Home / Bota / Ngacmimet seksuale që kanë tronditur Uashingtonin

Ngacmimet seksuale që kanë tronditur Uashingtonin

Uashingtoni është tronditur nga akuzat për ngacmime seksuale ku në qendër janë vënë zyrtarë të zgjedhur, emra të mëdhenj të Hollivudit apo dhe medias. Vëmendja e madhe publike që kanë marrë këto incidente ka nxjerrë në pah nevojën për një qasje të re ndaj këtij problemi, për të cilin dikur flitej pak, kur i akuzuari ishte një njeri me pushtet.

Shtatë gra kanë akuzuar kandidatin e Alabamës për në senat Roy Moore, me pretendimeve që shkojnë ngacmimet tek sulmet seksuale, në ngjarje të disa dekadave më parë kur viktimat ishin adoleshente apo rreth të 20-ve.

“Ai më kapi me forcë nga qafa dhe më tërhoqi drejt vetes”, thotë Beverly Young Nelson, një prej akuzueseve të zotit Moore.

Pyetje janë ngritur dhe mbi të ardhmen politike të senatorit Al Franken, pasi një grua e akuzoi se e kishte puthur me forcë dhe prekur ndërsa ajo flinte gjumë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2006, përpara se zoti Franken të bëhej senator.

“Nuk kishte asgjë për të qeshur tek ajo që ndodhi. A do të ishte e tillë nëse e bën me motrën, vajzën apo gruan tënde?, tha Leeann Tweeden, akuzuese e zotit Franken.

Por reagimi i dy burrave ndaj akuzave, ndryshon ndjeshëm. Zoti Moore i ka mohuar kategorikisht të gjitha pretendimet.

“Mund t’ju them pa hezitim, se kjo është absolutisht e rreme”, tha Roy Moore kandiadat i Alabamës për në Senat.

Në kontrast, Al Frankeni nëpërmjet një deklarate mori përgjegjësinë për veprimet e tij. Ai kërkoi falje dhe kërkoi të hetohet prej Komisionit të Etikës.

Sjelljet e senatorit janë komentuar prej kolegëve të tij, demokratë dhe republikanë.

“Akuzat ndaj tij i shoh të besueshme, por gjithashtu të neveritshme, të tmerrshme dhe degraduese për gratë”, thotë senatorja Susa Collins

Nga ana tjetër zoti Moore vazhdon të injorojë thirrjet për tu tërhequr nga gara.

“Roy Moore duhet të largohet. Gratë që kanë ngritur pretendimet janë krejtësisht të besueshme. Ai nuk është përshtatshëm për një vend në Senatin amerikan”, ka thënë senatori Mitch Mcconnell udheheqësi i republikanëve të senatit.

Presidenti Donald Trump, i cili vite më parë mburrej me aftësitë e tij për të ngacmuar seksualisht, në një koment twitter shkruante lidhur me sjelljen e keqe të senatorit Al Franken, por nuk ka bërë asnjë deklaratë nëse zoti Moore është i përshtashëm ose jo, për postin publik për të cilin po garon.

“Trumpi mendon se në këtë pikë, më e mira do të ishte që vetë njerëzit e Alabamës të vendosnin për shtetin e tyre”, thotë Marc Short drejtor për çështjet legjislative në Shtëpinë e Bardhë.

Incidentet me ngacmime seksuale nuk janë një gjë e re. Ato pothuaj i kushtuan presidencën Bill Clintonit dy dekada më parë. Pretendimet për ngacmime seksuale vite më parë, pothuajse u bënë pengesë për emërimin e Clarence Thomasit për në Gjykatën e Lartë. Por ajo çfarë mund të konsiderohet e re është vëmendja e publikut ndaj kësaj sjelljeje, pas një vale akuzash që kanë përfshirë emrat më të mëdhenj të Hollivudit, medias dhe zyrtarët e zgjedhur.

“Ngacmimi seksuale dhe dhuna seksuale nga njerëz me pushtet kanë dalë në dritë si kurrë më parë. Janë thënë publikisht emra dhe ka një njohje të re dhe me të drejtë të këtij problemi. Tregon se ka nevojë të ndryshojë kultura që dikur i kthente shpinën këtij problemi për shkak të asaj që përfaqësonin të akuzuarit për sjellje të paligjshme”, thotë ligjvënësja Barbara Comstock.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan ka urdhëruar trajnimin e detyrueshëm kundër ngacmimeve seksuale për të gjithë ligjvënësit dhe stafin e tyre. Disa senatorë kanë kërkuar largimin e zotit Moore nëse ai i fiton zgjedhjet speciale të muajit të ardhshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: