Bota

Berlin: Bisedime sondazhi për koalicion – po pastaj?

Të premten duhet të përmbyllen bisedimet e sondazhit për krijimin e koalicionit qeverisës nga tri parti në Berlin: CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit. Po më pas si do të ecet? Ç’ndodh nëse bisedimet dështojnë?

Nëse CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit duan të nisin bisedimet e koaliconit, cilat do të jenë hapat e mëtejshëm?

Në një rast të tillë së pari duhet të konsultohen forumet drejtuese të partive lidhur me rezultatin e bisedimeve të sondazhit. A mjafton kjo për të hapur bisedimet e krijimit të koalicionit, në mënyrë që në fund të krijohet një qeveri e qëndrueshme? Partia kristiandemokrate (CDU) të premten dhe të shtunën (17.11 – 18.11) zhvillon mbledhjen e posaçme të kryesisë në Berlin, kryesia e liberalëve FDP dhe kryesia e Të Gjerlbërve do të mblidhen po ashtu të premten. Partia simotër e CDU, kristiansocialët, CSU-ja në Bavari planifikojnë për të premten mbledhjen e kryesisë në Mynih. Edhe grupet parlamentare të partive do të zhvillojnë mbledhje të posaçme. Nevoja për konsultime është e madhe, sepse në nivel federate asnjëherë nuk ka pasur një koalicion të tillë. Të gjitha partitë do të përkufizojnë çështjet, lidhur me të cilat ato duan të forocojnë pozicionet e tyre.

Si integrohen anëtarët e partive në këtë proces?

Secila parti vepron në mënyrën e vet. Kryetarja e CDU-së, kancelarja Angela Merkel në pesë konferenca në Shtutgart, Hanover, Lajpcig dhe Darmstadt do të reklamojë koalicionin tripartiak si dhe do të tematizojë rezultatin e keq në votime, ku unioni konservator humbi 8,5 përqind të votave. Ndërsa është parashikuar informimi i anëtarëve të të gjitha partive, vetëm Të Gjelbërit planifikojnë një votim pas bisedimeve të sondazhit për koalicionin: Në kongresin e partisë më 25 nëntor në Berlin ekologjistët do të presin votën e bazës së partisë, nëse duhet të nisin ose jo bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisë. Partitë e tjera pas përfundimit të bisedimeve për koalicionin qeverisës ose do të mbledhin kongresin, ose do t’i njoftojnë anëtarët e tyre me shkrim ose përmes votës online lidhur me marrëveshjen e koalicionit.

Kur mund të nisin bisedimet e koalicionit dhe sa mund të zgjasin ato?

Pas kongresit të partisë së të Të Gjelbërve më 25 nëntor mund të fillojnë bisedimet. Garanci për suksesin e tyre nuk ka. Megjithëse kanë kaluar katër javë bisedime sondazhi, ato edhe mund të dështojnë. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë para Krishtlindjeve mund të kemi një marrëveshje koalicioni, që përcakton programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme si dhe përcakton ndarjen e posteve ministeriale. Në fund të janarit mund të nisë nga puna qeveria e re e para e këtij lloji e përbërë nga konservatorë, liberalë dhe ekologjistë.

Ç’ndodh nëse dështojnë bisedimet e sondazhit për këtë aleancë?

Në një rast të tillë kryetarja e CDU-së Angela Merkel mund t’u drejtohet socialdemokratëve (SPD) për të sqaruar, nëse ata do të vazhdojnë t’i përmbahen jo-së së tyre kategorike për të mos qenë pjesë e qeverisë. Sa u përket shifrave një përsëritje e koalicionit CDU/CSU dhe SPD do të kishte 399 nga 709 vota, pra një shumicë të qartë në Bundestag. Në SPD gatishmëria për këtë është gati zero, sepse pas humbjes në zgjedhje partia synon të rigjenerohet në opozitë.

A mund të krijojë Merkel një qeveri të pakicës?

