Home / Politika / Hahn: BE strategji për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor

Hahn: BE strategji për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor

Në lidhje me të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se do të ketë një strategji për këtë proces.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti sot në një takim komisionerin evropian, Hahn. Në përfundim të takimit, u mbajt një konferencë e përbashkët për mediat, ku Rama theksoi se Shqipëria është në kushtet që meriton të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Komisioneri Han vizitë në Shqipëri, merr pjesë në konferencën me temë “Ditët e Medias, BE-Ballkani Perëndimor”

“Ndamë me komisionerin, qoftë objektivat dhe ambicien tonë, qoftë edhe hapat që ne kemi planifikuar të bëjmë për t’ia dalë me sukses, përmes task forcës speciale të policisë për luftën kundër krimit të organizuar. Sot jemi në kushtet kur nga njëra anë mund të themi që Shqipëria meriton të hapë negociatat përsa na takon, dhe nga ana tjetër pavarësisht se si procesi do të zhvillohet ne do të vazhdojmë të konsolidojmë pozicionin tonë lidhur me këtë aspiratë të të gjithë shqiptarëve. Nga ana tjetër ne jemi shumë të inkurajuar edhe për rrjedhën e procesit të Berlinit, që tregon në mënyrë të vijueshme dobinë e tij dhe na jep mundësi të reja të ndërveprimit dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të modernizimit dhe evropianizimit të vendit tonë dhe të gjitha vendeve së bashku, tha kryeministri Rama.

Ndërsa Hahn u shpreh se Shqipëria ka bërë progres, përsa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikut të drogës si dhe për uljen numrit të azilkërkuesve në BE. “Kur flasim për procesin e negociatave çdo gjë është e bazuar tek merita që do të thotë, se duke qenë bazuar tek merita, ne bazohemi tek faktet dhe vetëm tek këto mbështetemi dhe jo në aludime. Pra vlerësimi ynë varet nga evidencat, provat dhe vlerësimet. Është gjë e mirë që themi që shikojmë se cili është realiteti, por është e rëndësishme që ne të arrijmë tek qytetarët dhe të flasim për ecurinë, progresin që ka bërë Shqipëria. Është e rëndësishme që ne të merremi me to, të përballemi me to dhe kjo na bashkon ne në përpjekjet e përbashkëta për të pasur ecurinë e duhur për të bërë progres”, theksoi Hahn.

Ai ka shtuar se në lidhje me të ardhmen evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të ketë një strategji. “Për herë të parë pas 15 vjetësh do të ketë edhe një Samit të Ballkanit Perëndimor nga presidenca bullgare në maj të vitit 2018. Kjo tregon qartë angazhimin e BE-së në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne mund të punojmë, jo vetëm për rezultate konkrete, por edhe për të arritur diçka në lidhje me çeljen e negociatave. Ky është synimi dhe objektivi ynë”, theksoi komisioneri evropian.

Hahn, po qëndron për një vizitë dyditore në Shqipëri, në kuadër të konferencës me temë “Ditët e Medias, BE – Ballkani Perëndimor”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.