Home / Sporti / Zhvillohet Gjysmëmaratona e Tiranës, 2500 pjesëmarrës nga 40 vende të botës, ja fituesit

Zhvillohet Gjysmëmaratona e Tiranës, 2500 pjesëmarrës nga 40 vende të botës, ja fituesit

 

Tirana ka fituar për herë të dytë maratonën e saj, kësaj here si një garë e certifikuar zyrtarisht nga “Association of International Marathon and Distance Race”, njëkohësisht dhe si pjesë e shtëpisë botërore të atletikës “International Association of Athletics Federation”. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës morën pjesë sot në Gjysmëmaratonën e Tiranës, duke garuar në 3 kategori të ndryshme.

Abel Kibet Rop dhe Luiza Gega ishin fituesit e garës në 21 km, Edwin Cheruiyot Melly dhe Olena Popova ishin fituesit e garës në 10 km dhe Bledar Suxha u shpall fitues i garës Ëe Too (gara për personat me aftësi të kufizuara). Pjesë e kësaj maratone u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përfundoi garën në 10 Km për kohën 59 minuta e 05 sekonda.

Në fjalën e tij përshëndetëse në mbyllje të maratonës, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që Tirana mundi të përballojë me sukses organizimin e një aktiviteti të tillë masiv, duke i dhënë kryeqytetit maratonën e tij të përvitshme, ashtu si edhe shumë kryeqytete të tjera të botës. Ai shtoi se Maratona, përveç aspektit sportiv, ishte një sukses për qytetin e Tiranës, pasi mundi të sjellë një numër të madh sportistësh të huaj, ashtu edhe një numër të madh turistësh që erdhën për ta ndjekur. “Ne kemi pasur mbi 3 mijë vizitorë në Tiranë vetëm për maratonën, do të thotë që kemi pasur 3 mijë shtretër në hotele dhe 10 mijë vakte, një mundësi fantastike për të parë qytetin dhe për ta vendosur qytetin tonë në hartë”, theksoi Veliaj.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kontribuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj Maratone, duke filluar që nga Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit, vullnetarët dhe të gjitha shërbimet e emergjencës. “Një falenderim shërbëtorëve të shtetit tonë edhe vullnetarëve që kanë bërë një punë fantastike, nga Policia e Shtetit, që meriton një duartrokitje, Policia Bashkiake, të gjithë punonjësit e qytetit që kanë pastruar gjithçka, qyteti sot ka qenë xixë dhe shpresoj do ta mbajmë kështu, të gjithë ata që janë marrë me organizimin, 660 vullnetarët tanë, meritojnë një super duartrokitje, djem dhe vajza fantastikë, që çdo ditë janë marrë me këtë punë të jashtëzakonshme”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku pati edhe një falenderim për qytetarët e Tiranës të cilët mirëkuptuan masat e marra për këtë maratonë, siç ishte edhe kufizimi i qarkullimit të automjeteve. “Falenderoj të gjithë qytetarët, ata që treguan durim, meqë sot ishte një ditë pa makina, ju kërkoj ndjesë dhe ju falenderoj për mirëkuptimin dhe të gjithë atyre që nuk përtuan, por dolën për të inkurajuar të gjithë vrapuesit”, shtoi Veliaj.

Ndonëse nuk arriti të marrë një çmim si garues në maratonë, Veliaj u vlerësua me një çmim të veçantë nga Federata e Atletikës për organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj maratone. “Unë e theva rekordin tim, nuk mora ndonjë çmim për rezultat të lartë, por besoj se është si puna e Tiranës, rëndësi ka që çdo vit të jemi pak më mirë se viti që kaloi. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, besoj se do e kemi qytetin e ëndrrave tona”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ky është aktiviteti më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe për organizimin e tij u angazhuan një numër i madh institucionesh dhe organizatash joqeveritare. Ndërkohë, Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit morën të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe rrugëve ku dhe kaloi itinerari i kësaj maratone. Përveç sportistëve që garuan, pjesë e maratonës u bënë edhe shumë qytetarë të tjerë që dolën në përkrahje të sportistëve, duke e kthyer këtë event sportiv në një ditë feste për kryeqytetin. Bashkia e Tiranës organizoi edhe një sërë aktivitetesh kulturore dhe argëtuese për ta bërë këtë ditë edhe më të larmishme.

Gjysmëmaratona e Tiranës u organizua nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, Ministrinë e Brendshme dhe atë të Arsimit si dhe me mbështetjen e një sërë parterësh e sponsorësh si: Vodafone, Spring, ABI Bank, IUTE Credit, Tik Tik, Repeat, Spitali Amerikan, World Vision, Birra Stela, Lufra, Birra Peja, Intersport, Red Bull, TeleBingo, Rauch, NewsSport, AMA etj,.

Çmimet dhe fituesit e Gjysmëmaratonës së Tiranës

Half Marathon (21 Km)

  1. Femer I – Luiza Gega – 1.13.11
  2. Femer II – Zita Kacser – 1.14.53
  3. Femer III – Valentyna Kiliarskaja – 1.16.39
  4. Mashkull I – Abel Kibet Rop – 1.02.43ABEL KIBET ROP ABEL KIBET ROP
  5. Mashkull II – Joel Maina Mëangi – 1.03.42
  6. Mashkull III – David Nikolli – 1.07.27

Tirana 10K (10 Km)

  1. Femer I – Olena Popova – 37.06
  2. Femer II – Relaksa Dauti – 39.09
  3. Femer III – Hellen Jepkosgei Kimutai – 40.42
  4. Mashkull I – Edwin Cheruiyot Melly nga Kenya – 30.32
  5. Mashkull II – Laszlo Gregor – 31.29
  6. Mashkull III – Tamash Nagy – 32.49

Ëe too (persona me aftësi ndryshe) (5 Km)

  1. Vendi I – Bledar Suxha – 17.54
  2. Vendi II – Erblin Karaj – 18.05
  3. Vendi III – Adem Demushi – 19.07

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: