Bota

Pavarësia pezull e Katalunjës, opozita kritikon tërheqjen e Puigdemont

Partitë opozitare katalanase morën hov nga veprimi i presidentit Carles Puigdemont për t’u tërhequr nga shpallja zyrtare e pavarësisë nga Spanja, nën argumentin se e ka mandatin për shkëputje, por se do ta shtyjë një lëvizje të tillë me qëllimin t’i lërë hapësirë dialogut me Madridin.
Nga foltorja e Parlamentit, ata i kujtuan sesa gabim e kishte që në fillim.
“Askush në Europë nuk e mbështet atë që bëre ti, zoti Puigdemont. Askush”, tha Ines Arrimadas, udhëheqëse e partisë “Ciudadanos”.
Përçarje pati edhe te partitë pro pavarësisë, disa prej të cilave kërkojnë veprime radikale, ndërsa të tjerat luhaten në tone më pajtuese.
“Nga ky pozicion është krijuar paqartësi dhe këtë nuk ia lejojmë dot vetes. Shtyrja e diçkaje që nuk po arrijmë ta mësojmë se çfarë është, vetëm sa e shton pasigurinë. Një pasiguri që prek kompanitë, por edhe familjet tona”, tha Miquel Iceta, kreu i partisë socialiste “PSOE”.
Krerët katalanas u tërhoqën në minutën e fundit nga shpallja e pavarësisë, e vendosën t’u lënë kohë negociatave me qeverinë qendrore. Duke folur para Parlamentit të Katalunjës, Puigdemont i bëri thirrje Madridit të hyjë në dialog, duke ia kujtuar sidoqoftë se rajoni e ka fituar të drejtën për mëvetësi.
Një sërë biznesesh, përfshirë dy banka kryesore të Spanjës, një kompani e rëndësishme e telekomunikacioneve dhe një grup ndërtuesish, si dhe një protestë masive gjatë fundjavës në Barcelonë nga 350 mijë katalanas që kundërshtonin shkëputjen, patën ndikim të fortë mes të moderuarve të shqetësuar nga perspektiva e një kolapsi ekonomik dhe trazirave civile.
Edhe vet kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau ishte shprehur më herët kundër pavarësisë, duke thënë se do të kërcënonte bashkëjetesën sociale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button