Kronika

Gjykata “rrëzon” Prokurorinë, s’e bindin provat për Nezar Seitin

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk është bindur plotësisht mbi provat e Prokurorisë, që ka marrë nga autoritetet italiane sa i takon organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, e pagëzuar si “dosja e Habilajve”.

Këtë fakt e vërteton vendimi i gjyqtares Liljana Baku, e cila ka vendosur vetëm 20 ditë burg, si masë sigurimi ndaj Nezar Seitit, i cili sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda është pjesë e grupit të narkotrafikut të Habilajve, në bazë të hetimeve dhe përgjimeve të kryera nga autoritetet italiane.

Por, mënyra e marrjes së materialeve që implikojnë Seitin dhe paraqitja e tyre para Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk e kanë bindur këtë të fundit. Për këtë arsye, gjykata i la 20 ditë kohë Prokurorisë që të vërtetojë me prova, siç e parashikon ligji, implikimin e Nezar Seitit.

Të njëtin pretendim mbi anën proceduriale të marrjes së provave ka pasur në seancë edhe avokati i të arrestuarit.

“Gjykata vendosi pas asnjë bazë masën e sigurisë 20 ditë burg, pasi provat e Prokurorisë ishin marrë dhe paraqitur në mënyrë të gabuar, jo siç e parashikon ligji”, tha avokati Detar Hysi.

Ndërkohë, për Seitin ka edhe një masë sigurie nga autoritetet italiane, por Prokuroria e Krimeve të Rënda, paraditen e së dielës kërkoi ndaj tij masë sigurie për një procedim të nisur në vendin tonë, pas daljes në media të përgjimeve italiane.

Ndërsa për kërkesën e Romës për ekstradimin e tij pritet të shprehet Gjykata e Vlorës, që është kompetente për një kërkesë të tillë. Procedimi i hapur ndaj Seitit është i ngjashëm si ai ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri. E nëse Tahiri do të paraqitej të dielën në gjykatë, Prokuroria nuk do të ishte bindëse për gjykatën me provat që ka aktualisht në duar.

Ndërkohë gjatë së dielës, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Armando Kocerrin, i cili u arrestua gjatë operacionit në Babicë, ku u sekuestruan 4 tonë kanabis sativa, drogë e cila sipas Prokurorisë dyshohet se ka qenë e grupit kirminal të Habilajve, por që vet i pandehuri nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim për momentin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button