Ekonomia

Koncesioni për shërbimet detare, Romano Port nuk dorëzohet, kërkon anulim në gjykatë

Koncesioni për shërbimet detare, i shpallur nga ish-Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe i mbyllur me një ofertë fituese prej 238 milionë lekësh të kompanisë Anijet e Shërbimit Detar, ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Apelit.

Romano Port sh.a, e cila kundërshtoi procedurën qysh në fillimet e saj, duket se ka vendosur të vijojë edhe më tej betejën me institucionet që vendosën miratimin e këtij koncesioni, që përfshin në hartën e veprimit edhe portin ku operon kjo kompani.

Më herët procedura u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik por që edhe ky i fundit, vendosi për vijimin e tenderit, me kushtin që të rishikoheshin kriteret mbi të cilat po zhvillohej. Vetë Romano Port kërkon që nga shtatë porte ku koncesionarit i është dhënë e drejta të ushtrojë aktivitetin të përjashtohet Romano Port që është aktualisht në një marrëdhënie tjetër koncesioni.

Në detajet e çështjes së regjistruar thuhet se të paditur të drejtpërdrejtë janë ish-Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe Komisioni i Prokurimit Publik kurse Avokatura e Shtetit është palë e tretë e përfshirë në çështje. Në objekt thuhet se Romano Port sh.a kërkon :detyrimin e palës së paditur të anuloje procedurën konkurruese në lidhje me shërbimet detare në Romano Port; marrjen e masës së përkohshme të sigurimit të padisë duke u pezulluar procedurën tenderuese në lidhje me ketë port deri në përfundim të gjykimit të çështjes.

Koncesionari tashmë ka publikuar në faqen e tij zyrtare tarifat që aplikohet për shërbimet detare si dhe portet e operimit si një konfirmim i mëtejshëm i zbatimit të kontratës.

Mjetet  lundruese janë të detyruara që të paguajnë një tarifë që lidhet direkt me tonazhin e regjistruar bruto, që ka secila në çdo port që është pjesë e koncesionit. Tarifat e publikuara variojnë nga 100-1300 euro, por edhe më shumë, në varësi të tonazhit të mjeteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button