Home / Bota / Erdoğan: Linja hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars (BTK) do të rezultojë me rritje ekonomike

Erdoğan: Linja hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars (BTK) do të rezultojë me rritje ekonomike

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, lavdëroi faktin se solidariteti mes Turqisë dhe Azerbajxhanit vazhdon të bëhet më i fortë.

“Solidariteti mes Turqisë dhe Azerbajxhanit në fushën politike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore vazhdon të bëhet më i fortë”, tha Erdoğan, duke folur në një konferencë për media me homologun e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev, pas takimit të gjashtë të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Azerbajxhan në kryeqytetin Baku.

Erdoğan gjithashtu vlerësoi pozitivisht linjën hekurudhore që lidh Turqinë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, projektin Baku-Tbilisi-Kars (BTK), i cili u inagurua të hënën.

Projekti hekurudhor prej 826 kilometrash që lidh Bakun me provincën Kars në verilindje të Turqisë përmes Tbilisit, u lançua në vitin 2007, ndërsa ndërtimi filloi në vitin 2008.

Erdoğan tha se linja hekurudhore nuk do t’u shërbejë vetëm pasagjerëve, por gjithashtu do të ofrojë transport mallrash, gjë e cila, sipas tij, do të rezultojë me rritje ekonomike.

Ai theksoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe midis dy vendeve arrin në 1,6 miliardë dollarë, duke shtuar: “Besoj se së shpejti do të arrijmë në pesë miliardë dollarë”.

Ndërkaq, lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), Erdoğan tha se punimet e projektit janë duke vazhduar në mënyrë intensive. “Në një periudhë të shkurtër kohe, gazi i Azerbajxhanit do të fillojë të rrjedhë në Evropë”, shtoi ai.

Projekti TANAP synon të sjellë gazin natyror që prodhohet në fushën e gazit Shah Deniz-2 të Azerbajxhanit dhe zona të tjera të Detit Kaspik, kryesisht në Turqi, por edhe në Evropë, përmes Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).

Projekti është planifikuar të funksionalizohet deri në vitin 2018 me një kapacitet fillestar për të transportuar 16 miliardë metra kub të gazit të Azerbejxhanit përmes Gjeorgjisë për në Turqi. Teksa gjashtë miliardë metra kub do të përdoren për konsum të brendshëm të Turqisë, pjesa tjetër parashihet të transportohet në Greqi, Shqipëri dhe Itali dhe tutje në Evropë.

Nga ana tjetër, Aliyev tha se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Azerbajxhanit janë në nivelin “më të lartë”. “Nuk ka asnjë vend tjetër që mbështet njëri-tjetrin në këtë mënyrë,” shtoi ai. Sipas tij, konsensusi mes vendeve luan një rol “stabilizues” në rajon.

Lidhur me rajonin e pushtuar Karabak të Azerbajxhanit, Aliyev falënderoi homologun e tij Erdoğan për mbështetjen e Turqisë për integritetin territorial të vendit.

Aliyev tha se Azerbajxhani dhe qeveria nuk do të lejojnë “krijimin e një Armenie të dytë” në territorin historik.

Azerbajxhani dhe Armenia ngelen në mosmarrëveshje rreth rajonit të pushtuar të Karabakut. Karabaku u shkëput nga Azerbajxhani në vitin 1991 me mbështetje ushtarake armene, ndërsa ende ngelet të implementohet një proces për paqen.

Turqia ka riafirmuar se mosmarrëveshja duhet të zgjidhet brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Azerbajxhanit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: