Opinion

Kur diplomacia u shërben interesave të pushtetit

Nga Agim NESHO

Rilindja erdhi në pushtet, si një regjim që do të sillte ndryshimin në një tranzicion të tejzgjatur shqiptar. Por paradoksi i këtij ndryshimi qëndronte në faktin se Rilindja kërkonte modernizimin jo në ide, meritokraci apo luftën kundër korrupsionit, por në krijimin e realitetit virtual të një shteti, që rregullimet sipërfaqësore dhe rilindja urbane do të perceptoheshin nga publiku si zhvillim.

Çdo institucion i shtetit do të ishte në funksion të këtij imazhi të ngulitur nga një propagandë e shfrenuar. Jashtë këtij realiteti nuk mund të mbetej edhe politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare. E nisur pa një platformë të qartë dhe ruajtur ekuilibrat e nevojshëm, pasioni i parë i Rilindjes ishte prishja e ekuilibrave të partneriteteve strategjike rajonale, në favor të përftimit të përkrahjes personale të regjimit: ndihmës së mundshme ekonomike dhe garantimit të pushtetit autoritar personal. Prioritetet e një politike të jashtme pro-Turqisë dhe ridimensionim i marrëdhënieve me Italinë dhe Greqinë, ishte bilanci i parë i ndryshimeve strategjike.

Ndërsa Tirana zyrtare ishte e gatshme të inkorporonte politikën e jashtme turke “zero probleme me fqinjët” dhe të vendoste këshilltarë turq në institucionet ekzekutive të shtetit (deklarata e ministrit të Jashtëm shqiptar), Turqia mundësoi vetëm ndërtimin e dy xhamive në Shqipëri, për të njohur trashëgiminë kulturore fetare dhe rivendosjen e influencës neo-otomane në Shqipëri. Njohja e amatorizmit të politikës shqiptare dhe e nevojës që regjimi i Tiranës kërkonte një garanci nga Turqia për aktivitetet ekonomike jotransparente, bën që Turqia ta trajtonte Shqipërinë si një vasal modest.

Në kushtet e mungesës së një balance në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vizionit për zhvillimin e tyre, politika e jashtme shqiptare vazhdonte të improvizonte dhe të ndryshonte në mënyrë konjukturale. Sa herë që Gjermania merrte rolin e lidershipit ballkanik dhe marrëdhëniet me Turqinë bëheshin problematike, politika e jashtme shqiptare kthente trekëndëshin strategjik (Itali–Greqi–Turqi) në katërkëndëshin prioritar, ku Austria zinte vend të barabartë. Në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë, politika e jashtme shqiptare u pozicionua në një raport disproporcional.

Në rast se Turqisë iu dha koncesioni i Aeroportit të Vlorës dhe linja ajrore Shqiptare, Greqia mbeti në retorikën nacionaliste të Shqipërisë dhe ngritjes së imazhit të liderit populist që “rikthen dinjitetin kombëtar”. Por situata gjeopolitike në rajon është shumë e pastabilizuar dhe gjithnjë e më shumë po shihen tendencat agresive të fuqive rajonale, si Rusia dhe Turqia në Ballkan, ku regjimet e korruptuara ballkanike janë gjithnjë e me tepër vulnerabël, gjë që i jep Greqisë përkrahje europiane për ruajtjen e këtyre ekuilibrave. Aleancat e Greqisë me një sërë vendesh ballkanike e evropiane, kohët e fundit, janë disa nga përpjekjet për të balancuar këto raporte.

Kjo e vë diplomacinë shqiptare në disfavor dhe e detyron atë të gjejë një zgjidhje për problemet e mbartura dhe krijuara me Greqinë, për të mos humbur shansin e integrimit europian. Eruditizmi i Ramës për raportet historike me Greqinë sfumohet nga ‘koreografia e valleve’ të ministrit Kotzias, i cili ka futur në vathë “Dhimitrin nacionalist”. Për Greqinë, në këto takime dhe ato që do të vazhdojnë, nuk kanë asnjë rëndësi të veçantë, përveçse të detyrojnë shqiptarët të pranojnë “fajin e tyre”. Ajo që ka rëndësi, është marrëveshja për delimitimin e shelfit kontinental dhe interesat përkatëse.

Grekët do të jenë të lumtur që në çdo përfitim të tyre, të japin reliken e kohës si Ligjin e Luftës (është po aq qesharake sa diplomacia shqiptare të pretendonte sot se do të tërhiqej nga territoret shqiptare në Greqi, si kusht për të përfituar diçka në marrëveshje). Bisedimet nuk do të zgjidhin asgjë për problemin çam, i cili nuk barazohet me problemin e shpronësimit në Himarë.

Ecuria e këtyre takimeve dhe marrëveshjeve do të vazhdojnë, derisa lideri i shqiptarëve të pranojë një marrëveshje “historike” me grekët, për të lartësuar emrin e tij për aleanca të mëdha. Nuk do të jetë e largët dita që ai të mund të vendosë lehtësisht për ato probleme, që vetë i ka sensibilizuar si patriotike.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/shkurt-e-shqip/kur-diplomacia-u-sherben-interesave-te-pushtetit-463551/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button