Home / Ekonomia / Merr fund historia e bizneseve me dy bilance

Merr fund historia e bizneseve me dy bilance

-“Historia e bizneseve me dy bilance do të marrë fund”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një takim me bankat për rritjen ekonomike në Shqipëri.

“Duke filluar nga 2018 shteti shqiptar, qeveria, administrata tatimore, nuk do të njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që raportojnë tek bankat. Historia me dy bilance, me biznese që raportojnë sa shumë kanë kur vijnë tek banka dhe sa pak kanë kur vijnë tek shteti, duhet të marrë fund. Tatimet e Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër përveç se atij që paraqesin tek bankat”, tha Rama.

Sot, u shpreh kryeministri, “kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që deklarojnë se 42% e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri dhe inxhinierë. Pra kemi të bëjmë me shmangie të detyrimeve të punonjësve, duke i dhënë rrogën nën dorë, duke i kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin dhe duke bërë një dëm të drejtpërdrejtë për shtetin”.

Rama: Deklaratat e Bashës për projektin “1 miliardë për ndërtim”, qesharake

Kryeministri Rama reagoi edhe ndaj deklaratave të kreut të Partisë demokratike, Lulzim Basha, i cili është shprehur se projekti “1 miliardë për ndërtim” është pastrim i parave të kanabisit.

“Nëse ka një sistem ku ekonomia informale nuk ka shans të penetrojë, ky është sistemi bankar. Dhe nëse ka një sistem për t’u marrë shembull nga qëndrueshmëria e shëndetshme në raport me ligjin dhe transparencën sa i përket burimeve të fitimit, ky është sistemi bankar”, tha Rama.

“E them këtë se dje dëgjova që pr/buxheti 2018 duhet të administrohet nga FBI, DEA si një dokument që dëshmon se programi ynë “1 miliardë për ndërtim” është në duart e krimit. Tani ju që jeni këtu jeni në duart e krimit. Madje jo vetëm ju që jeni pa kufje, por edhe ata që janë me kufje. Është të qeshësh pasi këto deklarata janë të dëmshme për konsumatorin. I them të gjithë atyre që janë të detyruar t’i dëgjojnë këto shpërthime përtej imagjinatës që të qeshin jo të qajnë. Pasi të dhënat që raportohen nga sistemi bankar janë optimiste”.

Kryeministri foli edhe për procesin e vetingut, i cili ka nisur dhe do të luajë rol sa i përket raportit të bankave me sistemin gjyqësor.

“Vetingu sot ka nisur duke çelur një rrugë shumë më optimiste sa i përket raportit të bankave me sistemin gjyqësor. Një raport shumë problematik me të shkuarën për shkak të shumë shfaqjeve brutale të ligjit në dëm të sistemit për të favorizuar subjekte për të cilat bankat, kanë kërkuar marrjen e masave përkatëse për shkeljet flagrante të raportit me to”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: