Kronika

Prokuroria: Deklaratat politike nuk intimidojnë, në Kroaci dhe Rumani janë denuar edhe ish kryeministra

Prokuroria për Krime të Rënda ka “ritheksuar qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor”.

“Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim. Pasi, në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”. Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë”, lexohet në deklaratën e Prokurorisë për Krime të Rënda.

“Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë. Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë. Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian. Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses. Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button