Ekonomia

BB: Investimet e huaja dhe konsumi privat, forcuan rritjen ekonomike

Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2017 parashikohet të forcohet në 3.8 për qind, e mbështetur nga investimet private, përfshirë projektet energjetike të financuara nga investimet e huaja direkte, dhe rigjallërimi i konsumit familjar, raportoi të enjten Banka Botërore.

Banka Botërore prezantoi sot raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

“Dinamikat e investimeve janë të lidhura me progresin në dy projekte të mëdha energjetike të financuara nga IHD-të (Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe hidrocentrali i Devollit) dhe konsumi privat mbështetet nga krijimi i vendeve të punës dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit”, citohet raporti.

Në dy vitet në vijim, BB parashikon që rritja ekonomike të jetë më e moderuar në mesatarisht 3.6 për qind, ndërsa ritmi i rritjes së konsumit privat do të përshpejtohet.

“Zgjerimi ekonomik ka krijuar vende pune. Politika fiskale e kujdesshme, që vijoji e tillë edhe gjatë vitit zgjedhor, ka reduktuar borxhin publik”, thuhet në raportin e BB-së.

Po ashtu vlerësohet se rritja ekonomike nxiti krijimin e vendeve të punës në vitin 2016 dhe në gjysmën e parë të vitit 2017.

“Niveli i punësimit u rrit me 2.5 pikë përqindjeje (pp) në 2016 dhe 1.7 pp në gjysmën e parë të vitit 2017”, citohet në raport.

Përshpejtimi i reformave për konsolidimin e financave publike, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve, reduktimin e rreziqeve nga sektorët e energjisë dhe financiarë dhe forcimin e sistemit ligjor, rekomandon banka Botërore, janë me rëndësi kritike për forcimin e besimit dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë.

“Përpjekjet e qëndrueshme për konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore duhet të reduktojnë gradualisht deficitin fiskal në 1.5 përqind të PBB-së deri në vitin 2019 dhe raportin e borxhit ndaj PBB-së në 60 përqind të PBB-së deri në vitin 2022”, rekomandon BB.

Sipas Bankës Botërore, forcimi i rritjes ekonomike varet nga stabiliteti makroekonomik dhe nga përmirësimet në klimën e biznesit për të rritur efikasitetin e gjykatave, menaxhimin e investimeve publike, aftësitë e punës dhe reformën në sektorin e energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button