KryeartikullOpinion

Azem Hajdari ishte me inteligjencë të ulët, nuk kishte ideal, nuk kishte asgjë prej heroi

Unë e kam njohur Azem Hajdarin. E kam takuar disa herë nëpër aktivitete të PD-së para vitit 1994. Por mua nuk më ngrohu asnjëherë si personazh. Dhe këtë nuk e them me asnjë lloj animoziteti. Sepse s’kam pasur kurrë asgjë personale kundër tij. Madje, në planin personal e human, në ato pak takime që kam bërë me të krejt rastësisht, më ka mbetur një shije e mirë. Ishte i gjallë, spontan, ekspansiv. Por përtej këtyre cilësive të zakonta, ishte e zorshme të shihje tek ai diçka që të mbetej në mendje. Për më tepër, ai nuk kishte asgjë, absolutisht asgjë, që të të bënte ta shihje si përfaqësuesin ekselent të një gjenerate, a të një kohe, a të një përmbysjeje. Nuk kishte në të asgjë prej heroi. Për mua, të paktën. Sepse heronjtë në kokën time nuk janë si Azemi. Heronjtë në kokën time janë e kundërta e Azemit. Dhe këtë nuk e them për të balancuar peshoren, që ka mbetur e ulur më njërën anë, nën peshën e lëvdatave të kota për Hajdarin. Jo, e them në mënyrën më të ftohtë e më të çinteresuar të mundshme, me idenë për t’i dhënë aq sa i takon.

Azem Hajdari ishte një njeri i zakonshëm. Shumë i zakonshëm. Me prerje e poza prej të forti. Me IQ të ulët. Mund të thuhet që kishte nuhatje politike, dhe kjo e ndihmoi që të spikaste, por nuk i vlejti për të bërë karrierë, dhe aq më mirë që ndodhi kështu. Azemi nuk e meritonte një zyrë shteti. Nuk ishte njeri për zyrë. Do kishte bërë shumë të pabëra, nëse do i kishin dhënë një përgjegjësi publike. E nëse nuk ia dhanë, këtë e kanë bërë edhe për të mirën e tij. Pa e pasur si qëllim të mirën e tij. Sepse Berisha, që e kish në dorë për t’i dhënë një përgjegjësi, e kishte si halë në sy. Dhe ish për këtë arsye që nuk ia dha një post, e jo sepse nuk e përfytyronte dot Azemin në një zyrë. Në fund të fundit, Azemi do ishte një zyrtar më i denjë se shumë të tjerë që Berisha i ka zgjedhur më pas për t’i patur vartës. Nuk e kishin për qëllim të mirën e tij, por ata që e kanë dashur dhe e duan Azemin si personazh të historisë, duhet të jenë të kënaqur që ai nuk mori një post publik. Nuk kish për të qullosur gjë. Madje, do kish katranosur gjithçka. E kështu, idhulli i tyre do të humbiste edhe më.

Por po i rikthehem edhe njëherë Azemit “të historisë”. Ai nuk ka për të mbetur në histori. Le t’i bëjnë edhe një mijë statuja, nëse duan! Madje, sa më shumë statuja t’i bëjnë, aq më shumë e nxjerrin prej historisë. Ose e bëjnë të regjistrohet në mënyrë qesharake në histori. Dhe në këtë drejtim japin një dorë edhe personazhe si Rama, Meta, Majko etj., të cilët, kushedi nën ç’kompleks a nën ç’llogari, i janë bashkuar rast e pa rast poezive idiotike të Berishës në adresë të Azemit. Dhe me këtë përpjekje të sforcuar të tyren e kanë fryrë tullumbacen e Azemit-hero. Mirëpo është thjesht një tullumbace, asgjë më shumë. Sepse Azem Hajdari ishte çdo gjë, por jo hero. Kush e trajton si një hero, tallet me të. Ose tallet me veten.

Azemi vetë nuk kishte ideal. Jo për ndonjë gjë, por ai as që e dinte se çfarë ishte një ideal. Nuk iu desh shumë kohë për të na e provuar këtë. Në harkun e dy viteve, ai u zhvlerësua. U braktis. U bë një njeri i pafuqishëm. E filloi të bëjë lëvizje të çakërdisura, të cilat i kishin hije më shumë sesa gjesti trimëror që bëri, bashkë me qindra të tjerë, në dhjetor të vitit 1990. E do kish humbur pa nam e nishan, nëse nuk do ndodhte viti 1997, në të cilin Berisha pati nevojë për të. Dhe e riafroi. Dhe e përdori. Dhe vijon ta përdorë edhe sot. Duke e bërë hero. Nëse Berisha do kishte patur mendim të mirë për Azemin, do kish rihapur gjyqin në mënyrë që t’ia pastronte biografinë prej sentencës së dhënë në një sallë gjyqi. Të gjithë kanë premtuar se do ta rihapnin atë gjyq, por nuk e bënë. Askush nuk tregoi as interesin më të vogël, as njerëzit e familjes, as njerëzit e partisë, as miqtë e tij. Dhe kështu, Azem Hajdari ka mbetur e do të mbetet në kujtesën juridike të shtetit shqiptar si një njeri që është vrarë për gjakmarrje. Dhe ky vendim i Gjykatës së shkallës së parë është konfirmuar edhe në shkallët e epërme të gjykimit. Ishin gjykata të kontrolluara nga të kuqtë? Ok, edhe mund të ketë qenë kështu. Por më pas, Berisha e të vetët, kanë ardhur e kanë qëndruar gjatë në pushtet. Çdo gjë bënë, por jo rigjykimin e asaj çështjeje. E kështu ne kemi sot një “hero” që është vrarë për gjakmarrje. Dhe nuk është hero si të gjithë heronjtë. Përkundrazi, matur me masën e bronzit të harxhuar për të, është më i madhi i heronjve. Është hero, për të cilin janë ngritur disa statuja e memoriale në Shqipëri. Për sa u takon statujave, ato janë më të mëdhatë, pas asaj të Skënderbeut, në këtë vend. Dhe mjafton ky fakt për ta butaforizuar krejt figurën e Azem Hajdarit.

