Kosova

Ekaterina Zaharieva: Implementimi i reformave, për qytetarët dhe rininë e Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Pas takimit, Pacolli dhe Zaharieva mbajtën një konferencë për mediat. Ministri Pacolli gjatë konferencës theksoi se me homologen e tij bullgare kanë diskutuar për “marrëdhëniet e mira bilaterale në mes Kosovës dhe Bullgarisë”, si dhe për planet e ardhshme të bashkëpunimit.

“Diskutuam temat e agjendës së Kosovës, që Kosova është në rrugë të mirë drejt integrimeve dhe diskutuam po ashtu për ndihmën që Bullgaria është duke dhënë për Kosovën në planin e saj të integrimeve në organizatat e ndryshme rajonale evropiane dhe botërore”, u shpreh Pacolli.

Duke theksuar se Kosova ka çfarë të mësojë edhe nga eksperienca e Bullgarisë sa i përket shtetndërtimit dhe rrugëtimit që ka patur drejt BE-së, Pacolli tha se janë diskutuar edhe temat e bashkëpunimit ekonomik për të intensifikuar tregtinë.

Ndërkaq duke vlerësuar edhe rolin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Pacolli tha se me homologen e tij kanë biseduar edhe për këtë temë. Ai u shpreh se Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij dialogu edhe në të ardhmen.

Kurse, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva duke bërë të ditur se Bullgaria do të udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian prej 1 janari të vitit 2018 tha se një nga prioritetet kyçe, është perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për reformat e BE-së ajo tha se implemetimi i reformave evropiane kanë rëndësi të madhe sepse këto reforma sipas saj nuk janë për të kënaqur dikë që ka kërkuar nga ai shtet, por për qytetarët dhe rininë e Kosovës, “me qëllim që të kenë një perspektivë, të ndjehen mirë në shtetin e tyre dhe të qëndrojnë në shtetin e tyre e jo të migrojnë në vende të tjera”.

Ndryshe, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë, Zaharieva sot është takuar edhe me Presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button