Politika

Rama në Itali, Gentiloni: Koha për hapjen e negociatave BE-Shqipëri ka ardhur

Me date 11 tetor, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku u takua me kryeministrin e italise  Paolo Gentioni. Po japim deklaratat perkatese te dhena ne konferencen per shtyp:

Kryeministri Paolo Gentiloni: Mirëdita të gjithëve! Zoti Kryeministër, i dashur Edi, besoj se ky takim është vizita e parë dypalëshe jashtë shtetit e Kryeministrit shqiptar, pas rikonfirmimit dhe përfitoj nga rasti ta përgëzoj për këtë rikonfirmim. Sigurisht, Shqipëria dhe Italia nuk janë vetëm dy vende të afërt, por janë të lidhur nga një miqësi e thellë, të lidhur nga marrëdhënie të jashtëzakonshme kulturore. Kryeministri Rama e njeh shumë mirë Italinë, flet gjuhën italiane. Ne e njohim realitetin shqiptar si fqinj të jashtëzakonshëm.

Diskutuam sesi mbi bazën e këtyre marrëdhënieve si fqinj të shkëlqyer mund të përforcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe. Në planin kulturor, për ne është shumë e rëndësishme që njohja e gjuhës dhe kulturës italiane, që në Shqipëri është aq e fortë, të konsolidohet. Në planin ekonomik, Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Kemi një shkëmbim prej 2.3 – 2.4 miliardë eurosh mes dy vendeve tona. Kemi më shumë se 600 ndërmarrje italiane që punojnë në Shqipëri. Diskutuam mbi mundësinë për t’i intensifikuar akoma më shumë këto marrëdhënie. Italia importon mallra të shumta nga Shqipëria. Mund të bëjmë më shumë, edhe përsa i përket pranisë së ndërmarrjeve italiane, të mesme e të mëdha, në vend.

Gjithashtu kemi një bashkëpunim mjaft aktiv në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe policive kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të lëndëve narkotike, kundër rreziqeve për sigurinë si pasojë e terrorizmit. Dhe një bashkëpunim mes sistemeve tona të drejtësisë, për të rritur cilësinë e këtyre sistemeve. Ka edhe një bashkëpunim aktiv mes gjykatave. Do të jenë këta dy kapituj të luftës kundër kriminalitetit dhe të cilësisë së sistemit të drejtësisë, disa nga kapitujt më të rëndësishëm në diskutimin me Bashkimin Europian, për të filluar rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Pra, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim tregtar që mund të nxiten, marrëdhënie në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e aktivitetit të gjykatave, të cilat mund të forcohen, lidhje të hershme kulturore dhe nga ana jonë, vlerësimi i madh për rrugën që Shqipëria ka bërë këto vite nën lidershipin e Edit. Një rrugë që gëzon dhe perspektivën e Bashkimit Europian, perspektivë që Italia ka sigurisht për qëllim ta nxisë dhe një perspektivë që është vendimtare për mirëqenien e Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi të rajonit tonë, sepse në fund, marrëdhëniet e mira mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, sepse kontribuojnë për stabilitetin, paqen dhe dialogun në të gjithë rajonin. Rajon që në njëzet vitet e fundit kaloi nga kriza dhe tensione të mëdha në një rrugë zhvillimi dhe bashkëpunimi. Para disa javësh u takuam në Trieste, në kuadrin e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian. Stabiliteti i këtij rajoni është një e mirë e çmuar për të gjithë Europën dhe për Mesdheun dhe që ne nuk mund ta humbasin. Ndaj jam i lumtur që nga ky takim mes Italisë dhe Shqipërisë do të lindë një shtysë e re, jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për kontributin që dy vendet tona mund të japin për stabilitetin në rajon. Edhe një herë, faleminderit për vizitën tuaj! Faleminderit Edi!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Para së gjithash dua të them se ishte jo vetëm kënaqësi, si gjithmonë, por edhe një nder i madh që u prita sot në këtë vend fantastik që rezervohet për miq të veçantë. Kjo gjë e bën akoma më emocionues këtë moment dhe akoma më domethënëse këtë vizitë të parë jashtë shtetit, pasi qeveria e re filloi punën.

