Politika

Senida Mesi-Rasim Ljajic: Me Serbinë duhet një axhendë konkrete shkëmbimesh në fusha të ndryshme

Integrimi drejt Bashkimit Evropian është një mision i përbashkët i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kështu deklaroi Zv/Kryeministrja, Senida Mesi, në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, organizuar dje në Budva të Malit të Zi nga Dhoma e Ekonomisë së këtij vendi dhe qeveria malazeze.

Në panelin e diskutimit të kësaj konference ku ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, gjatë fjalës së saj, zv/Kryeministrja Mesi nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe sinergjisë, pavarësisht sfidave të ndryshme që mund të ketë secili shtet i Ballkanit Perëndimor.

Ajo shprehu bindjen se bashkërendimi i strategjive të vendeve të rajonit ngelet një domosdoshmëri për sinkronizimin e nevojave të qytetarëve dhe sipërmarrjes. Brenda këtij kuadri, Mesi tregoi progresin e çmueshëm që Shqipëria ka bërë dhe nënvizoi faktin se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në plotësimin e çdo prioriteti për arritjen e këtij synimi madhor.

Gjatë ditës së Konferencës Ekonomike, zv/Kryeministrja Mesi zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me kryeministrin e Malit të Zi, Duško Marković dhe zv/Kryeministrin e Serbisë, Rasim Ljajic.

Në takimin e zhvilluar me kryeministrin malazez, zv/kryeministrja Mesi shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të rekordeve pozitive në aspektin politik e diplomatik, si dhe theksoi vendosmërinë e palës shqiptare për të rritur dhe thelluar bashkëpunimin në ekonomi dhe tregti.

Me homologun serb Ljajic, zv/Kryeministrja Mesi diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe progresin e tyre falë mirëkuptimit të përbashkët, si edhe theksoi nevojën e një axhende konkrete shkëmbimesh në fusha të ndryshme si tregtia, turizmi, energjia, transporti etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button