Home / Sporti / UEFA: Skënderbeu dënohet me 60.000 euro dhe ndeshjen me Dinamon pa tifozë

UEFA: Skënderbeu dënohet me 60.000 euro dhe ndeshjen me Dinamon pa tifozë

Në fushë ishte çdo gjë brenda normave të “Fair Play”-t, ndërsa e gjithë transferta e Partizanit të Beogradit në Shqipëri shkoi pa asnjë incident, pavarësisht tensionit. E pavarësisht kësaj, raporti i delegatit të ndeshjes ka penalizuar Skënderbeun.

Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kompeticionet evropiane të futbollit, Skënderbeu, do të vuajë një ndeshje pa spektatorë në stadium, për shkak të koreve raciste dhe sjelljes jo korrekte të tifozëve në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” më 19 tetor.

Skënderbeu është dënuar të zhvillojë ndeshjen e radhës brënda pa tifozë si dhe me gjobë në masën 60.000 Euro, njofton klubi shqiptar përmes sajtit zyrtar.

“Klubi i Skënderbeut është njohur sot me vendimin e Komisionit të disiplinës dhe etikës pranë UEFA-s ndaj klubit bardhekuq për incidentet në ndeshjen kundër Partizanit te Beogradit”.

“Skënderbeu është dënuar të zhvillojë ndeshjen e radhës brënda pa tifozë si dhe me gjobë në masën 60.000 Euro si pasojë e thirrjeve raciste ndaj kundërshtarit dhe ndezjes së lëndëve piroteknike”.

“Sipas këtij vendimi, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ është i detyruar të luajë takimin e radhës në ‘Elbasan Arena’ ndaj Dynamo Kiev me dyer të mbyllura.
Sapo është njohur me dënimin disiplinor, klubi ka kërkuar nga komisioni vendimin e argumentuar”.

Skënderbeu barazoi pa gola ndaj Partizanit të Beogradit, duke marrë një pikë, që e mban në lojë për kualifikimin.

Më herët në këtë sezon, UEFA ka gjobitur ekipin korçar pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, me një motiv sa ironik, aq edhe qesharak, pas kërkesës së folësit të stadiumit për të mbështetur vendasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.