Kryeartikull

Drejtësia dhe Kanuni ynë, një tallje e bukur

Ben Andoni

Më 3 Dhjetor mbaron mandati i kryeprokurorit të vendit. Adriatik Llalla, eprori i fundit i këtij institucioni, do mbahet mënd gjatë sepse nuk la asgjë realisht për t’u mbajtur mënd. Në pak momentet që është trimëruar ka qenë kur iu kthye një vartësit të vet, por edhe kur u munduan ta zgjonin nga gjumi. Në fakt, më shumë se gjumi, ai do kujtohet për qindra dosje të mbyllura. Krejt ndryshe nga paraardhësja e tij Ina Rama, që erdhi si e panjohur por u mundua të dalë nga anonimati i institucionit me ngjarjen e 21 Janarit, ai nuk mundi të lëvizë asgjë në rrjedhën monotone të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai ka pasur në dorë kallëzime potente nga institucioni i KLSH-së, që përfshijnë nga padi ndaj ministrave, vetë avokati i përgjithshëm i shtetit, 13 kryetarë bashkie dhe pafund drejtorë drejtorish nëpër institucione dhe zyrtarë. Në mandatin e tij u mbyllën dosjet e shkeljeve të Plarent Ndrecës, Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, Drejtoreshës së Turizmit, ish-drejtorit të QKR, Ministrit aktual të Energjisë Gjiknuri, Avokates së shtetit Icka, ish-ministrit Haxhinasto, një sërë zyrtarësh titullarë të PD-së, që nga kryetari aktual Basha dhe duke vazhduar me Florion Mimën, Genc Rulin, Arben Imamin etj. Kështuqë edhe sikur t’ia vinte vetë prangat në duar Saimir Tahirit, tashmë z.Llalla nuk do të ndryshonte asgjë nga simbolika e tij.

A është vallë i mallkuar ky post apo e bën politika të tillë? Në fakt, ky post, për rëndësinë që mbart në vetvete është fuqiplotë, por realisht krejt i parëndësi në vendin e autoritetit të pushteteve, për shkak se zgjedhja zakonisht diktohet nga politika. Zakonisht kokën e hanë viktimat dhe kundravajtësit e vegjël të gjorë, që veç shtetit nuk i mbrojnë dot dhe mizëria e shoqatave që lidhen me të Drejtat e Njeriut. Politika ndikon të heqë dhe të vendosë këdo në burg.

Çka do të thotë se Prokurori i Përgjithshëm që pas regjimit është një shtojcë mirëfilli e politikës. Njësoj si edhe para ’90, por kujtojmë se titullari i këtij institucioni kishte një lloj prestigji prej dënimeve radikale që jepeshin. E ndërsa në atë kohë sundonte Diktatura e Proletariatit dhe kjo ishte e sanksionuar në Kushtetutë, Shqipëria, e sotme, konsiderohet si një vend demokratik në familjen e kandidatëve për anëtarësimin evropian dhe e cila është e detyruar t’i krijojë të gjithë aksesin e duhur që Drejtësia të funksionojë si pushtet i pavarur. Kjo nuk ka ekzistuar deri më sot, ndërsa prokuroria ka prishur shumë balanca në rrugën e luftimit të korrupsionit dhe sidomos krimit, që sot është i sanksionuar si pushtet në vetvete.

Më keq akoma e gjithë situata e tanishme ka nxjerrë në pah dhe dëshirën e pakët të shqiptarëve për të drejtën. Edhe pse dikur e drejta vëzhgohej dhe administrohej me Kanunin dhe madje thuhet se edhe kishte penalizime, historia na ka treguar se shqiptarët ia kanë hedhur dhe e kanë përqeshur të drejtën e Kanunin si ua ka dashur qejfi, por gjithnjë duke e veshur edhe të padrejtën me iluzionin e nderit dhe të kodit të burrave.

Mbase në të ardhmen do të jetë trajtesë doktoraturash, por duket se drejtësia është e huaj për shumë nga njerëzit e këtij vendi. Ata, të paktit, që guxojnë të mbajnë parimet dhe e respektojnë të Drejtën, konsiderohen si të çmendur ose budallenj nga një shoqëri që pushtet ka padrejtësinë.

Të mjaftoj të kujtosh se vetëm në dy vitet 2014-2015 janë paditur rreth 300 zyrtarë dhe shumica janë amnistuar, atëherë e kupton se ky vend dhe njerëzit që zgjedh thjesht për formë, në krye të Drejtësisë, nuk do ta bëjnë kurrë drejtësinë e duhur. Ashtu, si shumica e atyre që e bastarduan Kanunin, duke vrarë sot dhe fëmijë dhe gra apo duke marrë para në emër të tij, nuk mund ta respektojnë kurrë këtë institucion të vjetër drejtësie. Në të gjitha pamjet, kanuni dhe drejtësia janë një tallje e bukur për vendin dhe ndoshta ka ardhur koha të trajtohet si duhet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button