mund t’i sjellë qytetërimit është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore. Franca, duke shërbyer prej më shumë se njëzetë vitesh si një pararendëse e një Europë të bashkuar, ka patur gjithmonë si objektiv që t’i shërbejë paqes. Europa nuk u bë: kemi patur luftën”.

Ftesa e Schumanit u mirëprit menjëherë nga Adenaueri dhe nga qeveritë e Beneluksit dhe Italisë. Në 18 prill 1951, në Paris, u firmos traktati themelues i Komunitetit, që hyri në fuqi në 23 korrik 1952. Autoriteti i Lartë që e drejtonte kryesohej nga Jean Monnet. Nisi kështu jeta e Komunitetit Europian, që vazhdon ende. (Sette) – Bota.al

Leave a Reply

%d bloggers like this: