Politika

“Çështja Tahiri”, Rama: Asnjë provë apo indicie për implikimin e Tahirit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sonte në mbrëmje në “Zonë e lirë”, se “asnjëherë dhe asnjë person, përfshirë edhe SHISH-in,  nuk i ka sjellë informacion zyrtar mbi asnjë lidhje të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me asnjë grup kriminal”.

Duke pranuar t’i përgjigjet pyetjeve mbi “çështjen Tahiri”, sipas formatit të moderatorit Arjan Cani në “Zonë e lirë”, Kryeministri Rama u shpreh se “në hetimin e  autoriteteve italiane, nuk ka asnjë provë apo indicie për implikimin e ministrit të Brendshëm, deri pardje”.

Në materialin e servirur në media, sipas Ramës, “është vetëm një muhabet rrugësh i dy kriminelëve që janë hetuar dhe janë në gjykatë në Itali”.

Përsa i takon akuzave ndaj Habilajve, Rama tha se “përsa i përket veprimtarisë së këtij grupi kriminal është hetuar dhe po gjykohet në një proces të serisë A (nga pala italiane), një proces thellësisht profesional”.

Lidhur me “çështjen Tahiri”,  Kryeministri Rama u shpreh se “nuk do të flas për asnjë aspekt të çështjes që ka lidhje me procesin që ka nisur, pas votimit në parlament”. “Në asnjë rast nuk hyj në proces. Për çfarë ka ndodhur deri në momentin e votimit jam dakord të flas. Për çfarë ndodh më prapa nuk është puna ime”, tha Rama.

I pyetur nëse i ka verifikuar akuzat e Zaganit për Saimir Tahirin, Kryeministri Rama tha se “kundër Zaganit kishte folur i pari ligji, sepse njerëzit nuk e dinë se ai ishte i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për dekonspirim të operacionit të policisë kundër një grupi trafikatësh”. “Zagani është dënuar për bashkëpunim me një grup trafikantësh. Është dënuar dhe ka folur pas dënimit”, tha Rama.

Të njëjtën gjë, Kryeministri konfirmoi edhe për akuzat e një tjetër oficeri policie, Nazeraj, ndaj Tahirit. “Një tjetër person në kërkim, Nazeraj, me vendim të gjykatës është i dënuar 2 vjet për mitmarrje. Edhe ky ka folur pasi e kanë zënë”, tha Rama.

I pyetur lidhur me shitjen e makinës Audi te Habilajt, Rama tha se i ka thënë Tahirit: “Pse s’thua që makinën e paske bërë ushqim për qentë që nuk po të ndahen”.

“Në momentin që ka dalë çështja në vitin 2015, kam dëgjuar të gjitha shpjegimet e Tahirit dhe i kemi miratuar idenë që kishte dhe e konsultoi direkt me mua, për të shkuar në prokurori dhe për tu vënë në dispozicion të hetimit. U hetua dhe nuk ka lidhje”, shtoi kryeministri.

Rama: Nuk duhet cënuar liria e mediave, por nuk mund të shkelen liritë e tjera në emër të saj

“Liria e mediave është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet cënuar, por njëkohësisht në emër të lirisë së medias nuk mund të shkelet përditë çdo liri tjetër”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, duke komentuar polemikat e krijuara së fundi, ku u pretendua se gazetarët u ofenduan nga kryeministri, gjatë një prononcimi për mediat.

“Një deformim masiv dhe intensiv iu bë të vërtetës për ditë me radhë, në një çështje ‘Tahiri’, ku publiku ka të drejtën legjitime që të informohet dhe të njihet, jo vetëm me opinionet e të gjitha palëve, por edhe me faktet dhe të vërtetat faktike dhe jo opinionale. Kjo nuk ka ndodhur”, u shpreh Rama.

Duke folur për rolin e medias në këtë çështje, Rama tha se “bindja ime është që media nuk është përçues pa asnjë koshiencë i çdo gjëje që hidhet në thashethemnajë”. Media, sipas tij, “ka detyrimin që ta shpëndajë sa më shumë mjegullën për opinionin publik, dhe jo që të jetë faktori kryesor në krijimin e mjegullës”.

Media, sipas kryeministrit, duhet të bëjë çmos që të vetëdijësohet që roli i saj është jetik për shoqërinë në një demokraci si e jona. “Njerëzit kanë nevojë të ndihmohen për të marrë informacionin dhe për të kuptuar çfarë ndodh. Unë kam një opinion të timin në një moment të caktuar, kur të më vijë do ta them”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button