Natyrisht, Italia nuk është thjesht dhe vetëm një partnere strategjike për Shqipërinë, por edhe një vend që e ndjejmë shumë pranë në të gjitha pikëpamjet dhe që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë në rrugën e saj të vështirë të ndryshimeve dhe të kalimit nga një diktaturë e çmendur, në një shtet të së drejtës europiane. Dua të nënvizoj rëndësinë e madhe që ne i japim këtij partneriteti strategjik, edhe sepse Italia nuk është e rëndësishme vetëm nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në pikëpamjen rajonale ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe takimi ynë në Trieste qe vërtet një moment për t’i dhënë një shtyse të re këtij Procesi.

Sigurisht që Italia është një partnere kryesore në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt, një vend të së drejtës dhe unë dua ta falënderoj publikisht Kryeministrin, mikun fort të dashur Paolo, për ndihmën në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit dhe fitoren mbi këtë fenomen, por edhe në fushën e drejtësisë, veçanërisht për të çuar përpara një reformë të drejtësisë që është një nga shtyllat për Shqipërinë e së nesërmes, por edhe për pranimin në Bashkimin Europian. Nuk ka dyshim që rezultati spektakolar, që do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme, edhe falë vizitës të Ministrit italian të Punëve të Brendshme, kundër kultivimit të kanabisit është një ndër rezultatet e shumta të këtyre viteve, që mund të konsiderohen si fryt i bashkëpunimit dhe ndihmës së Italisë.

Në pikëpamjen ekonomike nuk ka dyshim që është bërë shumë, por ka një potencial shumë të madh për të bërë akoma më shumë dhe jam i bindur se në bazë edhe të takimit të sotëm dhe të asaj që diskutuam mund të nisim një rrugë të përbashkët për të bërë në 2018-ën, një hap përpara dhe për të parë më shumë drejt ndërmarrjeve të mëdha italiane, të cilat mund të marrin një shembull shumë të mirë nga të gjithë ata që operojnë tashmë në Shqipëri. Besoj që edhe në bashkëpunimin në fushën e hekurudhave dhe të energjisë së rinovueshme ka shumë për të bërë edhe me agjencitë e mëdha publike italiane.

E fundit, por jo nga rëndësia, s’ka dyshim që dua ta mbyll me atë që Italia ka bërë dhe bën për Shqipërinë në nivel europian dhe përsa i përket mbështetjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë pjesë e kësaj familjeje, sepse Italia ka qenë gjithmonë dhe mbetet mbrojtësi më i madh i Shqipërisë në selinë europiane. Ne besojmë fort se kemi bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie dhe jam i sigurtë se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër. Për këtë, Italia meriton vërtetë gjithë falënderimet tona dhe nga ana tjetër besoj se ky qëndrim kaq miqësor është edhe falë faktit që shumë shqiptarë sot kontribuojnë në ekonominë italiane, kontribuojnë në pjesëmarrjen në shoqërinë italiane si qytetarë të mirë dhe të zotë të Italisë. Faleminderit!

Kryeministër Gentiloni, qeveria shqiptare i ka përmbushur të gjitha detyrat që i ishin ngarkuar për pranimin në BE. Italia është një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian. Kur do të nisin këto negociata? Pyetja për Kryeministrin Rama: Cilat janë masat e reja për investitorët e huaj? Përse duhet të vijnë në Shqipëri, investitorët italianë dhe ata të vendeve të tjerë dhe në cilat fusha duhet të operojnë?

