Home / Politika / Deutsche Welle: Tiranë-Këshilli i Mandateve mbyll mbledhjen, tani shqyrtim akuzave

Deutsche Welle: Tiranë-Këshilli i Mandateve mbyll mbledhjen, tani shqyrtim akuzave

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve shqyrton materialet e prokurorisë për të marrë vendimin lidhur me arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve përfundoi të shtunën (21.10) mbledhjen e tij për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda ta hetojë atë për korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë. Ai shqyrton provat e paraqitura sot nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe përgjigjet e Tahirit dhe avokatit të tij Artan Hajdari, Anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të marrë vendimin politik.

Saimir Tahiri tha të shtunën se “akuzat janë shpifje, nuk ka kryer asnjë vepër penale, nuk ka vrarë askënd dhe gjithҫka është politizuar nga opozita. Përgjigjen nëse jam fajtor ose i pafajshëm ta japin institucionet.”, tha ai. Provat që prokuroria ka paraqitur në dy mbledhjet, dje dhe sot, të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve janë dosje prej 416 fletësh, që Prokuroria e Katanias i kanë vënë në dispozicion nga përgjimet telefonike të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish-ministrit Tahiri dhe një dosje që pritet të paraqitet nga Prokuroria e Leҫes.

Socialistët nuk kanë prova, opozita flet për prova

Deputetët socialistë, anëtarë të këtij këshilli nuk i konsiderojnë prova këtë dosje, të publikuar prej ditësh në portale dhe në media, që ata të përligjin autorizimin për arrestimin e Tahirit. “Po të kishin prova Saimir Tahiri do të arrestohej në flagrancë. Përgjimi është një mjet kërkimi por jo prova” deklaroi Ulsi Manja, deputeti socialist anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti  edhe përgjime të kryera prej saj në territorin e Shqipërisë, ku në asnjë rast nuk përmendej emri i ish-Ministrit të Brendshëm, Tahiri por emrat e disa oficerëve të policisë. Deputetët opozitarë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve edhe sot i konsiderojnë prova përgjimet e autoriteteve italiane.

Analisti Andi Bushati, opinionist i njohur për qëndrime kritike ndaj qeverisjes Rama mendon se “provat e paraqitura deri tani janë larg të qënit bindëse. Ato nuk përbëjnë asnjë argument ligjor që ta ҫojnë Tahirin në burg, por nuk ka diskutim që Tahiri ka qenë i lidhur me Habilajt. Alibia e krijuar për ta mohuar atë është e ngjashme me morinë e alibive që prodhoi Berisha pas 21 janarit.”

Tahiri në mbledhjen e sotme (21.10) të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve bëri akuza të forta kundër PD kur tha se “në qershor 2013 me vendim të Këshillit të Ministrave, kur kryeministër ishte Berisha, i dhuroi tokë në Orikum oficerit të policisë nga Tropoja, Dritan Zagani,” i cili akuzoi në vitin 2015 Tahirin për mbështetje të trafikantëve të drogës, akuzë që sot deputetët e PD, anëtarë të Këshillit  të Mandateve dhe Imuniteteve nuk e kundërshtuan.

Ish-ministri Tahiri ka kaluar në sulm kur deklaroi se „jam i gatshëm të hetohem, jam i gatshëm të bëj gjithҫka që e vërteta të dale në dritë. Por unë kërkoj prova”. Ai ka përmendur ish-kryeministrin Berisha që nuk ka shkuar në Prokurori për 21 Janarin dhe e quajti ”lavire bulevardi” ish-kryeprokuroren Ina Rama kur ajo nisi hetimet për atë ngjarje. Ai përmendi edhe Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe Fatmir Mediun që nuk shkuan kurrë në Prokurori apo Gjykatë për akuzat per korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.

Vettingu dhe ҫështja Tahiri

Kërkesa e prokurorisë së Krimeve të Rënda për të arrestuar Saimir Tahirin ka risjellë vëmendje për ҫështjen e kryerjes së Vettingut dhe pastrimit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të politizuar apo të përfolur për korrupsion politik. Aleksandër Çipa , analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW: “Vettingu nuk e ka bërë ende skanerin e prokurorëve dhe gjykatësve që pritet të hetojnë dhe gjykojnë Saimir Tahirin, nëse Këshilli i Mandatevedhe Imuniteteve merr sot vendimin politik për t’i hequr imunitetin e deputetit dhe hapur rrugë arrestimit të tij. Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala i  ka mbaruar mandati dhe krahas kësaj është përfolur për korrupsion politik dhe dështimin për të hetuar dosje korrupsioni si ajo e ÇEZ, ku implikohet djali i ish kryesministri Berisha. Prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kështu nuk kanë kaluar vettingun. Çështja po politizohet. Qytetarët presin të vërtetën, presin Drejtësi nga Drejtësia. Përndryshe nuk do të ndryshojë asnjë në qerthullin e pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, dukuri që është konsoliduar në dy dekadat e fundit me raste flagrante, skandaloze”, thotë Aleksandër Çipa .

Drejtësi- fund i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë dhe pazareve politike mes palëve

Rastet flagrante emblematike të pazareve politike mes palëve në Shqipëri që kanë sjellë betonizimin e kulturës së pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë janë trazirat e vitit 1997, kur me shembjen e skemave piramidale vendi shkoi në prag të luftës civile, shteti dhe rendi publik u shembën, popullsia civile u armatos dhe bandat kriminale gjetën terren pjellor për të lulëzuar. Asnjë nga politikanët e lartë përgjegjës nuk u dënua. Shkaktarët e trazirave të 1997-ës  mbetën në errësirën e kompromisit mes palëve.

Kompromisi i 20 viteve më parë rezultoi fatal: ai i hapi rrugën mbylljes për arsye proceduriale të hetimeve për korrupsionin në Rrugën e Kombit, vrasjes së 4 qytetarëve në 21 janar 2011 apo kanabizimit të Shqipërisë në vitet e fundit. E djathta dhe e majta, që kanë kryer rotacionet politike në Shqipëri, me pazaret politike për interesa personale duket se kanë patur marrëveshje pa firma dhe vula për të mos ndëshkuar politikanët e lartë të secilës palë, kur ka qënë rasti për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Marrëveshja e nënkuptuar, pa fjalë mes dy palëve është vulosur nga një drejtësi e varur politikisht, e korruptuar dhe kompromentuar.

Vettingu, kali i betejës për drejtësinë që bën drejtësi, shihet si shansi i vetëm për fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë. Bërja drejtësi ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimi i tij apo shpallja i pafajshëm do të bëhet ndoshta i pari rast në 27 vite demokraci në Shqipëri që ndaj një politikani të lartë të mos ndiqet tradita e deritanishme, rast që mund të hapë një epokë të re në drejtesinë deri tani të falimentuar të Shqipërisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: