Ekonomia

Remitancat, 75 % na vijnë nga Italia, 14 % nga SHBA

Prurjet e emigrantëve janë një ardhur e konsiderueshme për vendet në zhvillim të Europës duke përshirë edhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore që janë përpunuar nga Banka Qendrore Europiane Shqipëria merr 75 për qind të remitancave nga Italia. Kështu vendi ynë ka varësinë më të lartë nga një shtet i vetëm për prurjet e emigrantëve.

Nga të dhënat shihet se pjesa e tjetër rreth 14 për qind e vijnë nga SHBA, 6 për qind nga Gjermania, 2 për qind nga Britania. Ekonomia shqiptare ka përqendrim të lartë me Italinë fqinjë si në drejtim të tregtisë së mallrave, shërbimeve dhe siç shihet së fundmi edhe të prurjeve nga emigrantët. Një ekspozim i tille rrit shanset për transmetimin më të shpejtë të krizave ekonomike në shtetin fqinjë drejt nesh.

Në vendet e tjera të Rajonit shihet se prurjet nga emigrantët janë më të diversifikuara. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë furnitorët kryesore të rajonit me remitanca. Bullgaria bën përjashtim pasi rreth 58 për qind të remitancave i merr nga Turqia.
Remitancat pritet të vijojnë me rritje për vendet në zhvillim, sidomos për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, njoftoi Banka Botërore në edicionin më të fundit mbi pritshmëritë e prurjeve te emigranteve.

Banka vlerëson se remitancat e regjistruara zyrtarisht në vendet në zhvillim pritet të rriten me 4.8 për qind, për të arritur ne 450 miliardë dollarë për vitin 2017. Në Shqipëri remitancat pritet të rriten me 1.8 për qind duke shkuar në 1,07 miliardë dollarë në fund të vitit 2017 nga 1,05 miliardë dollarë që ishin më 2016.
Paratë që emigrantët, të cilët punojnë jashtë vendit kanë sjellë tek të afërmit në fshatrat dhe qytetet shqiptare në gjashtë muajt e parë të vitit kanë shënuar rritje të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2016.
Banka Botërore analizon se rimëkëmbja në fluksin e remitancave po nxitet nga një rritje relativisht më e fortë në Bashkimin Evropian, në Federatën Ruse dhe Shtetet e Bashkuara. Për pasojë rajonet që presin edhe fluksin më të lartë të remitancave janë Afrika e Sub-Sahariane, Evropa dhe Azia Qendrore, Amerika Latine dhe Karaibet.

Në vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), shtrëngimi fiskal, për shkak të çmimeve të ulëta të naftës dhe politikat që shkurajojnë rekrutimin e punëtorëve të huaj, do të dëmtojnë fluksin e remitancave në Azinë Lindore dhe Jugore.
Në mesin e përfituesve të mëdhenj të remitancave, India ruan vendin e parë, ku pritet të arrijnë në 65 miliardë dollarë këtë vit, pasuar nga Kina (61 miliardë dollarë), Filipinet (33 miliardë dollarë), Meksika (një rekord prej 31 miliardë dollarësh).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button