Politika

Ishte pjesë e paktit Rama-Basha, PS kërkon shkarkimin e kryetarit të KQZ: Shkeli ligjin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar shkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Ballës, shkarkimi i Klement Zgurit kërkohet për shkak të çështjes së kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj, për të cilin prokurori kërkoi heqjen e mandatit për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Disa ditë më parë, KQZ nuk i hoqi mandatit kryebashkiakut Kapllanaj. Kreu i grupit të PS Taulant Balla thotë se kryetari i KQZ Klement Zguri nuk shqyrtoi në vendimin e Prokurorisë duke shkelur ligjin.

Kujtojmë që Zguri u zgjodh në krye të KQZ, pas marrëveshjes Rama-Basha.

Deklarata e Ballës

Asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë. Është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjatë këtyre ditëve mbarë opinioni publik është njohur me faktin se edhe pse Prokuroria dhe Gjykata italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”…” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn.

Jemi në kushtet kur është mëse e qartë se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të. Shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë çështjes në fjalë nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij. Duhej të ishte Komisioni si organ kolegjial dhe jo Kryetari si individ struktura që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë.

Vendimi individual i Klement Zguri, për të mos e thirrur mbledhjen e KQZ dhe për ta arkivuar vendimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pranon literalisht se subjekti deklarues Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” është marrje e kompetencës kolegjiale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në kundërshtim flagrant me nenin 5, pika 4, gërma “a”; nenin 10; nenin 15, pikat 3 e 4 të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”  dhe Kreun III, pikat 12, 13, e 14 të Vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në Ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button