Kryeartikull

Fashizmi i Vetonit dhe “raca drenicake”

Para se të thuash diçka për Veton Surroin duhet ta matësh mirë, ngase nuk ke të bësh me një individ, por me një grup të madh ku bëjnë pjesë segmente të shoqërisë civile, portale, televizione dhe ithtarë që kur të linçojnë, kërcënojnë pa të ndodhur diçka nuk bën. Ai, i mbrojtur nga gjithë ky aparat mund të bëjë çka të dojë – edhe fashist mund të bëhet, pasi si lider i paracaktuar nga orakujt e zoti si ashtu s’gabon kurrë.

Koha Ditore dhe KohaVision me asistencë të disa figurave të afërta me grupin nga shoqëria civile e trajtuan valën e kërcënimeve që iu bënë pronarit dhe liderit frymor të tyre Veton Surroi, pas talljes së tij me Drenicën, posa morri vesh se atje do të ndërtohet stadiumi kombëtar. Me “ironi” tha se le të dërgojnë atje edhe Teatrin Kombëtar, Operën. Pse po apo jo, natyrisht nuk e tha as kur shkroi kolumnën si mbrojtje ndaj atyre që e quajtën tradhtar. Në atë tekst thirrej në të drejtën për të thënë gjithçka pa pasur frikën se do të linçohet publikisht. Apel që e nënshkruaj me dy duar; ngase pikërisht nga mediat e tij u sulmova unë ta kem linçuar edhe pse unë dhashë një mendim për të, pa apeluar për asgjë.

Pas hulumtimeve të djersitshme, të mundimshme, në terren e pa gjumë, “gazetarët hulumtues të shefit” bashkë me “ekspertët” e shoqërisë civile, më në fund, siç u prit e zbuluan se kush ishte shkaktarja e gjithë atyre kërcënimeve virtuale. Kush tjetër përpos meje: Arbana Xharra! Thanë se më kanë kërkuar për deklaratë, dhe se nuk kam pranuar të flas, por që nuk qëndron. Paskan pyetur PDK- në, pse unë pronë e partisë qenkam që duhet ta pyesësh Komitetin Qendror kur them diçka në murin tim privat të FB-së?

Pra gjithë kjo ndodhi pasi shkrova një status në murin tim privat në Facebook, ku shpërthimin “ironik” të shefit të tyre e kualifikova me nuanca fashiste dhe si racizëm primitiv dhe të ulët karshi një rajoni – duke potencuar këtë se nuk është rezultat i një “mllefi çasti”, por se ajo rezulton të jetë harta mentale e autorit tash e gati një dekadë.

Bëra edhe unë si të njëjtët që vepruan kurrë unë aderova në PDK?

Koha Vizion jo vetëm që sajoi një emisionin 11 minutash kur aderova në PDK, duke më demonizuar sikur të isha shtriga e provincës, për më shumë ishin edhe gazetarët e saj, njerëzit që shkruajnë e punojnë aty, ata që për javë me radhë më fyen, poshtëruan, linçuan (vërtet linçuan jo vetëm të jepshin mendim se gabova) pse mora një vendim privat, personal.

Ishin këta shkaku, burimi i mijëra kërcënimeve ndaj meje dhe sulmit fizik që më ndodhi? Nuk e di. Policia ende nuk ka rezultate konkrete. Ishin këta shkaktarët që shtynë ata që më vizatuan kryqa para derës së banesës dhe qe më vite më kërcënojnë fëmijët e gjithçka? Jo. Nuk besoj. Janë fanatikë politikë e religjiozë – kjo dihet. Të llojit që tash janë strehuar në një parti nënlëkurshëm e përafërt në qëndrime me “shefin gjenial”.

Gjersa mua linçimet më erdhën nga Truqia e Erdoganit, Mediat dhe politika serbe, Sali Berisha i tërbuar me “agjentët e tij dixhital”, falangat fashiste fetaro-totatlitare të partive i që kanë strehuar, kërcënimet Veton Surroit i vijnë nga drenicakët, të cilët qenkan ndier të fyer me talljen e tij.

Dhe këtë dallim esencial duhet ta kuptojnë ish -kolegët e mi që ende punojnë për “shefin gjeni, të bërë nga natyra e Zoti për president, por ja që “katundarët e Drenicës” ia paskan zënë udhën.

Përtej këtij rrëfimi hyrës, vërtet a e kam tepruar me mendimin tim Vetoni Surroi të rrëshqasë racizmit, fashizmit e fyerjes saherë të përballet me kodin fatal për të: DRENICA?

