Home / Arte / Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtari Kasëm Trebeshina

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtari Kasëm Trebeshina

Shkrimtari i njohur shqiptar Kasëm Trebeshina është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare ditën e djeshme në Turqi. Prej kohësh Trebeshina jetonte në Ankara të Turqisë në shtëpinë e vajzës së tij. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur sot në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit tek varrezat e Tiranës.

Jeta dhe veprat e Kasëm Trebeshinës

Kasëm Trebeshina, i lindur në Berat më 8 gusht 1926, është shkrimtar i njohur shqiptar.

Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe.

Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve.

Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë: ”Stina e stinëve”, 1991; Mekami, melodi turke, 1994; ”Historia e atyre që s’janë”, dramë, 1995, ”Tregtari i skeleteve”, 2006, ”Këngë për Kosovën”, 2007, ”Shtigjet e shekujve”, 2007 dhe në Tiranë: ”Legjenda e asaj që iku” (ribotim i Stina e stinëve), 1992; ”Koha tani, vendi këtu”, 1992; ”Qezari niset për në luftë”, 1993; ”Rruga e Golgotës”, 1993; ”Lirika dhe satirë” 1994: ”Hijet e shekujve”, 1996;” Ëndrra dhe hije” drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Pjesa më e madhe e veprës së Trebeshinës është në dorëshkrim, numër që mendohet të arrijë deri në 140 dorëshkrime, përmbledhje poezish, tregime, novela, romane, drama, komedi, tragjikomedi, shkrime kritike, eseistike dhe publicistike. Që në vitet ’50, ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat qe botoheshin në atë kohë.

“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”.

Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë si përsa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.