Rajoni

Kongresi Amerikan shqetësime për çështjen shqiptare në Maqedoni

kongresi-amerikan-shqet-euml-sime-p-euml-r-ccedil-euml-shtjen-shqiptare-n-euml-maqedoni_hdNë këtë takim të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane janë shprehur shqetësimet për çështjen shqiptare në Maqedoni. Lidhja qytetare Shqiptaro-Amerikane organizoi dje një takim për të informuar disa anëtarë të Kongresit amerikan mbi gjendjen në Maqedoni. Takimi u zhvillua ndërkohë që vemendja e Kongresit amerikan është përqendruar te rreziku që përbën ISIS, shteti islamik si dhe te gjendja në Ukrainë.

Tre anëtarë me ndikim të Dhomës së Përfaqësuesve, Ed Royce, Ileana Ros-Lehtinen dhe Dana Rohrabacher, morën pjesë në takimin e organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ros-Lehtinen, ish-kryetare e komisionit të Dhomës për Marrëdhëniet me Jashtë, e përgëzoi Maqedoninë për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në muajin prill. Ajo tha se megjithëse Maqedonia është një ndër vendet më të varfra të Evropës Juglindore, ajo ka mundur të arrijë rritje ekonomike të qëndrueshme. Zonja Ileana Ros-Lehtinen, përgëzoi Maqedoninë edhe për faktin që ka ndihmuar me trupa koalicionin ndërkombëtar në Irak dhe Afganistan në të kaluarën. Por ajo tha se do të dëshironte të dëgjonte se ç’mendojnë vetë shqiptarët e Maqedonisë.

“Pres të dëgjoj nga ju se çfarë mund të bëjmë ne në Kongresin amerikan për të nxitur reformat demokratike për të përmirësuar shoqërinë civile dhe si mund të shtojmë tregtinë mes dy vendeve tona”.

Por Shirely Cloyes-Dioguardi e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane e shikon ndryshe çështjen. Ajo thotë se tani vëmendja e Kongresit amerikan është përqendruar te rreziku që përfaqëson ISIS, dhe kjo mund të bëjë që problemet në Maqedoni të lihen mënjanë dhe të acarohen më tej. Ajo tha se marrëveshja e Ohrit e nënshkruar në vitin 2001 nga SHBA dhe NATO-ja me udhëheqësit e partive shqiptare dhe maqedonase nuk po funksionon.

“Problemi është se janë materializuar vetëm pjesë shumë të vogla të marrëveshjes së Ohrit. Në gjendjen e tanishme ka mjaft racizëm, mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe një sistem gjyqësor të mangët, në dëm të popullatës shqiptare”, tha Dioguardi.

Ajo veçoi dënimet me burgim të përjetshëm të dhëna në muajin korrik kundër shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e pesë peshkatarëve maqedonas. Ky gjyq, tha ajo, u bë pa paraqitur ndonjë dëshmi dhe shërbeu si shkëndijë për revoltën e shqiptarëve në Shkup.

Dioguardi tha se SHBA duhet të tregojnë më shumë vëmendje. “Maqedonia është në radhë për të hyrë në NATO dhe në BE. Unë nuk shikoj se si mund të ndodhë kjo pa i kushtuar vëmendje trajtimit që u bëhet jo-maqedonasve atje. Dhe çështja është se elitat në fuqi atje janë të korruptuara”, tha zonja Dioguardi.

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e drejtuar nga bashkëshorti i saj, ish-kongresmeni Joe Dioguardi, është një organizatë lobiste që punon për çështjet shqiptare dhe përpiqet të ndikojë tek anëtarët e Kongresit amerikan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button