Çështja është më e komplikuar, ngase duhet edhe më shumë thellim për të qartësuar se a vjen fashizmi i Veton Surroit ndaj Drenicës nga mendjemadhësia e tij apo nga mungesa e guximit intelektual e njerëzor për t’i sulmuar përherë ata që i urren personalisht e mos të fshihet pas kodit, emrit të rajonit.

II.

Ende në rrjetet sociale qarkullojnë artikujt e tij të shkruar në “Rilindjen” e kohës së shokut Tito kundër diasporës shqiptare që protestonte para OKB-së në Gjenevë, e cila, sipas autorit, ishte e padijshme dhe një turmë pa relevencë përfaqësuese të popullit; gjithandej lexojmë dhjetëra artikuj kundër përfaqësuesve të atëhershëm si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe tjerët të cilët i portretonte si të padijshëm të paaftë, kot fare gjithandej perëndimit e mediave të mëdha të huaja; sapo Delli dhe Hashim Thaçi nuk pranuan ta bëjnë president dhe Rugova vdiq me të njëjtën gjuhë e stil, kësaj radhe jo si i intervistuar i BBC-së por nga mediat që i bëri të vetat e të cilat u financuan nga amerikanët e perëndimi, fjalimin e tij historik, të së njëjtës përmbajtje e stil, e vazhdoi kundër kundërshtarëve të rinj.

Të gjithë ata që e kanë lexuar përherë, me pasion dhe me kujdes – si unë – do ta vërejnë një element konstant si qëndrim të përhershëm ndaj tjerëve: të paaftë, të padijshëm, katundarë, pa përvojë në politikë e për pushtet e për të qenë liderë. Të vetmet sekuenca heshtjeje ose madje përkrahjeje të politikave të caktuara i ndodhin kur është edhe vetë i involvuar ose kur shpreson se do ta inkuadrojnë për diçka.

Kjo është edhe forma semantike kryesore e Veton Surroit nëpërmjet së cilës edhe mobilizon ithtarët e tij sidomos brenda shoqërisë civile dhe e cila futur brenda skemës teorike të njërit nga emrat më të mëdhenj të teorisë mbi fashizmin siç është profesori i emerituar i Columbias së NY Robert O. Paxton,atëherë skeleti i kësaj mendësie – që ai e quan bërthamën e çdo fashizmi – është ky (Kapitulli i fundit tek Anatomia e Fashizmit): shoqëria në krizë të padurueshme – kjo ndodhë për shkak se në krye të proceseve nuk gjendet grupi i predestinuar dhe i përgatitur intelektualisht – besimi se ky grup është viktima e kohës – bindja se duhet të përdorur gjitha format e mundshme të veprimit për ta nxjerrë këtë grup sërish në krye – frika nga përhumbja e grupit deri në parëndësi totale – besimi se një shoqëri moralisht e pastër mund të vijë vetëm kur ky grup sundon – ky grup i cili udhëhiqet nga një lider me autoritet, traditë (gjenealogji) politike dhe dije dhe i cili mund ta shpëtojë grupin – e shpëton ngase edhe instinktet e tij janë më inteligjente se ato të turmave në tërësi dhe kritere të këtij drejtimi.

E cili na qenka grupi viktimë, me liderin e lënë jashtë margjinave, i paracaktuar nga fati, moti e Zoti për të prirë që shkoi pa i realizuar ëndrrat? Këtë e kupton e deshifron çdo njeri që di të lexojë drejtë. Nisur

nga kjo njohje imja e Veton Surroit e quajta fashist dhe ndoshta nuk e teprova as me racizmin kur kam parasysh se po lexuam si duhet librat e fundit të Surroit “drenicakët” vërtetë na dalin racë e veçantë.

III.

