MaqedoniaRajoni

Zaev-Boutaris: Bashkëpunimi lokal, nismë për mirëbesim mes Maqedonisë dhe Greqisë

Kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris, i cili po qëndron për një vizitë në Shkup, tha se bashkëpunimi i pushteteve lokale, është një nismë e mirë e cila mund të çojë në bashkëpunim ndërshtetëror.

Kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris i cili po qëndron për një vizitë në Shkup, është pritur në një takim nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili në konferencën e përbashkët për mediat, shprehu shqetësimet për situatën me përmbytjet në Greqi, duke shprehur ngushëllimet për familjet e të vdekurve në këto përmbytje.

Pas takimit, kryeministri Zaev tha se me mysafirin grek është biseduar për çështjet të cilat prekin interesin e përbashkët, me theks të veçantë tek çështjet të cilat do të afrojnë mes vete qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë.

Siç tha Zaev, ata u pajtuan se është i rëndësishëm secili kontribut i cili krijon ambient të mirëbesimit në avancimin e dialogut mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke nënvizuar bashkëpunimin ndërkufitar i cili sipas tij inicon bashkëpunim në fushën e turizmit, biznesit dhe kulturës të cilat mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e mirëbesimit mes dy shteteve.

Kryeministri i Maqedonisë, tha se është informuar për dinamizimin e bashkëpunimit në nivel lokal që është bidseduar në takimin mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe kryebashkiakut të Selanikut, Yiannis Boutaris muajin e kaluar në Selanik ku janë shqyrtuar tema konkrete për themelimin e një grupi të punës i cili do të përfshin më shumë komuna nga të dyja shtetet për projekte të bashkëpunimit me fonde të BE-së.

“Sot këtë e konfirmuam si dhe konfirmuam nismën për bashkëpunim mes dy shteteve. Te ne, së fundmi përfunduan me sukses zgjedhjet lokale, dhe jam i sigurt se komunat tona do të vendosin në dispozicion pjesë të kapaciteteve të tyre për të bashkëpunuar me autoritetet e vendeve fqinje, në veçanti me ato të Greqisë”, tha Zaev, i cili në emër të qeverisë premtoi përkrahjen e plotë për zbatimin e formave të bashkëpunimit.

Kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris, nga ana e tij tha se në cilësi të kryebashkiakut nuk dëshiron të komentojë çështjet politike, megjithatë tha se bashkëpunimi i pushteteve lokale, është një nismë e mirë e cila mund të çojë në bashkëpunim ndërshtetëror.

Boutaris shtoi më tej se ka inormuar Zaevin për bisedën që ka pasur me ministrin Dimitrov lidhur me projektin e kanalit Vardar-Danub i cili është i një rëndësie për dy qytetet, Selanikun dhe Shkupin si dhe për një sërë çështjesh tjera nga sfera e kulturës, ekologjisë dhe arsimit në të cilat mund të ketë një bashkëpunim.

“Do të punojmë në mënyrë sistematike me grupet e punës që do ta formojmë me Shkupin dhe qytetet tjera që do të lidhen me Selanikun sepse si qytet, ne kemi një vullnet të fortë për të përmirësuar lidhjet mes popujve tanë”, tha Boutaris, sipas të cilit, kjo qasje do të prish të gjitha barrierat që ekzistojnë, për të shtuar se do të këmbëngul që takimi i radhës i kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë të realizohet në Selanik.

Një nga çështjet e dakorduara në takim është që nisma e presidentit Ivanov që regata në lumin Vardar të mos përfundojë në kufi por në Selanik, që do të zbatohet pranverën e ardhshme, ndërkohë që është trajtuar seriozisht themelimi i një festivali muzikor që do të mbahet në Shkup dhe Selanik ku do të ftohen edhe kryeqytetet tjera të rajonit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button