Arte

Namik Dokle promovon romanin “Vajzat e mjegullës”

Namik Dokle, ish-deputet, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-zv.kryeministër, i rikthehet perseri botimeve.  Ai vjen me romanin më të ri, të botuar nga Shtëpia Botuese Toena.
“Vajzat e mjegullës” – një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat.

“Vajzat e mjegullës” është romani i një dashurie të madhe, ku vërshojnë ndjesitë e dashurive ekzistenciale: dashurisë për jetën, për vendlindjen, për njerëzit, për gjuhën, për zakonet identifikuese, për mitet dhe legjendat ende të gjalla; është një roman i dashurisë për të bukurën në një realitet herë-herë të shëmtuar; i dashurisë për vajzat, lulet dhe këngët e tyre, si dhe i paqtimit me fatin, duke e jetuar atë në çdo frymëmarrje.

Përmes një stili gjuhësor krejt të veçantë dhe të ngjyrosur edhe me elemente të një kulture deri diku jo krejt të njohur, Namik Dokle paraqet situata dhe vende që nxisin thellë përfytyrimin e lexuesit dhe çdo përshkrim fjalësor mbërrin të kthehet në pikturë reale e plot ngjyra.

Formulimet origjinale, humori fjalësor, ironia, si veçori gjuhësore, mbushin shpesh kontrastin mes ankthit të pasigurisë dhe forcës shpirtërore identifikuese. Besnikëria ndaj gjuhës së gjallë të personazheve reale bëhet shpesh edhe forma e vetme e kundërshtisë së hapur ndaj zhargonit të pabesë të diktaturës.  Goranët dhe Gora, përmes këtij rrëfimi grishës nga faqja e parë deri tek e fundit, vijnë te lexuesi përmes një simboli të fortë, që prek në mënyrë sa poetike, aq edhe tragjike sferën e vetëdijes mbi misterin dhe atë çka përcillet si e njohur e pakundërshtueshme.

Po “vajzat e mjegullës”? A janë edhe ato krijesa të misterit? Ah, jo! Ato i shquajmë qartë tek lodrojnë si mjegull e bardhë nëpër faqet e këtij romani që s’duhet humbur.

Namik Dokle lindi në Durrës, më 11 mars të vitit 1946. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega ekonomi agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970). Fillimisht ka punuar si gazetar, por që prej viti 1991 njihet si politikan në Parlamentin Shqiptar.
Krijimtaria e tij letrare është pasur me tregime, drama, radiodrama, publicistikë dhe së fundi ka lëvruar edhe romanin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button