Politika

Raporti anti-hashash, Minniti: Misioni i suksesshëm, të godasim të paprekshmit

Ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në Tiranë. Zyrtari i lartë u takua fillimisht me homologun e tij shqiptar Fatmir Xhafaj dhe më pas me Presidentin e Republikës Ilir Meta.

Ndërkohë, Guardia di Finanza bëri me dije rezultatet e “Misionit të monitorimit ajror 2017 në luftën anti-kanabis”. Raporti u publikua nga Stefano Skrepanti, shef i repartit të tretë të Guardia Di Finanzas, i cili theksoi se veprimtari intensive ka çuar në një reduktim të kultivimit të kanabisit.

“Këtë vit kemi pasur një rritje me 40% të shpërfaqjes së monitoruar krahasuar me një vit më parë. Është monitoruar 23.77% e sipërfaqes totale të Shqipërisë. Kjo veprimtari intensive ka çuar në një reduktim të kultivimit të kanabisit. Një bashkëpunim shumë i vlefshëm është ai me autoritetet shqiptare, të cilat na garantojnë një shkëmbim të përditshëm në tokë dhe në det”, tha në fjalën e tij Skrepanti.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti vlerësoi maksimalisht operacionet anti-kanabis, ndërsa tha se “duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm”.

“Shpreh përgëzimet e mija për kolegun tim shqiptar, i cili ka organizuar një takim kaq të rëndësishëm, i cili sinjalizon shëndetin e shkëlqye të bashkëpunimit tonë. Një marrëdhënie që ka lindur para shumë vitesh, ka parë të bëhen vetëm hapa para. Sot na dorëzon një bashkëpunim të rëndësishëm në fushën e sigurisë, kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar. Guardia Di Finanza ka kryer një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë e falenderoj. Bashkëpunimi ka çuar në rezultate të jashtëzakonshme. Ne kemi përballë një operacion të suksesshëm, që prej vitit 2013-2017 kemi parë një rritje progresive edhe të rezultateve dhe sido qoftë në momentin që theksojmë se kemi të bëjmë me operacion suksesi unë nënvizoj: Operacionet e suksesshme duken në kohë, këto rezultate duhet t’i mbajnë edhe në vitet e ardhshme. Në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë objektiv strategjik do të keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane. Ne duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm, për këtë objektivë duhet të punojmë së bashku. Në këtë projekt dhe objektiva është angazhuar i gjithë sistemi italian që kanë bashkëpunuar me Shqipërinë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat. Ky raport, kjo marrëdhënie përfshihet në një marrëdhënie edhe më të gjerë mes Shqipërisë, Europës dhe vendeve të Ballkanit”, tha ministri i Brendshëm i Italisë.

“Ne ia dolëm, pavarësisht mosbesuese dhe kritikëve”, tha ministri Xhafaj, i cili tha më tej se kërkon që monitorimi dhe bashkëpunimi me palën italiane të vazhdojë pavarësisht rezultateve.

“Kemi deklaruar se 2017 do të ishte fundi i një historie të gjatë të kultivimit të kanabisit. Të shumtë ishin mosbesuesit, kishte cinike, tallës dhe zhurmues. Me gjithë lumin e akuzave, ne zgjodhëm heshtjen, heshtjen e njerëzve që punojnë me përkushtim. Sakrifica dhe përkushtimi i njerëzve të ndershëm sot foli. Sot, unë ju them se ne ja dolën në këtë fazë të parë të këtij procesi. Falenderoj të gjithë atë që besuan tek unë dhe te qeveria. Lazarati, Dukagjini, Lumi i Vlorës, sot bastionet e krimit i përkasin të shkuarës. Ne kërkojmë që monitorimi nga ajri të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe në vazhdim, pavarësisht rezultateve shumë të mira”, tha ministri i Brendshëm Xhafaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button