Bota

Ç’është strategjia e “Indo-Paqësorit”, a do ndikojë mbi Kinën kjo strategji?

Japonia dhe ShBA-ja e kanë përmendur disa herë kohët e fundit strategjinë e “Indo-Paqësorit”, duke shprehur shpresën për krijimin e një mekanizmi të dialogut strategjik të nivelit të lartë mes ShBA-së, Japonisë, Indisë dhe Australisë. Ditët e fundit, katër vendet zhvilluan një mbledhje në rang drejtorësh në kuadër të takimeve të liderëve për bashkëpunimin në Azinë Lindore.

Në fjalimin e tij të parë në turneun aziatik, të mbajtur më 5 nëntor në Japoni, presidenti i ShBA-së Donald Trump tha: “Do të kërkojmë raste të reja bashkëpunimi midis partnerëve e aleatëve, që të përpiqemi të krijojmë një mjedis të lirë, të drejtë dhe me leverdi të ndërsjellë në rajonin e Indo-Paqësorit.”

A është strategjia e “Indo-Paqësorit” një koncept i ri që do të zëvendësojë atë të Azi-Paqësorit? Ç’kupton ky koncept?

I. Ç’është “Indo-Paqësori”? Cilat janë elementet thelbësore të tij?

“Indo-Paqësori” përfshin rajonin e Oqeanit Indian dhe atij Paqësor. Ky koncept nuk është i ri, ai u paraqit për herë të parë nga studiuesi i gjeopolitikës Karl Ernst Haushofer në vitet ’20 – ’30 të shekullit të kaluar. Por “Indo-Paqësori” u shfaq si një koncept gjeopolitik në fillim të shekullit të 21-të. Në nëntor të vitit 2011, ShBA-ja dhe grupe studimore amerikane, australiane dhe indiane publikuan bashkërisht raportin me titull: “Objektivi i përbashkët dhe interesat e përafërta: plani i bashkëpunimit midis ShBA-së, Australisë dhe Indisë në rajonin e Indo-Paqësorit”, ku propozohej vendosja e dialogut trepalësh, për të nxitur krijimin në këtë rajon të një rendi në favor të stabilizimit ekonomik e politik, të sigurisë, të tregtisë së lirë e të hapur dhe të qeverisjes demokratike. Ky raport shënon paraqitjen zyrtare të “Indo-Paqësorit” si një koncept gjeoekonomik, gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Më 18 tetor, sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson mbajti një fjalim me titull “Përcaktimi i marrëdhënieve me Indinë në shekullin tjetër”, ku demonstrohet plotësisht strategjia amerikane për Indo-Paqësorin, kryesisht në tre drejtime. Së pari, shfrytëzimi plotësisht i epërsive ekonomike përkatëse të ShBA-së dhe të Indisë, për të nxitur ndërlidhshmërinë e rritjen ekonomike në rajonin e Indo-Paqësorit, dhe veçanërisht në Azinë Jugore. Së dyti, ShBA-ja e India duhet të punojnë së bashku për arritjen e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë të këtij rajoni dhe për forcimin e aftësisë së sigurisë të vendeve në këtë rajon. Së treti, do të formohet struktura e aleancës për “riekuilibrimin e Indo-Paqësorit”, duke futur të gjitha vendet e interesuara në këtë sistem.

Në kontekstin e “Indo-Paqësorit”, ndikimi i Kinës në rajon do të dobësohet, duke vënë në fokus në mënyrë të veçantë veprimet e saj detare.

II. Pse Trump-i e paraqiti këtë koncept?

Strategjia e “Indo-Paqësorit” ka për qëllim që të krijohet një hark strategjik afatgjatë midis Oqeanit Paqësorit dhe të Oqeanit Indian, që të realizohet bashkërendimi në dy oqeanet në fushat ekonomike, politike, klimatike, ushtarake etj. Krahas ShBA-së, India, Australia dhe Japonia janë vendet kryesore pjesëmarrëse.

Në njëfarë shkalle, kjo strategji mund të konsiderohet si zgjerimi i strategjisë së Obamas të “rikthimit në Azi-Paqësor”, e cila synonte frenimin e Kinës.

Në rajonin e Azi-Paqësorit, Kina është pa dyshim një nga vendet kryesore dhe ka një të drejtë të madhe të fjalës. Në strategjinë e Indo-Paqësorit, pjesëmarrja e Indisë do të shërbejë si kundërpeshë ndaj Kinës.

Kohët e fundit, duke folur për termin “Indo-Paqësor”, disa zëdhënës kryesor amerikanë kanë theksuar fjalët si “liri”, “rregull”, “hapje” etj., të cilat lidhen lehtësisht me çështjen e Detit të Kinës Jugore, si dhe një sërë mosmarrëveshjesh detare në Azi-Paqësor.

Tjetër rëndësi e strategjisë së “Indo-Paqësorit” ka të bëjë me Lindjen e Mesme. Dihet nga të gjitha se në veriperëndim të Oqeanit Indian është Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Politika e Trumpit për Lindjen e Mesme ka tërhequr vëmendje të madhe. I pari vend që vizitoi Trumpi pas marrjes së postit të presidentit ishte Arabia Saudite, vend i Lindjes së Mesme, dhe pastaj ai vizitoi vendet aleate evropiane. Kjo ishte e paparë në historinë e ShBA-së. Në ditën e parë pas mbërritjes në Arabinë Saudite, të dyja vendet nënshkruan marrëveshjen e shitjes së armëve me një vlerë të përgjithshme prej 110 miliardë dollarësh amerikanë. Për Trumpin, që është shumë pragmatik dhe po bën përpjekje për ta bërë ShBA-në “përsëri të madhe”, Lindja e Mesme është një rajon i domosdoshëm.

Njëkohësisht, Trumpi e kupton fort mirë se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, Azi-Paqësori do të vazhdojë të jetë kontribuesi kryesor për rritjen e ekonomisë botërore, prandaj planifikimi strategjik tërësor për Lindjen e Mesme-Oqeanin Indian-Azinë Juglindore-Azinë Verilindore, do të jetë shumë i favorshëm për zhvillimin e ShBA-së.

III. Si do të ndikojë mbi Kinën strategjia e “Indo-Paqësorit”?

Deri më sot, “Indo-Paqësor” vazhdon të jetë ende një koncept dhe nuk është shndërruar në një sistem të plotë strategjik. Nga ana tjetër, kur i hedhim një vështrim politikës së Obamës për “riekuilibrimin e Azi-Paqësorit”, shohim se kjo politikë nuk është e suksesshme dhe shumë tema ekonomike nuk janë promovuar. Tani Trump-i e përfshin Lindjen e Mesme në konceptin e tij të “Indo-Paqësorit” dhe shpreson ta plotësojë Azinë-Paqësorin me Lindjen e Mesme. Kjo është e vështirë të funksionojë. Mund të themi se me potencialin aktual të ShBA-së në fushat ekonomike dhe ushtarake, është shumë e vështirë që të ruajë rolin mbizotërues paralelisht në të dyja rajonet.

Megjithatë, nëse ky koncept bëhet me të vërtetë politika e ShBA-së për Azi-Paqësorin, kjo mund të shënojë frenimin e mëtejshëm të Kinës, veçanërisht nxitja e nismës së Kinës “Një Brez, Një Rrugë” mund të hasë më shumë faktorë paqëndrueshmërie dhe ndërhyrjeje. Këtë Kina do ta ndjekë me vëmendje dhe do të ketë vigjilencë të lartë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button