Kjo është e mundur, p.sh. bashkë me FDP-në. Një qeveri e tillë do të duhej që për çdo projekt politik të kërkonte mazhorancën në parlamenet. Pasoja to të ishte mungesa e stabilitetit politik, ndaj ky opcion nuk ka gjasë të shtrohet. Nëse dështojnë bisedimet e sondazhit për koalicionin, mund të mendohet edhe që Merkel të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe të heqë dorë nga një mandat i ri për qeverisje. Atëherë një tjetër politikan nga CDU-ja që ka shumicën do të duhej të merrte timonin në dorë  për krijimin e një qeverie. Për një zhvillim të tillë duket se nuk ka asnjë shenjë.

A mund të ketë zgjedhje të reja nëse dështojnë bisedimet e sondazhit? 

Zgjedhjet e reja kërkohen shpejt, por nuk arrihen lehtë. Që të arrihet tek zgjedhjet e reja, “derisa rezultati të jetë si duhet”, ka disa pengesa në kushtetutë: Së pari Bundestag-u duhet të zgjedhë një kancelar, ose kancelare – me propozimin e presidentit Frank-Walter Steinmeier. Supozojmë që Steinmeier propozon Angela Merkel-in si kandidate e grupit më të madh parlamentar. Atëherë asaj i duhej shumica e anëtarëve të Bundestag-ut, pra të paktën 355 nga 709 vota. CDU dhe CSU kanë bashkë vetëm 246 vota. Nëse Merkel në votim të fshehtë arrin megjithatë shumicën absolute, duhet që Steinmeier ta emërojë atë kancelare.

Nëse Merkelit i mungon shumica absolute në raundin e parë?

Në një rast të tillë vlen e drejta për të propozuar një ose më shumë kandidatë në Bundestag. Nëse në raundin e dytë askush nuk merr shumcicën absolute, atëherë brenda 14 ditësh pason faza e tretë e zgjedhjes, në të cilën mjafton një shumcië e thjeshtë. Më pas sërish fjalën e ka presidenti:  ose Bundestag-u zgjedh me shumicë të thjeshtë Angela Merkel, brenda shtatë ditësh Steinmeier mund ta emërojë atë kancelare e faktikisht e sjell atë në post me një qeveri të pakicës. Ose ai mund ta shpërndajë parlamentin. Atëherë brenda 60 ditësh duhet të ketë zgjedhje të reja.

A mundet Merkel të nxisë vet zgjedhje të reja?

Nëse Angela Merkel sërish zgjidhet kancelare dhe qeveria rezulton si jo e qëndrueshme, ajo mund të kërkojë votëbesimin në Bundestag. Nëse ajo nuk e fiton atë, atëherë janë përmbushur kushtet për zgjedhje të reja. Në historinë e Gjermanisë tre kancelarë kanë çuar në këtë mënyrë në zgjedhje të reja: Willy Brandt (SPD), Helmut Kohl (CDU) dhe Gerhard Schröder (SPD). Të tre këta kancelarë zgjodhën rrugën e votëbesimit, që ata nuk donin ta fitonin, për të mundësuar zgjedhjet e reja. Por sidoqoftë ata nuk e kanë bërë këtë në fillim të periudhës legjislative. Ky opcion nuk është i mundur tani për kancelaren, sepse aktualisht ajo është në formë ekezekutive në detyrë dhe ende jo e mandatuar, kësisoj ajo as mund të shtrojë çështjen e votëbesimit dhe as Bundestag-u nuk mund t’i japë asaj mocionin e mosbesimit.

A janë bisedimet e sondazhit mes tri partive të destinuara për sukses? 

Shumica e politologëve mendojnë kështu. Sepse derisa të arrihen zgjedhje të eventuale të reja Gjermania do të mbetej në vendnumëro politikisht dhe në nivel ndërkombëtar ajo do të ishte vetëm me kufizime e aftë për të vepruar.

E përse ndodh kështu?

Vetëm për një rezultat zgjedhjesh, që sipas anketimeve aktuale sërish do t’i ngjasonte atij të 24 shtatorit. Pra edhe me zgjedhje të reja thuajse asgjë nuk do të ndryshonte e përsëri i njëjti konstelacion partish do të duhej të hynte në bisedime koalicioni, vetëm se me një buxhet 90 milionë më të varfër, pasi kaq shumë do të kushtonin zgjedhjet e reja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button