Nuk e kuptojnë këtë simptomatik dëmtuese si për zanatin e gazetarisë ashtu edhe për vetë njerëzit që punojnë në mediat e Surroit, ata, ish kolegët e mi? E kuptojnë dhe e ushtrojnë me qëllim – për ta sëmurë më shumë në favor të karrierës së tyre apo për diçka tjetër? Ngase Veton Surroi gjatë pjekurimit të tij ndoshta edhe i kishte ikur kësaj mendësie të rehabilitimit permanent të të parëve dhe vetes së predestinuar nga Zoti të jetë njëshi dhe ndoshta u kishte ndihmuar sidomos mediave që mos jenë vetë fabrikat e linçimit siç u bënë të tijat ndaj meje (për këtë i kisha preferuar të lexojë një tekst fenomenal të ish kryeredaktorit të tij Baton Haxhiu me titullin “Pesha e kryqit tonë medial” ndoshta mëson diçka) dhe tjerëve që s’janë me shefin e tyre; ndoshta edhe ai i kishte ikur kësaj paranoje e nuk do të ishte më i izoluar në një rreth mediabërësish e gazetarësh që në vend të përshëndetjes kanë passë ordin: “shef ti jeni gjeni; më i mençuri; bën çka të duash se ne jetën e japim shefin nuk e japim”. Në vend se të bëjnë storje apologji në mbrojtje të shefit saherë që ai rrëshqet nga mllefi i mosrealizimit të vetes ashtu siç ia paska përcaktuar orakulli i Delfit, më mirë do të bënin nëse i thoni drejt e në sy se e ka gabim dhe dëmton veten, ata mediat dhe vetë shoqërinë me këto standarde gati skizofrene.

Po të vepronin kështu nuk do ta quanin mendimin tim për sjelljen e tij si linçim publik por si qëndrim timin të hapur, me guxim për t’i quajtur sjelljet e tjerëve ashtu siç janë fashiste, kur i lexoj të tilla apo gjeniale nëse vërtet i perceptoj si të tilla. Linçim nuk është kualifikimi i shprehjeve të dikujt si të këqija, por thirrjet si “prostitutë politike që mirë ia bëjnë nëse e rrahin” e të llojit. Unë nuk kërkova ndëshkimin as fizik as ligjor e asgjë tjetër për Vetonin por vetëm interpretova sjelljen e tij ashtu siç u lexua jo vetëm nga unë por nga shumë. Madje unë kam abstenuar shpesh dhe nuk e quajta fashist atëherë kur menjëherë pas luftës shpalli gjithë kosovarët fashistë ngase individë të caktuar sulmonin serbët si hakmarrje për tokën, shtëpitë dhe kafshët e tyre të djegura. As librat nuk ia dogja kur njerëzit e UÇK-së të revoltuar për paushalizimin e tyre ia digjnin librat. Apo mos ia kam nisur që atëherë të jem shkaku i gjitha sulmeve ndaj tij? Jo. Që atë e sulmon Drenica dhe gjithë jashtë grupit të tij (sipas Paxton-it) është veprimtaria e tij që burimin e ka tek mllefi personal pse nuk u bë i pari i katundit.

IV.

Të jemi të qartë: Kërcënimet dhe linçimet publike janë forma më kancerogjene e çdo mentaliteti. Në kushtet shqiptare kërcënimet e kësaj kategorie qëmoti kanë braktisur tashmë zonat virtuale dhe veprojnë garazheve, kafeneve, rrugicave, gjithandej ku sulmohen, rrahën dhe përdhunohen njerëz për shkak të veprimtarisë së tyre publike. Edhe pse policia kosovare deri tani nuk i ka zbuluar sulmuesit e shumtë opinioni megjithatë i dinë adresar se nga vijnë ata, janë falanga të klaneve të korrupsionit, janë militant të partive me pretendime totalitaro-fashiste dhe atyre fanatike fetare. Nuk janë pra as drenicakë, shaljan apo dukagjinas e hasjanë, por origjinën e kanë pikërisht nga kuzhinat e fashizmave që i përshkruam më lartë, të cilët ndoshta nuk e bëjnë me vetëdije e dëshirë (ngase motivi është triumfi i grupit me çdo kush pa menduar në afektet) atë që u del. Ne duhet të bëjmë çmos që kërcënime dhe linçime mos të ketë madje as ndaj fashistëve pasi duam shtet ligjor. Po kaq refuzueshëm si ndaj kërcënimeve të turmave që besojnë se me lynchmob do t’ia mbyllin gojën dikujt duhet të sillemi edhe ndaj fashizmave, racizmit, mizogjinisë, readikalizmave qofshin ato me bazë religjioze apo ideologjish tjera totalitare. Reagimin duhet ta bëjmë gjithmonë, edhe atëherë kur atyre ujërave rrëshqet Veton Surroi, ndonjë shef yni gjenial e profetik apo dikush tjetër.

Tash mund t’ia nisni ndonjë emisioni tjetër. Telefonin tim ua dërgoj në e-mail të redaksisë po deshët që kësaj radhe vërtet të më kontakton “

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button