Kyreministri Gentiloni: Besoj se koha për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë ka ardhur dhe ndaj, duke filluar nga diskutimi i parë që do të zhvillojmë në Këshillin Europian në dhjetor dhe pastaj sidomos në 2018-ën, ka disa afate vendimtare për të cilat duhet të punojmë në mënyrë që të kemi rezultat. Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe i ka bërë edhe në sektorë ku ka pasur një vëmendje të madhe nga ana e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian ka interes jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, që ta mbajë të hapur perspektivën e pranimit. Pas një faze vështirësish në Bashkimin Europian, ku u zhvillua për herë të parë dhe një referendum me anë të të cilit njëri nga vendet anëtare vendosi të dalë, vitin e fundit, periudhën e fundit u regjistrua një bindje e re për të shtyrë përpara Bashkimin Europian. Kjo bindje mund të ndiqet seriozisht, vetëm përmes rrugës së hapur të pranimit në BE të disa vendeve, midis të cilëve sigurisht, të paktën përsa i përket Italisë, Shqipëria, – është patjetër themelore. Më duhet të them se jam besimplotë për faktin se kjo nuk do të mbetet vetëm një pikëpamje e vendit tim, por do të transformohet në një perspektivë për të cilën mund të punojmë edhe me lider të tjerë europianë, në mënyrë që t’i vëmë realisht qëllimin vetes që të mbërrijmë në një rezultat duke filluar nga viti tjetër.

Kryeministri Rama: Besoj se ndërmarrjet italiane që tashmë operojnë në Shqipëri mund të jenë dëshmitaret më të mira të arsyes, pse ka jo vetëm hapësirë për shumë të tjerë prej tyre, por edhe të arsyeve për të investuar në Shqipëri. Shqipëria është një vend ku kosto e krahut të punës është ende shumë e ulët, në krahasim me Italinë, ku sistemi fiskal dhe e them në praninë e Kryeministrit, është shumë më i favorshëm se në Itali dhe ku sigurisht kemi edhe avantazhin se populli ynë e flet italishten si gjuhë të dytë, kemi një rini që përshtatet shumë shpejt me nevojat dhe rregullat e ndërmarrjeve dhe ku, duhet thënë, përsëri në praninë e Kryeministrit, nuk ka ende sindikata që mund të krijojnë probleme.

Është hapur perspektiva për pranimin në BE edhe për vende të tjera, por pa dashur të shtyhemi më tej, kur dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të pranohen, mbeten Katalonia dhe sidomos Mbretëria e Bashkuar. Dje, Presidenti Macron tha se ndoshta Brexit nuk do të realizohet deri në fund. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Kryeministri Gentiloni: Besoj se përsa i përket Brexit, vendimet i ka në dorë populli britanik, i cili faktikisht vendosi me referendumin e qershorit të vitit 2016. Por në politikë nuk i dihet asnjëherë. Sot, Bashkimi Europian respekton plotësisht vendimet e marra nga Mbretëria e Bashkuar me një referendum demokratik dhe është e angazhuar aktivisht në negociata jo të lehta, siç e dini, për të përcaktuar mënyrat e zbatimit të Nenit 50 të Traktateve, pra, për daljen e Mbretërisë së Bashkuar. Përsa i përket situatës në Spanjë, besoj se sigurisht ka shqetësim edhe në opinionin publik italian. Pika themelore është se duhet nënvizuar nevoja për të respektuar kuadrin kushtetues dhe ligjet spanjolle. Dhe thirrja për dialog, të cilës i bashkohem, për të evituar përshkallëzime, të cilat do të ishin të pajustifikuara dhe deri të rrezikshme, duhet të bëhet brenda një kornize dhe korniza është ajo që ka dhënë Kushtetuta spanjolle dhe respektimi i shtetit të së drejtës dhe i ligjeve të Spanjës. Jashtë kësaj kornize është e vështirë të bëhen thirrje për dialog, sado të mirëkuptueshme të jenë ato. Ndaj, respekt për Kushtetutën dhe ligjin dhe në këtë kornizë, dialog dhe jo përshkallëzime. Faleminderit!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button