Ekonomia

Sejko pret ambasadoren franceze: Shqipëria, stabilitet financiar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti këtë të hënë në një takim ambasadoren e re të Francës, Christina Vasak.
Gjatë takimit guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet ekonomike në vend, duke nënvizuar se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në trajektoren pozitive të zhvillimit ekonomik, në qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit, si dhe në stabilitetin financiar të vendit.
Sejko theksoi se sistemi financiar karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti dhe në këtë aspekt veçoi përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.
“Plani ndërinstitucional i ndërmarrë i ka dhënë efektet e tij duke bërë që raporti i tyre ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011”, tha Sejko.
Në vijim biseda u fokusua tek marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, me guvernatorin e BSH që e vuri theksin tek rëndësia e investimeve të huaja franceze në Shqipëri, mundësitë e rritjes së mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, si dhe forcimit të marrëdhënieve në sektorë strategjikë të zhvillimit të vendit, si në industri, bujqësi, turizëm, etj.
Nga ana e saj, ambasadorja Vasak ndau të njëjtin mendim mbi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button