Mirëpo, Berisha e Basha vijojnë lojën e tyre. E dinë që kjo është një lojë që askujt në Shqipëri nuk i intereson, e dinë që askush nuk ua vë veshin, por ata bëjnë të tyren. Se u duhet. I duhet Berishës, në fakt. Sa për Bashën, ky bën atë që di të bëjë mirë në këtë botë: shkon pas qejfeve e halleve të Berishës. Para dy ditësh, në Tropojë, me rastin e përurimit të njërës prej statujave, Basha i dha gaz makinës, dhe tha përveç të tjerash: “Azem Hajdari është nga brumi i atyre heronjve që me kalimin e kohës e tresin brenda emrit të tyre çdo epitet që mund të thuhet për ta. Azemi është uragani, është tribuni, është guximi, është trimëria, është frymëzimi, është liria, është shqiptaria…. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij…. Këtu në zemrat dhe mendjet tona Azem Hajdari vazhdon të na ndriçojë rrugën. Këtu në mendjet dhe në zemrat tona Azemi na flet sikur të ishte i gjallë. Sepse këtu është dhe do të mbetet i gjallë përherë”. Çdo mësues i klasës së tetë do t’i kish vënë një pesë me hatër për këto fraza.

Ndërsa Sali Berisha e filloi fjalën e tij duke iu drejtuar “madhërisë së tij, Princ Lekës”. Nuk është shaka. Është e vërtetë. E filloi fjalën e tij duke thënë: Madhëria juaj, princ Leka!!!! E pas kësaj, vijoi litaninë e tij për Hajdarin: “Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar atë që na dha nder neve më shumë se kushdo tjetër, që na dha dinjitet neve më shumë se kushdo tjetër, që u dha shqiptarëve nder dhe dinjitet kudo që ndodhen, më shumë se çdo burrë tjetër, çdo djalë tjetër, çdo bir tjetër, për të nderuar legjendën e lirisë së kombit tonë, Azem Hajdarin… 23 vjet më parë Azem Hajdari, biri i shquar i mbarë kombit shqiptar, do të shndërrohej në një kreshnik të vërtetë të maleve tona, do të shndërrohej në legjendën e vërtetë të guximit tuaj, do ngrihej si luan përballë mitrolozeve, autoblindave, dhëmbëve të diktaturës më të egër të Europës… Azem Hajdari përbën në historinë e këtij kombi personalitetin më të jashtëzakonshëm… sepse është i vetmi që jetoi si legjendë për trimërinë e tij, dhe legjendë mbeti në përjetësinë e tij. Jetoi si tribun në jetën e tij, tribun mbeti në përjetësinë e tij”.

Pas kësaj, të vjen të pyesësh: Ku do t’ia ngrenë statujën tjetër Azem Hajdarit?

Related Articles

Comente

  1. Jam dakord me zotin Nano, kur thote se Azemi ishte nje njeri eksprensiv, demostrativ, per tu dukur se ai ishte mi forti, duke treguar grushte e gjoks, ku duhej dhe ku zduhej. ishte egoist. prandaj dhe Berisha e kish nuatur mir karakterin e ti, sjelljet arogante te tij dhe e perjashtoi nga te gjitha funksjonet e PD.
    Por ajo qe ja ul vlerat, esht thirja qe bente kudo ku shkonte per shkaterimin e cdo gjeje qe ish ndertuar me mundin dhe djersen e popullit shqiptar. Duke mos par pasojat qe vinin nga kjo thirje,qytetaret ne fshat e qytet, u turen si vandal, shkateruan vodhen, dogjen uzina, fabrika, punishte dhe objekte ku punonin me qindraa mijra vete, ne qytete, Fshataret, ju turen plantacjoneve me peme frutore, blloqe te tera, me vreshta, ullij e portokale, deri dhe kanalet vaditese, rezervuaret e motopompat u shkateruan dhe tani ankohen pse takat u thahen per munges vaditje, plerat kimike jan te shtrenjta , se azotiku ne Fier dhe superposfati ne Lac qe ishin fabrika bashkekohore u kethyen ne skrap nga trafikantet,.
    Ja cfar katastrof ekonomike solli shkaterimi e cdo gjeje te ndetuar ne komunizem., nga thirja e Azemit dhe e Pashkos, ne vend qe ato te rueshin, kur te ndertoheshin me te mira te prisheshin. Prandaj Azemi sduhet ber simbol, Le te mbetej ne historisi nismetar
    i shembjes te komunizmit dhe asgje me shum..

  2. O muç, inteligjenca juaj si gazetar me nivel te ulet. Nuk kam koh te lexoj shkrimet e tua po per te njejten arsye.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button