Home / Rajoni / Maqedonia / Ahmeti: BDI do të fitojë shumicën e komunave shqiptare

Ahmeti: BDI do të fitojë shumicën e komunave shqiptare

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, shprehet i bindur se partia që ai drejton do t’i fitojë zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, në Maqedoni. Ai është i bindur se BDI do të udhëheq me numrin me të madh të komunave me shumicë shqiptare.

Ahmeti në pjesën e dytë të intervistës dhënë për Kosovapress, beson se edhe pas 15 tetorit, BDI do të jetë e para me numrin e komunave shqiptare që do t’i drejtojë, duke thënë se kanë ngritje votash nga zgjedhjet e vitit të kaluar, kur u mbajtën në nivel qendror.

 Kreu i BDI-së, rënien në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, e quan stuhi me viktima, por që i mbijetuan. Megjithatë, Ahmeti nuk e quan humbje të BDI-së, por që shqiptarët humbën tetë mandate e që nuk i fitoi askush prej partive shqiptare.

“Tani më 15 tetor, në Maqedoni organizohen zgjedhjet lokale. Pres një kthesë pozitive dhe kjo shihet gjatë takimeve që kam me elektoratin, me votues e simpatizantë të Bashkëpunimit Demokratik për Integrim. Ka një kthesë të mirë krahasuar me zgjedhjet e 2016-s, tani kemi një frymë shumë pozitive. Zgjedhjet parlamentare të 2016-s ishin një stuhi goxha e rrezikshme dhe për pasojë humbëm gati tetë mandate. Nuk i fitoi asnjë parti politike shqiptare ato tetë mandate, por pas çdo stuhie ka edhe viktima, ka edhe pasoja. Si duket ne mbijetuam në këtë stuhi, qytetarët e kuptuan që Bashkimi Demokratik për Integrim është i interesuar për avancimin e çështjeve në Republikën e Maqedonisë, në të gjitha fushat, si në fushën për zhvillim të brendshëm si në afrimin e komuniteteve dhe në veçanti në afrimin e komunitetit shqiptar”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së thotë se aktualisht partia e tij udhëheq me 16 komuna, nga 18 sa janë gjithsej komuna shqiptare në Maqedoni. Ahmeti pretendon se pas 15 tetorit, BDI-ja do të ruajë këtë numër të komunave që do të udhëheqë.

Madje, ai vlerëson se në së paku pesë komuna do të fitojnë që në raundin e parë, ndërsa në të tjerat presin të fitojnë në raundin e dytë.

Por, Ahmeti thekson se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë më shumë se për dy parti politike, që do t’i mbronin interesat e tyre në institucionet e Maqedonisë. Sipas tij, nga stuhia e vitit të kaluar më së shumti pësuan shqiptarët.

“Jo rastësisht në mënyrë alegorike thashë nga stuhia që pësuam pati viktima, dhe viktimë ishin shqiptarët me 8 mandate. Shqiptarët janë viktimë e atyre përçarjeve në shumë parti të shqiptarëve këtu në Maqedoni. E them përsëri, shqiptarët nuk mund të kenë me shumë se dy parti dhe ekzistenca e veprimtarisë së partisë së tretë apo të katërt, është po aq e dëmshme sa të ketë një parti. Dy parti le të jenë në garë, pozitë-opozitë dhe do ishte e natyrshme që ne do të ishim në pozita shumë me të volitshme edhe për përballje me palën, me të cilën jemi në vazhdimësi jemi në konfrontim, pavarësisht se shumë prej konfrontimeve e debateve nuk i bëjmë publike me partnerët, por ato mbeten debate dhe konfrontime të brendshme për avancim të mëtejshëm të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti vitin 2016 e quan një mësim të mirë për shqiptarët, të cilët panë se gjithë ato shpifje e propagandë që bëhej kundër BDI-së deri në ekstrem, ishte vetëm të fitojnë një copë pushteti. Ai shprehet i gatshëm që, nëse ka prova, të hapet dosja hetimore për partinë që ai drejton, nëse ka keqpërdorur besimin e qytetarëve.

Përçarja e shqiptarëve, sipas Ahmetit, po ndodh për shkakun e ambicieve personale të disa njerëzve, por edhe është investim i shërbimeve të huaja, sidomos Rusia, e cila është prezente në Maqedoni.

“Të them të vërtetën ka ambicie nga më të ndryshmet. Dikush mendon që është më i mençuri, dikush mendon se zëvendëson kokën e Zeusit, kanë investuar edhe shërbimet e huaja. Hidhni një sy Luginës së Preshevës, hidhni një sy Malësisë së Madhe në Mal të Zi, janë shtatë apo tetë parti ndërsa ka 40 mijë shqiptarë, për mua është e paarsyeshme. Parulla më e mirë është ‘përçaj dhe sundo’ dhe përpjekjet janë bërë edhe në Maqedoni, që për t’i sunduar shqiptarët, duhet të punosh me shqiptarë të përçarë. Por, unë jam shumë i bindur, optimist që gjërat kanë lëvizur për së mbari dhe mendoj që do ecim mirë. Pse mos të them që Maqedonia është në udhëkryq, dhe aksidentet bëhen gjithmonë në udhëkryqe. Nëse keni ndjekur reagimet mbi zhvillimet në Maqedoni, Kremlinin e ke shumë aktiv në dy vitet e fundit, Moska është gjithmonë duke dalë për çdo lëvizje, për çdo incident e aksident e dinë me saktësi edhe fshatrat ku ka ndodhur dhe si ka ndodhur”, thekson Ahmeti.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, megjithatë ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe dalje sa më masive të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: