Sporti

Europa League, Lacio e Tares vijon momentin e magjishëm

Lacio e Igli Tares po kalon me të vërtetë një moment të magjishëm, e kjo u tregua edhe mbrëmjen e sotme, kur lacialët mposhtën 1-3 Nicën në transfertë, me përmbysje rezultati.
Në “Allianz Riviera”, skuadra e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi u gjend në disavantazh pas vetëm 4 minutash lojë, falë një goli me kokë të Balotellit, për të barazuar vetëm një minutë më pas me Caicedo, e për të përmbysur gjithçka në pjesën e dytë, me dy gola nga Milinkoviç-Saviç.
Lacio gjendet në krye të grupit K me pikë të plota, 9 pikë në 3 ndeshje, e ndjekur nga Nica me 6 pikë. Takimi tjetër në këtë grup, mes Zulte Waregem dhe Vitesses përfundoi në barazim 1-1, e të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, e para për secilën në këtë edicion të Europa League.
Në ndeshjet e tjera të orës 19, ra në sy fitorja minimale 0-1 e Arsenalit ndaj Crvena Zvezdës në Beograd, me një gol nga Olivier Giroud në minutën e 85-të, duke numëruar gjithashtu 9 pikë në 3 ndeshje dhe duke mbajtur kryesimin e grupit H. Në këtë grup, Ylli i Kuq i Beogradit dhe BATE Borisov ndajnë nga 4 pikë, e mbyll klasifikimin Këlni me 0 pikë. Gjermanët u mposhtën edhe në Bjellorusi nga BATE, duke konfirmuar momentin e keq që po kalojnë edhe në Bundesligë.
Fitorja më e thellë u regjistrua nga Real Sociedadi në transfertë, teksa mposhti 0-6 Vardarin e Shkupit për grupin L. Këtu janë rusët e Zenitit të Shën Pjetërburgut që kryesojnë me 9 pikë, spanjollët ndjekin me 6, norvegjezët e Rosenborgut me 3, ndërsa maqedonasit kanë 0 pikë. Ndeshja tjetër mes Zenitit dhe Rosenborgut përfundoi 3-1.
Me 9 pikë nga 3 ndeshje kryesojnë grupin G edhe rumunët e Steauas që mposhtën 1-2 Hapoel Beer Shevën në transfertë, me këta të fundit që janë në vendin e fundit të grupit, por me 3 pikë aq sa edhe Lugano dhe Plzen që renditen sipër tyre. Ndeshja mes Luganos dhe Plzenit dhuroi shumë gola, por ishin zviceranët që triumfuan 3-2 ndaj çekëve.
Austriakët e Salzburgut, ndërkohë, mposhtën Konyasporin në Turqi 0-2, ndërsa Marseja mposhti 2-1 portugezët e Guimaraes në ndeshjet e grupit I. Salzburgu është në kuotën e 7 pikëve, i ndjekur nga francezët me 6 pikë, ndërsa në kuotën e 3 pikëve është Konyaspori, me portugezët që mbyllin grupin me vetëm 1 pikë.
Në grupin J, është surpriza Ostersunds që kryeson grupin me 7 pikë, me suedezët që ndalën në barazim 2-2 spanjollët e Athletic Bilbaos, me vetëm dy pikë. Ky është edhe grupi ku pretendentët janë në fund, e surprizat në krye. Kjo sepse edhe Hertha e Berlinit është mposhtur nga ukrainasit e Zoryas, 0-1 brenda në gjermani, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve e duke lënë me vetëm 1 pikë gjermanët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button