Home / Kronika / Arrestohet gjyqtari Shkëlqim Miri, iu gjetën në banesë rreth 174.810 euro, 10,149,000 lekë dhe 1,000 USD

Arrestohet gjyqtari Shkëlqim Miri, iu gjetën në banesë rreth 174.810 euro, 10,149,000 lekë dhe 1,000 USD

Gjyqtari i Apelit në Tiranë, Shkëlqim Miri është ndaluar orët e mbrëmjes së djeshme  nga Policia e Tiranës, pas një hetimi 1-vjeçar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Siç mësohet nga policia, rreth orës 23:30 të së enjtes, Sektori për Hetimin e Korrupsionin në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Një vrasje e dytë”.

Në këtë operacion u ndalua shtetasi Shkëlqim Miri, 46 vjeç, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e ka deklaruar fajtor autorin dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu. Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.

Në kontrollin e banesës me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kundra-ligjore. Gjyqtari, pritet të dalë para gjykatës për të mësuar nëse do gjykohet nën masën arrestit me burg apo nëse gjykata do të vendos ta gjykojë nën një masë tjetër sigurie.

Burime të ATSH-së saktësojnë se ndaj gjyqtarit ka një hetim të nisur prej një viti nga prokuroria. Dyshimet lidhen me çështjen e Gentian Dodas, të ekstraduar nga SHBA dhe të akuzuar si vrasës të dy personave, Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka-s. Organi akuzës dyshon se paratë e gjetura në banesën e Mirit janë marrë nga gjyqtari në këmbim të favorit, për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjes së ndodhur në Burrel, në vitin 1997.  Nga hetimi proaktiv nga Krimi Ekonomik dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka dyshime se gjyqtari ka marrë lekë për këtë ndryshim akuze, nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje. Shtetasi i akuzuar quhet Gentian Doda, i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në SHBA. Shtetasi Gentian Doda njihet si “kundërshtar” i familjes ‘Dedja’.

Konkretisht, në korrik të vitit 2016, prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Dodan, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Miri, ka qenë anëtar i KLD-së deri në vitin 2012-të dhe më herët gjyqtar i Apelit në Durrës (para 2010).

Leave a Reply

Your email address will not be published.