Politika

Komisioni i AP-së i Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi takim në Tiranë

Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë po organizohet takimi i 49-të dyditor i Komisionit të Çështjeve Ekonomike, Tregtare, Teknologjike dhe Mjedisore të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).

Në hapjen e aktivitetit sot mbajti një fjalë përshëndetëse nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve anëtare në PABSEC.

“Asambleja e kësaj organizate i thërret vendet që të marrin masa për të përshpejtuar miratimin e legjislacionit, për të përmirësuar infrastrukturën, për të përmirësuar dhe siguruar investimet e huaja dhe vendase. Shqipëria ka bërë shumë me përmirësimin e infrastrukturës, të legjislacionit për investimet, për të përmirësuar klimën për bizneset e huaja dhe vendase. Nga ana tjetër profili ekonomik i kësaj organizate më shtyn të besoj dhe shpresoj se vendet anëtare kanë përfituar nga ky bashkëpunim dhe do të përfitojnë në të ardhmen pa përjashtim. Ky është takimi i 49 dhe shpresoj që ky takim të jetë shumë i frytshëm”, u shpreh Hysi.

Sipas saj, ky takim do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Në këtë takim marrin pjesë delegacione nga vendet anëtare të PABSEC, si Shqipëria, Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, Serbia, Ukraina, Greqia, etj.

Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, siguron bazën ligjore për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, social, kulturor dhe politik ndërmjet vendeve anëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button