Home / Bota / Shtetet e Bashkuara të Armëve

Shtetet e Bashkuara të Armëve

 Vitorio Xukoni, La Repubblica

Tragjedia periodike e atentatorit, që zbraz armën kundër të pafajshmëve dhe të panjohurve, në dukje pa asnjë motiv personal apo mëri, i lindur amerikan dhe me origjinë amerikane, nuk është e shpjegueshme, përveçse përmes disponueshmërisë së instrumentave të vdekjes, që shumëfishojnë efektin e aksionit. “Por nuk është ky momenti për të folur për kontrollin e armëve të zjarrit”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders Huckabee, duke e ditur që, me të kaluar tronditja, asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe politikanë të rinj do të vazhdojnë të lundrojnë nëpër Lumin e Madh të Kuq, për të mbërritur në portin e cinizmit të tyre.

Lumi i Madh i Kuq, që lan Amerikën me gjakun e 33,000 të vrarëve çdo vit nga armët e zjarrit, gjarpëron dhe mbërrin në sheshin e lojërave të të rriturve, dhe parajsën e tyre, Las Vegas.

Statistikat thonë se dhjetëra të vdekurit, të paktën 58, dhe qindra të plagosurit, më shumë se 500, të goditur nga plumbat e vrasësit janë rekordi historik i viktimave të një atentati, por një milion pushkë ushtarake sulmi, si ato të përdorura nga gjyshi vrasës i Mandalayt, që janë ligjshmërisht apo paligjshmërisht në duar të civilëve, si dhe më shumë se 300 milionë pistoletat, garantojnë se ky rekord do të thyhet edhe ai një ditë.

Të shumtë dhe tepër prepotente janë rrëketë dhe përrenjtë që ushqejnë Lumin e Madh të Kuq dhe asnjë digë, asnjë bonifikim, nuk mund t’i thajë apo ndalë tani.

Kur një senator i ardhshëm i Republikës, një ish-gjykatës i quajtur Roy Moore, hipi në skenën e emërimit të tij në Alabama duke tundur një revolver të kromuar, dhe duke premtuat ta merrte me vete në Parlament, atje ku ulet edhe një deputet që s’ka shumë kohë që ka dalë nga spitali, pas plumbave që mori prej një atentatori anti-republikan, shpresat për të paktën kufizimin e dëmit të këtij arsenali, atëherë shpresat bëhen të gënjeshtërta.

Lajmet dhe komentet pas masakrës së Las Vegasit, duke përfshirë apelet e zbrazët nga presidenti Donald Trump, i cili mbjell përçarje dhe urrejtje me “cicërimat” e tij në mëngjes dhe pastaj kërkon dashuri dhe unitet në mbrëmje, janë vetëm përsëritja, e një filmi që e kemi parë dhe do ta shohim përsëri.

Janë politika, interesat komerciale, kultura popullore, tradita, frika, urrejtja reciproke, historia kombëtare që e fryn Lumin, që as edhe kasaphanat si ajo në shkollën fillore të Sandy Hook, shkollën e mesme Columbine, asaj në Orlando, Qendrën komunitare në San Bernardino, ose vrasjet politike nuk arrijnë ta ndalin. Përkundrazi, tronditja merr efekte paradoksale, duke inkurajuar blerjen e armëve të zjarrit, nga frika se autoritetet do të përpiqen, ashtu si bëri presidentin demokrat Bill Clinton në vitin 1993, të paktën për të kufizuar tregtinë e armëve të tilla si pushkët automatike dhe gjysmë-automatike, të konceptuar jo për sport, gjueti, qitje, por për të vrarë sa më shumë armiq që të jetë e mundur, në kohën më të shkurtër të mundshme. Një AR16, e disponueshme në internet me çmimin e një smartphone të fundit, është në gjendje të realizojë tri të shtëna për sekondë dhe 180 për minutë, e kufizuar vetëm nga nevoja për të ndërruar karikatorin.

Burimi i Lumit të Madh të Kuq është i padiskutueshëm sepse është shkruar në historinë e kombit dhe sipas interpretimeve të ndryshme, çertifikuar nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës, i cili duket se i garanton të gjithëve “të drejtën për të mbajtur armë”, madje edhe në kontekstin e harruar të një “milicie popullore të mirë armatosur”.

Fakti që ky parim kushtetues u shkrua në vitin 1791, kur mushqetat karikoheshin me pluhur të zi baruti, dhe as edhe pushkatari më i zoti nuk mundej të qiste 180 goditje për minutë, duket se ka humbur në argumentet e NRA-së, lobi i mbajtësve të armëve, republikanëve, Trumpistëve. Dhe demokratëve, që nuk guxojnë të kundërshtojnë ballaz, por vetëm të modifikojnë skajet, duke futur kufizime nga ato që pushkatarët i shmangin përditë.

Historia amerikane, domethënë suksesi i pushtimit europian të kontinentit dhe rebelimit indipendentist, është e ndërtuar nga armët e zjarrit moderne, “Colt”, “Uinchester”, “Smith & Uesson”. Asociimi mes “six shooter”, revolveri në këllëfin e sherifit-kauboj, dhe “manifesti i fatit” të pionierit në karrocën e tij, ngulitur thellë në shpirtin kombëtar, ashtu si dhe figura e “minuteman”, rebelit që ishte gati të shtinte kundër mercenarëve të Kurorës mbretërore.

Tragjedia periodike e atentatorit, që zbraz armën kundër të pafajshmëve dhe të panjohurve, në dukje pa asnjë motiv personal apo mëri, i lindur amerikan dhe me origjinë amerikane, nuk është e shpjegueshme, përveçse përmes disponueshmërisë së instrumentave të vdekjes, që shumëfishojnë efektin e aksionit.

Përgjigja klasike e lobit, që kujton se nuk janë armët që vrasin, por ata që i mbajnë, mund të lexohet kollaj edhe përmbys: nëse Steve Paddock do të kish patur një thikë, dhe jo një “koleksion” automatikësh, siç quhen butësisht arsenalët, nuk do i numëronim me dhjetëra apo qindra të vdekurit e të plagosurit. “Por nuk është ky momenti për të folur për kontrollin e armëve të zjarrit”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders Huckabee, duke e ditur që, me të kaluar tronditja, asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe politikanë të rinj do të vazhdojnë të lundrojnë nëpër Lumin e Madh të Kuq, për të mbërritur në portin e cinizmit të tyre. / Vitorio Xukoni, La Repubblica – 

Leave a Reply

%d bloggers like this: