Home / Politika / Minoritetet, Berisha me Dulen. PD-LSI, firma kundër Ramës

Minoritetet, Berisha me Dulen. PD-LSI, firma kundër Ramës

Për të dytën javë, Parlamenti i Shqipërisë nuk arrin dot të zhvillojë dje normalisht seancën plenare.
Nëse një javë më parë u votua me opozitën të ngritur në këmbë rreth foltores, këtë të enjte kryeparlamentari Gramoz Ruçi u detyrua të mbyllë seancën.
“Jemi në kushtet e paragrafit të fundit të nenit 66. Seancën e deklaroj të mbyllur, seanca tjetër hapet nesër në orën 08:30”, tha Ruçi.
Shkak për këtë u bë përjashtimi i deputetit demokrat Flamur Noka, i cili ashtu si Lulzim Basha një javë më parë, nuk pranoi të linte sallën, edhe pse punimet u ndërprenë për 6 orë.
I gjithë debati që çoi në këtë situatë, nisi pas fjalës së Sali Berishës dhe reagimit të Kryeministrit Rama. Mjaftoi një batutë e Kryeministrit Rama për të ngritur në këmbë Flamur Nokën.
PS në një anë dhe PD bashkë me LSI-në në tjetrën depozituan kërkesa për përjashtime. PS kërkoi mbledhjen e Byrosë për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka, ndërsa PD e LSI bashkuan firmat për të përjashtuar Ramën. Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga Ruçi.
“Pasi pashë të zbardhur procesverbalin e seancës, nuk mund ta marr në konsideratë sepse nuk përmbush asnjë kërkesë të rregullores të neneve 64 dhe 65”, tha kryeparlamentari Ruçi.
Për Lulzim Bashën e gjithë kjo përpjeke bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës.
“Asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht që ta evitojmë këtë krizë. Ne duam me çdo kusht t’i evitojmë shqiptarëve dhe Shqipërisë koston e një përplasje, por ajo është e pashmangshme në qoftëse Edi Rama dhe masha e tij Gramoz Ruçi e kanë vendosur qeverinë e dalë me votat e krimit në një kurs përplasje me aspiratat e shqiptarëve, për një vend të lirë nga krimi, për një vend me taksa të ulëta, ku mund të jetohet e punohet normalisht”, deklaroi Basha.
Ndërsa për Edi Ramën…
“E përdorin lirinë për t’u ankuar për mungesën e saj, në vend që ta përdorin për axhendën e tyre, që fatkeqësisht është e njëjta axhendë që ishte para zgjedhjeve, me ndryshimin që jemi në sallën e Kuvendit dhe jo në çadër. Është rihapur çadra, është rikthyer gramafoni i para  zgjedhjeve, që shqiptarët e bënë copë e çikë më 25 qershor. Është një opozitë pa kokë, pa skuadër, pa përgjegjësi dhe nuk merr dot përgjegjësi”, deklaroi Kryeministri.
E në fund, kreu i qeverisë i drejton një mesazh PD e LSI.
“Jemi në një pozitë të vështirë, nuk po ja dalim dot që të arrijmë në momentin kur opozita të bindet që parlamenti klub të dehurish sic ishte për katër vjet ka vdekur më 25 qershor dhe ky Parlament i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit funksionon në bazë të rregullave të shkruara bashkarisht, të miratuara bashkarisht me përfshirjen nga ana jonë kur erdhëm në qeveri të një rregulli që aq herë sa flet kryetari i shumicës, flet kryetari i opozitës me të njëjtin minutazh. Do apo nuk do PD e LSI, Parlamenti do të funksionojë sipas këtij rregulli të shkruar bashkarisht”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: