Arte

Retrospektiva me filmat e Polanskit pritet me protesta në Paris

Grupet feministe franceze kanë organizuar protesta në Paris në natën e hapjes së retrospektivës me filmat e regjisorit Roman Polanski.

Në mediat sociale u paraqitën fotografi të protestuesve teksa mbanin pankarta dhe qëndronin jashtë institutit të filmit “Cinémathèque Française”, ku Polanski, 84-vjeçar, po ndiqte mbrëmjes e organizuar në nderim të tij, të hënën.

Në një video shihen protestueset tek thërrasin “Polanski, përdhunues” dhe godasin dritaret e “Cinémathèque Française”. “Associated Press” ka raportuar se në mesin e protestuesve, disa prej të cilave ishin gjysmë të zhveshura, ka pasur edhe pjesëtare të grupit feminist “Femen”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e NYT.

Polanski, i cili mban shtetësinë polake dhe atë franceze, është i kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas akuzave për abuzim seksual ndaj të miturve. U shpall fajtor për marrëdhënie seksuale të jashtëligjshme me Samantha Geimer më 1977, e cila në atë kohë ishte 13 vjeçe, por para se të dënohej iku në Francë, shtet që nuk i ekstradon shtetasit e vet.

Akuza të reja janë bërë ndaj tij këtë muaj, kur ish-aktorja Renate Langer e akuzoi për dhunim kur ajo ishte 15-vjeçare. Lander është gruaja e katërt që e akuzon publikisht Polanskin për sulm ndaj saj kur ajo ishte adoleshente. Para protestave, disa grupe për të drejtat e grave, përfshirë “Osez le Feminisme”, kanë kërkuar që retrospektiva të anulohet. Një peticion online i nënshkruar nga më shumë se 28 mijë qytetarë ka kritikuar kohën kur po organizohet ngjarja dedikuar Polanskit, duke përmendur se kjo është një periudhë kur dolën në pah akuzat kundër producentit të Hollywoodit, Harvey Weinstein, dhe fushatën e radhës në media sociale që ngre çështjen e abuzimeve seksuale.

“E kam filluar peticionin sepse nuk mund të duroj më mosndëshkimin e njerëzve të famshëm”, ka thënë aktivistja Laure Salmona. “Në Francë kemi probleme me burra që kryejnë dhunë seksuale, por njerëzit e famshëm mund të akuzohen nga gratë dhe më pas të lirohen prej fajit”, ka shtuar ajo.

Costa-Gavras, regjisor dhe njëherësh drejtor i “Cinémathèque”, përmes një komunikate ka thënë se nuk është detyra e institutit të luajë rolin e arbitrit të moralit dhe i hodhi poshtë kundërshtimet ndaj programit duke i cilësuar ato si censurë.

“Ne nuk kemi çmime ose certifikata për sjelle të mirë”, ka thënë ai. “Ambicia jonë është tjetër: të shpalosim tërë punën e filmbërësve dhe t’i vendosim ata në historinë permanente të ‘Cinémathèque’”, ka shtuar ai.

Polanski, filmat e të cilit përfshijnë “Chinatown” dhe “Rosemary’s Baby”, në vitin 2003 ka fituar çmimin “Oscar” për regjinë me të mirë me filmin “The Pianist”. Në janar Polanski ka qenë i ftuar që të jetë nikoqir i “Cesar Awards”, që janë çmime franceze ekuivalente me “Oscar”, por pas shpërthimit të protestave e anuloi pjesëmarrjen.

Salmona ka thënë se peticioni dhe protestat kishin të bënin me mesazhin që retrospektiva ka dërguar, duke shtuar se ka qenë e mundur që të ndahen krimet e Polanskit me veprat e tij filmike pa e vënë atë në qendër të vëmendjes.

“Nuk mund të vazhdojmë të lavdërojmë përdhunuesit. Edhe nëse janë regjisorët më të mirë apo edhe nëse janë të talentuar”, ka thënë ajo.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button