Kosova

Thaçi godet shtetet mike të Kosovës për Gjykatën Speciale: Nuk e mbajtët asnjë premtim

Presidenti Hashim Thaçi sot ka debatuar rreth Gjykatës Speciale me akterë të shoqërisë civile. Si asnjëherë më parë, ai ka goditur shtetet mike të Kosovës, të cilat kanë kërkuar krijimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se si këmbim ato kishin premtuar një sërë përfitimesh për Kosovën.

Por, Thaçi ka thënë se asnjë nga këto premtime, si: anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Europës, liberalizimi i vizave dhe premtime tjera nuk janë përmbushur.

“… u premtua se do të mundë të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi Gjykatën. Bashkësia Ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, ka thënë Thaçi.

Këto deklarata shefi i shtetit i ka bërë gjatë debatit me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, organizuar nga OJQ-të Integra, CPT, PAX.

Më poshtë mund ta lexoni të përmbledhur njoftimin e Presidencës rreth fjalimit të Thaçit.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se siç tregojnë edhe të gjeturat e hulumtimit, ekzistojnë keqinformata, pritje joreale, dezinformata të qëllimshme për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale.

“Në rrethana të tilla vështirë se Gjykata Speciale do të mundë të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës, por edhe për të gjithë ata që janë të angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka shtuar ai.

Presidenti në këtë debat ka thënë se janë bërë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë, por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura.

Ai ka kujtuar brengat e familjeve me personat e pagjetur, që ende nuk kanë gjetur prehje, ka kujtuar viktimat e dhunës seksuale që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre.

Sipas tij, kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar. Presidenti ka thënë se janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar, pesë mekanizma të drejtësisë.

“Drejtësia e UNMIK-ut apo gjyqet e UNMIK-ut, atë të EULEX-it, Tribunali i Hagës, EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale. Diçka që Kosovën e bënë të veçantë në Ballkanin Perëndimor, nga vendet që kanë qenë të përfshira në luftë, nga Kroacia, Bosnja, dhe nga nxitësi, inspiruesi dhe kryerësi i të gjitha këtyre veprimeve shteti i Serbisë”, ka thënë ai.

Presidenti ka theksuar se përkundër tërë përpjekjeve ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaft drejtësi. Sipas tij, pritjet joreale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj siç e theksoni edhe ju në të gjeturat tuaja.

“Rrjedhimisht, kjo do të zbehë besimin në tërë sistemin e drejtësisë kosovare e atë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën.

“Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.

Presidenti ka komentuar edhe gjetjet e hulumtimit, i cili është publikuar sot.  Ai ka thënë vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare e aktoreve ndërkombëtarë, se sa për drejtësi.

Pranimi ynë ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, me arsyetimin se duhet të kënaqim akterët tjerë, në veçanti Beogradin dhe Rusinë që kjo çështje të mos delegohet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Që ta ruajmë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pranova që të udhëheqë një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj Gjykate.

Nga Bashkësia Ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejtë, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejtë dhe se do të kemi njohje të reja.

Kosova mbajti fjalën, themeloi Gjykatën. Bashkësia Ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik.

Kosova si asnjë vend tjetër në rajon bashkëpunoi me Gjykatën Ndërkombëtare. Për dallim nga Serbia, Bosna dhe Kroacia është një fakt shumë i mirënjohur se të gjithë të akuzuarit shqiptarë që u akuzuan nga Tribunali i Hagës , u dorëzuan vullnetarisht në Hagë.

Kosova u tregua më lojalja, por u ndëshkua më së shumti.

Një mik i imi që është këtu tani i pranishëm po e shoh, duke diskutuar rreth Gjykatës Speciale i thash se kjo Gjykatë është hibride, është përfaqësues i shoqërisë civile.

Ai u përgjigj jo, nuk është hibride sepse vetëm ligjet janë të Kosovës, prokurorë dhe gjyqtarë janë ndërkombëtarë, ndërsa 80.000 informata, raporte dhe dosje janë dorëzuar nga Beogradi duke përfshirë edhe pjesë nga raporti i Dick Marty-t.

Sa i përket Gjykatës duhet të themi saktë atë që dimë. Gjykata Speciale do t’i shfrytëzojë vetëm pretendimet e ngritura për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit, aq sa di unë. Pra, do të shqyrtohen vetëm pretendimet e ngritura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe zyrën për krime lufte në Beograd, të dhëna këto të deklaruara nga Gjykata, por edhe nga autoritetet e Beogradit.

Me Kosovën bashkëpunimi është minimal, simbolik dhe i njëanshëm, të mos themi se nuk ka bashkëpunim fare. Ka informim minimal, procedural, nga Gjykata për autoritetet nga Kosova.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button