Politika

Në pritje të Papa Françeskut

papaKur kanë mbetur pak orë nga nisja e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri, në aeroportin “Nënë Tereza”, ku ati i shenjtë do të ketë kontaktin e parë me vendin tonë, gjithçka është gati. Në një kohë rekord ajo që njihet si salla VIP është rikonstruktuar tërësisht.

Avioni i Papës pritet të mbërrijë rreth orës 09:00. Por çfarë pritet të ndodhë më tej? Më shumë informacione jep drejtori i Zyrës së Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

“Ati i shenjtë do pritet në Rinas nga kryeministri Rama, ministri i Jashtëm Bushati, ministrja Kumbaro dhe përfaqësues të Nunciaturës dhe Kishës Katolike. Pastaj kryeministri Rama dhe ati i shenjtë do futen në ekspozitën ‘Marubi’, ku do të diskutojnë kokë më kokë. Ky takim parashikohet të zgjasë 10-15 minuta dhe më pas ati i shenjtë me delegacionin e tij do të largohet drejt Tiranës, për në pallatin presidencial”, tregon Fuga për Top Channel.

Çdo orë, çdo minutë vijon të jetë në funksion përgatitjeje të kësaj vizite. Rruga që do të përshkruaj kreu i katolicizmit botëror nga Rinasi në drejtim të Tiranës është dekoruar tërësisht me pemë të mbjella në të dyja anët. Ndërsa ajo që njihet si Kodra e Qafë Kasharit po punohet për ta kthyer në një lulishte.

Ndërkohë, edhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit po punohet për t’u mundësuar sa më shumë besimtarëve që të ndjekin meshën e shenjtë të Papa Françeskut.

“Kemi marrë masat për të vendosur ekrane dhe qendër zëri përgjatë gjithë bulevardit, në mënyrë që njerëzit që do të vijnë në shesh të kenë mundësi të ndjekin nga afër meshën dhe ta mirëpresin atin e shenjtë gjatë parakalimit në bulevard”, tregon organizatorja e punimeve.

Pelegrinët, që pritet të jenë rreth 500 mijë, kanë nisur të mbërrijnë në bulevardin qëndror që mbrëmjen e së Shtunës.

Kumbaro: Organizimi i një vizite kaq të rëndësishme, shumë i vështirë

Nga salla e medias në terminalin VIP të aeroportit të Rinasit, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëkohësisht kryetare e Komisionit Shtetëtor për këtë vizitë, tha se nuk ka qenë e lehtë për të organizuar një vizitë të kësaj përmase, por mobilizimi ka bërë të mundur që përgatitjet të mishërojnë dy arsyet përse Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë.

“Ishte ky mobilizim i fuqishëm edhe për të përkthyer dy mesazhet e Papës për vizitën në Shqipëri. Në kujtim të vuajtjeve të këtij populli, që barbarisht ju hoq për 40 vjet liria e besimit dhe për të përshëndetur këtë vend, i cili diversitetin ndërfetar e jeton paqësisht, duke dhënë një shembull të shkëlqyer se mund të jemi bashkë edhe pse jemi të ndryshëm. Falenderoj Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe komunikimin në interes të vendit dhe për realizimin e angazhimeve reciproke, duke treguar se Shqipëria ka potencial për t’u marrë vesh edhe kur jemi në kampe të ndryshme”, deklaroi Kumbaro

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button