Politika

Prezantohet strategjia për diasporën, Rama: Brenda vitit 2018, regjistrimi i shqiptarëve jashtë atdheut

Në kryesinë e Kuvendit, u prezantua sot Projekti për Strategjinë e re të Diasporës dhe Migracionit dhe Plani i Veprimit.

Strategjia u prezantua nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, teksa në këtë konsultim asistuan edhe deputetë nga mazhoranca dhe nga LSI.

I pranishëm në këtë tryezë, kryeministri Edi Rama, falenderoi ministrin Majko, i cili theksoi kryeministri, “jo thjesht ka organizuar këtë tryezë kaq përfaqësuese, por ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument shumë i rëndësishëm me anë të të cilit synohet regjistrimi i plotë i të gjithë emigrantëve”.

Rama, gjithashtu ka falenderuar përfaqësuesit e LSI-së, të cilët kanë marrë pjesë në këtë tryezë konsultimi.

“Falenderoj përfaqësuesit e LSI-së dhe nuk është sekret që do të dëshironim shumë që me të njëjtën gatishmëri dhe me të njëjtin sens të përbashkët që përfaqësuesit të kësaj pjese të opozitës iu përgjigjën ftesës, t’i përgjigjeshin dhe përfaqësuesit e opozitës tjetër, pasi kjo është një nga ato temat që nuk kanë ndarje, por që duhet të na bashkojnë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se duhet punuar më shumë “për ta bërë procesin sa më cilësor nga pikëpamja përmbajtësore”, prandaj, shtoi ai, “miqtë që janë sot, janë këtu sepse çmohen si pika referimi. Nuk ka dyshim se ky është një proces shumëplanësh dhe patjetër dhe përfitueshmëria nga ky ndryshim mund të konsiderohet si shumë më e gjerë sesa një proces”.

“Jemi të fundit që nuk e kemi bërë përfshirjen e drejtpërdrejtë të të gjithë emigrantëve në procesin më të rëndësishëm të vendimmarrjes në vend, procesin e votës, dhe ky është një argument që asnjë parti politike të mos mungojë, që të mos tregojë se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Rama e konsideroi të rëndësishme përfshirjen e emigrantëve në votim.

Kryeministri  u shpreh se brenda vitit të ardhshëm, synohet regjistrimi i shqiptarëve kudo ku ndodhen.

“Vitin e ardhshëm synojmë ta kryejmë regjistrimin e shqiptarëve në botë. Një synim që përkon edhe me vitin e Skënderbeut. Dhe synojmë që në Samitin e dytë të Diasporës të kemi realisht një rezultat konkret të regjistrimit të shqiptarëve jashtë atdheut dhe të kemi marrë disa prej masave kryesore që i vlejnë kësaj nisme”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button