Kronika

Hotspotet me municione luftarake, Xhaçka: Shqipëria e pastër brenda vitit 2018

Brenda vitit të ardhshëm, Forcat e Armatosura do të përfundojnë pastrimin e të gjitha zonave të ndotura me municione luftarake dhe mbetje eksplozive në pjesë të ndryshme të territorit, të ashtuquajtura hotspote.

Shpërthimet e depove të armatimit në të gjithë vendin, gjatë trazirave në 1997, kontribuan në përkeqësimin e gjendjes dhe zgjerimin e hartës së hotspoteve në pothuajse të gjithë territorin e vendit tonë. Sipas vlerësimeve, rajonet e ndotura kanë shkaktuar 151 të vrarë dhe 851 të dëmtuar. 6 vjet më parë, në të gjithë vendin u evidentuan 19 hotspote, për pastrimin e të cilave aktualisht janë angazhuar efektivë të Kompanisë së Asgjësimit të Municioneve (EOD- Explosive Ordnance Disposal) të Komandës Mbështetëse në Forcat e Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka inspektoi punimet e nisura 3 muaj më parë për pastrimin e hotspotit të Selicës (Burrel). 20 vjet më parë, shpërthimi në tunelet e mbushura me armatim shkatoi 23 viktima në rradhët e banorëve të fshatit Selicë.

“Forcat e Armatosura po bëjnë një punë që paraqet rrezikshmëri dhe unë dua që t’i përgëzoj për përkushtimin e jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve. Nga 19 hotspote të identifikuara në vitin 2011, sot janë vetëm katër ku aktualisht po punohet edhe me mbështetjen e Qeverisë Amerikane. Objektivi ynë është që, deri në fund të vitit 2018 edhe këto katër hotspote të pastrohen, në përputhje me të gjitha standartet e sigurisë dhe do të kthehen për përdorim civil. Sot dua të inkurajoj të gjithë qytetarët, të cilët jetojnë pranë zonave të rrezikshme, që të sinjalizojnë Forcat e Armatosura sa herë mund të shohin një predhë apo municione, që rrezikojnë sigurinë e jetës së tyre. Telefonata në numrin 129 do të ndihmojë xheniot të identifikojnë zonat ku duhet të ndërhyhet, duke evituar ngjarje të rënda”, tha Ministrja, pas inspektimit të situatës në brendësi të tunelit. Në 3 muaj të operacionit “Selica” janë gjetur mbi 390 mijë copë municione dhe fishekë të kalibrave të ndryshme dhe është kontrolluar sipërfaqja prej 130 m² e njërit prej tuneleve që po pastrohet.

Zyra e Koordinimit të Minave dhe Municioneve (AMMCO), si një strukturë e specializuar e Ministrisë së Mbrojtjes, një ekip profesionistësh, i ndërtuar gjatë dekadës së fundit me mbështetjen e PNUD-it dhe donatorëve të ndryshëm, koordinon dhe monitoron operacionet e pastrimit të municioneve të paplasura në hotspote dhe njëhrësh bën certifikimin e zonave pas pastrimit të plotë të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button