Home / Sporti / Keqardhje për barazimin, Duro: Kam rezerva për gjykimin

Keqardhje për barazimin, Duro: Kam rezerva për gjykimin

Fitorja ishte një detyrim, ndaj dhe mungesa e saj përballë një skuadre shumë të fortë si Skënderbeu ka lënë shije të hidhur te trajneri i vlonjatëve, Shpëtim Duro.

“Skuadra bëri detyrën gjatë të gjithë lojës, por përballë kishim një skuadër shumë të fortë. Unë mendoj se duhej patjetër të fitonim. Skuadra shënoi, luajti, mbajti kontrollin e lojës”, është shprehur Duro.

Por edhe në këtë takim, trajneri i ekipit bregdetar ka pasur rezerva për gjykimin.

“Kam rezerva për gjykimin sepse ne shënuam edhe golin e dytë. Shehi grushtoi keq topin, më pas ne e dërguam topin në rrjetë. Për mua nuk ka pozicion jashtë loje. Është hera e dytë që na ndodh pas Kukësit. Penallti nuk kemi marrë dhe nuk do të marrim deri në fund të sezonit. Për mua e kemi fituar ndeshjen. Në të dyja ndeshjet me skuadrat më të forta të kampionatit kanë vendosur arbitrat. Rezultatet me dy skuadrat kryesuese, dy barazime janë të justifikueshme, por arbitrimi ka ndikuar. Për mënyrën sesi janë zhvilluar të dyja ndeshjet, skuadra ka merituar më shumë”, tha më tej trajneri Shpëtim Duro.

Edhe pse nuk pa diferenca të mëdha në 90-minutëshin e sotëm, Duro duket se njeh forcën e Skënderbeut.

“Nuk besoj se sot kishte një diferencë të madhe me Skënderbeun, që është skuadra më e mirë. Ka një skuadër të kompletuar dhe nuk mund të thuhet se ata erdhën sot me mungesa. Sot mungonte Pollozhani, një futbollist me vlera, por në tërësi jam i kënaqur shumë me skuadrën. Duhej të ishim më të kujdesshëm në fund, sepse mund të evitonim golin. Përballuam dy skuadrat më të forta në dy ndeshje radhazi, ndaj jam shumë i kënaqur me lojën e skuadrës sime”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Flamurtarit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: