Home / Politika / Ndërtimi i kullave në Tiranë, debate në Kuvend

Ndërtimi i kullave në Tiranë, debate në Kuvend

Kryeministri Rama dhe kreu i PD Basha vijuan replikat mes tyre sot në Kuvend, duke folur për akuzën e kreut të PD, Basha se, kullat në Tiranë po ndërtohen me paratë e drogës.

“Fole për hotelet me 5 yje dhe u detyrova dhe i kërkoj ndjesë atij që i përmenda emrin, por unë kurrë nuk kam marrë nëpër gojë sipërmarrës të këtij vendi që krijojnë punësim dhe investojnë. Tani për kullat e Tiranës. Zamir Mane është pastrues parash droge, Shefqet Kastrati është pastrues parash droge, Bashkim Ulaj është pastrues parash droge. Po Ramë Geci është pastrues parash droge. Për rastësi janë të katërt votues dhe mbështetës të PD”, iu drejtua Rama, Bashës.

Këta zotërinj, theksoi kryeministri, “e kanë bërë pasurinë kur zotrote ishe akoma në Holandë. Se ju është bërë goja drogë, drogë. Hajde këtu më thuaj është Zamir Mane pjesë e kësaj skeme, Shefqet Kastrati është pjesë e kësaj PPP apo Ramë Geci. Sepse këta të katërt mesa di unë janë ata që kanë bërë kërkesa t’i ndërtojnë dhe do t’i ndërtojnë patjetër se unë kurrë nuk kam ndaluar njeri që të investojë dhe të ndërtojë”.

“Shqipëria janë njerëzit që i japin ekonomisë, që ndërtojnë qoftë si sipërmarrës, qoftë si njerëz të biznesit. Të mbiu droga në gojë, sikur je nën efektin e drogës. Dhe këto i thoni për Shqipërinë se për mua thoni çfarë të doni. Ne paguhemi nga taksat që vijnë edhe prej kontributit të tyre në radhë të parë. Pyete shokun tënd Zamir Mane, pyete për investimet në miniera, për sigurinë në miniera,”, tha Rama’

Ndërsa kreu i PD replikoi duke thënë se, këtu nuk flitet për biznesmenët që investojnë. “Unë nuk i ndaj njerëzit në parti, por në të ndershëm dhe të pandershëm; në ata që punojnë për ekonominë e Shqipërisë dhe ata kriminelë që janë shpikja jote. Këtu janë biznesmenë, deputetë, kryetarë bashkish. I bëre ti, se i ndjekin vendet e huaja për trafik droge, prostitucion, vrasje”, tha Basha.

“Po mundohesh më kot për të fshehur minaren në një thes. Shqipëria është në rreth të zi si nyjë e kanabisit. E tha Europoli, e bëre ti”, u shpreh Basha.

“Bllokimi i Shqipërisë do të vazhdojë sa kohë që politike dhe krimi të personifikohen me ty. Kishe mundësinë ta shkëputje, por nuk e bëre. Ti i bërë gjëmë pas gjëme vendit, se ky është modeli që ti je: pastrimi i parave me krimin, administrimi i parave me krimin. Nuk i ikën dot të së vërtetës dhe Shqipëria nuk bën dot asnjë hap përpara. Katër vite me radhë, e quajte ministrin më të jashtëzakonshëm, po Saimir Tahiri është vetëm hallka që të lidh me krimin dhe drogën”, theksoi Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.