Ekonomia

Copri-AKTOR, kompania që po ndërton rrugën e Elbasanit, ka 30 milionë euro detyrime ndaj të tretëve

Shoqëria Copri-AKTOR, që prej vitesh po punon për ndërtimin në autostradën Tiranë-Elbasan, akumuloi të paktën 30 milionë euro borxhe ndaj të tretëve në fund të vitit 2016, sipas të dhënave që raportohen në bilancin e kompanisë për vitin 2016, ku zëri “Të pagueshme ndaj furnitorëve” ishte 4 miliardë lekë, nga 4.7 miliardë lekë një vit më parë. Situata e vështirë financiare ka bërë që bllokimi i llogarive nga ana e përmbaruesve të jetë më se i zakonshëm për kompaninë kohë pas kohe.

Grekët e AKTOR ndërtuan të vetëm tunelin që përfshihet në projekt, ndërkohë që për Lotin 1 që nis nga rrethrrotullimi i TEG deri në hyrje të tunelit dhe për Lotin 3, që nis nga dalja e tunelit deri në Elbasan, u bashkua me kompaninë Copri.

Në fakt, qysh nga nisja e punimeve dhe deri më sot, situata me ndërtimin e autostradës ka qenë problematike. Copri-AKTOR kanë pasur përplasje disa herë me nënkontraktorët, të cilët kanë braktisur punën për shkak të vonesave në pagesa, por edhe vetë qeveria në disa raste ka krijuar vonesa. Sikur të mos mjaftonte vetëm zinxhiri i borxheve, projekti ka pësuar edhe ndryshime dhe vonesa për shkak të rrëshqitjeve të dheut në zonën e Ibës.

Në listën e kompanive që kërkojnë pagimin e faturave dhe kanë kërkuar ndihmën e përmbarimit janë Adrmir sh.p.k., Ndrekaj sh.p.k., Babasi 2 etj.

Situata Financiare

Copri AKTOR, shoqëri e thjeshtë, rezulton me një situatë mjaft të përkeqësuar financiare. Të ardhurat e kompanisë për vitin 2016 ishin 1.6 miliardë lekë, me një rritje prej 29% me bazë vjetore.

Për tre vite radhazi (2014-2016) kompania ka rezultuar me humbje të larta, që gjithsesi janë reduktuar nga 2.1 miliardë lekë në 2014-n, në 1.3 miliardë lekë në vitin 2015 dhe 323 milionë euro në vitin 2016. Për shkak të humbjeve të vazhdueshme, kompania rezulton me kapital negativ prej 5.3 miliardë lekësh (gati 40 milionë euro) në bilancin e vitit 2016, duke qenë praktikisht e falimentuar.

Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, kur një kompani humbet aftësinë paguese për të paktën tre vjet ajo duhet që të procedojë për faliment, por në rastin e Copri-AKTOR, çështja duket më e komplikuar se kaq duke qenë se në mes është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Kompania praktikisht nuk ka aftësi paguese teksa detyrimet afatshkurtra (pagesat që ajo ka ndaj të tretëve) janë gati 4 herë më të larta sesa aktivet afatshkurtra (mjetet monetare dhe paratë që ajo ka për të marrë nga furnitorët).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button