Home / Bota / “Finlanda duhet të jetë vend anëtar i NATO-s”

“Finlanda duhet të jetë vend anëtar i NATO-s”

Për herë të parë në historinë e Finlandës, një kandidat për president thekson se shteti i tij duhet të jetë vend anëtar i NATO-s.

Nils Torvalds, i cili është kandidat për zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen më 28 janar të vitit 2018, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tregoi pse Finlanda duhet të jetë anëtare e NATO-s.

Duke folur për herë të parë për anëtarësimin e Finlandës në NATO, Torvalds tha se “Kanë ndryshuar dinamikat e sigurisë së Evropës. Në këtë kuadër, Finlanda duhet të jetë vend anëtar i NATO-s.”

Duke vënë në dukje se problemet e brendshme janë rritur me marrjen e detyrës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ai thotë se garantimi i sigurisë së ofruar nga SHBA-ja që nga Lufta e Dytë Botërore ka filluar të ulet.

“Duke marrë parasysh se në të ardhmen SHBA-ja do të jetë më pak aktive në Evropë, Evropa duhet t’i përmbushë përgjegjësitë e veta në fushën e sigurisë”, thekson Torvalds.

“Jam i shqetësuar për tendencën e Rusisë për të marrë vendime të gabuara”

Torvalds shprehet se marrja e një qëndrimi më agresiv të Rusisë, sidomos pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, nuk paraqet ndonjë kërcënim “në një të ardhme të afërt”.

“Unë jam i shqetësuar për tendencën e qeverisë së Rusisë e cila po bëhet më autoritare çdo ditë e më shumë, që përballë problemeve ekonomike të cilat janë në rritje do të marrë vendime të gabuara”, thotë Torvalds.

Torvalds shprehu mendimin se Rusia në një të ardhme të afërt do të ballafaqohet me probleme të mëdha ekonomike dhe pretendoi se eksportet ruse bazohen në naftë dhe gaz dhe se ulja e çmimeve të naftës do të ndikojë thellë në ekonominë ruse.

Finlanda e cila në periudhën e Bashkimit Sovjetik kishte marrëdhënie të afërta me qeverinë e Moskës, që nga Lufta e Dytë Botërore po zhvillon një politikë të jashtme “të paanshme”.

Në bazë të marrëveshjes të nënshkruar me Bashkimin Sovjetik në vitin 1948, të dy palët u zotuan se nuk do të marrin pjesë në ndonjë aleancë ushtarake kundër njëra-tjetrës. Në anën tjetër, në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, nuk ka ndonjë marrëveshje e cila detyron Finlandën të qëndrojë në statusin e “paanshmërisë”.

Finlanda e cila në vitin 1994 ka hyrë në misionet e “Partneritetit për Paqe” të NATO-s, ka marrëdhënie të ngushta me këtë mision. Bashkëpunimi NATO-Finlandë në njërën anë zhvillon aftësinë ushtarake të Finlandës, kurse në anën tjetër harmonizon aftësitë dhe forcat ushtarake të shtetit me infrastrukturën ushtarake të NATO-s.

Mirëpo Finlanda nuk mund të përfitojë nga pika e 5-të e NATO-s e cila ofron siguri për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s dhe nuk ka të drejtë fjale në mekanizmat e vendimmarrjes së kësaj organizate ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.